Prokurori Arian Përmeti i Prokurorisë së Tiranës u përball të enjten më 15 shtator me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore që zgjati rreth tre orë, u pyet dhe dha shpjegime për pasuritë e trashëguara nga prindërit për të cilat u konkludua se kishin burime të ligjshme, si dhe për një çështje penale të cilën nuk e kishte hetuar. Prokurori Përmeti mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës.
Përmeti deklaroi në seancë se pasuritë që ai zotëron rrjedhin nga burime të ligjshme, konkretisht nga trashëgimia ligjore e prindërve të tij të ndjerë, si trashëgimtarë të një pjese të pronave të familjeve Përmeti dhe Kosova, të rikthyera ose të kompesuara me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave.
Në fillim të seancës u relatua se bazuar në një informacion të publikuar në një media, ishte riçelur hetimi administrativ për prokurorin Përmeti. Subjekti theksoi se nuk e kishte hetur çështjen për të cilën shkruhej në artikull.
Procesi i rivlerësimit për prokurorin Arian Përmeti po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Suela Zhegun. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Elka Ermenkova.
Arian Përmeti e ka filluar punën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore në vitin 2003. Prej vitit 2013, ai ushtron funksionin e prokurorit pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Në seancën dëgjimore, prokurori Përmeti u paraqit me përfaqësuesin e tij ligjor, avokatin Viktor Gumi.
Pasuritë e trashëguara
Relatorja Shuli paraqiti një relacion të gjatë dhe të detajuar për pasuritë e trashëguara nga prokurori Përmeti prej prindërve të tij, që sipas Komisionit kanë rezultuar se janë krijuar të gjitha me burime të ligjshme. Sipas Shulit, subjekti ka shënuar në deklaratën veting 38 pasuri, që përbëhen nga apartamente, troje, njësi shërbimi dhe garazhe, të ndodhura në qytetin e Tiranës dhe të Durrësit.
Komisioni ka konstatuar se këto pasuri janë përfituar me vendime të Komisionit të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave të viteve 1994 dhe 1996 nga prindërit e subjektit, trashëgimitarë të familjeve Përmeti dhe Kosova. Pas vdekjes së nënës në vitin 2013, Përmeti ka trashëguar 1/3-ën e këtyre pronave, ndërsa në 2016-ën, kur edhe i ati ka ndërruar jetë ka përfituar ½-ën pjesë takuese, ndërsa gjysma i ka kaluar motrës.
Shuli sqaroi se këto pasuri janë konfirmuar dhe nga institucionet shtetërore, nga ka rezultuar se të dhënat e dërguara prej tyre në Komision, përputhen me deklarimet e subjektit. Relatorja sqaroi se të gjitha këto pasuri janë krijuar para fillimit të detyrës.
Nga hetimi ka rezultuar se subjekti ka pasur burime të ligjshme për të gjitha pasuritë e krijuara para fillimit të detyrës, përfshi investime në bono thesari në vlerën 15.7 milionë lekë, blerjen e një automjeti në vitin 2008 për çmimin 650 mijë lekë dhe për gjendjen cash. Si burim krijimi të likujditeteve subjekti ka deklaruar kursimet familjare nga të ardhurat nga kompesimi i pronave dhe dëmshpërblimet e përfituara nga prindërit si të përndjekur, qiradhënia, interesat e vlerave të investuara, si dhe nga pagat.
Ndyrshe nga periudha para fillimit të detyrës, kur Komisioni konkludon balancë pozitive për krijimin e pasurive dhe mbulimin e investimeve e të shpenzimeve, për vitet 2013-2016 është konstatuar balancë negative në shumën 2.4 milionë lekë.
Sipas KPK, kjo pamundësi është konstatuar pasi nuk është arritur të dokumentohet pagesa e detyrimeve tatimore për një pjesë të të ardhurave nga qiradhënia e objekteve që zotëron familja Përmeti.
Prokurori Përmeti e kundërshtoi analizën financiare të KPK-së. Nëpërmjet avokatit të tij, Viktor Gumi, ai kërkoi që të përfshihen të ardhurat e bashkëshortes për peridhën 1996-2001.
Në vijim, Gumi vërejti si ishte e pamundur që të merrnin dijeni për periudhën kur ishin paguar tatimet për të ardhurat nga qiraja, pasi pasuritë në Durrës ishin administruar nga nëna e ndjerë e cila kishte autorizuar shtetasin A.Z. që t’i kalonte pjesën e saj. “Për pjesën e nënës së subjektit janë paguar gjithë detyrimet tatimore, gjatë gjithë kohës”, theksoi Gumi dhe kërkoi që Komisioni të përfshijë në analizën financiare të gjitha të ardhurat nga qiraja.
Lidhur me vërtetimin e të ardhurave të siguruara nga dhënia e një ambjenti me qira në Tiranë gjatë periudhës 2009-2015, me qira mujore 6000 euro, Gumi argumentoi se do të ishte e pamundur që kjo pasuri t’i lihej në përdorim për 6 vjet dikujt, pa kryer pagesën. Nisur nga fakti se qiramarësi ishte një shoqëri, Gumi u shpreh se tatimet në këtë rast nuk i takonin subjektit.
Sipas Gumit, ky subjekt kishte mbyllur aktivitetin dhe nëse nuk do të kishte paguar detyrimet tatimore, do të kishte rezultuar debitor. Ai shtoi se rezultonte që në periudha të ndryshme ishin kryer pagesa të qirasë nëpërmjet bankës. “Vërtetohet bazhdimësia e qirasë”, këmbënguli Gumi dhe kërkoi që të ardhurat nga qiraja e këtij objekti të përfshihen në analizën financiare.
Avokati Gumi vijoi se me dokumentet e paraqitura kishin vërtetuar pagimin e detyrimeve tatimore për të ardhurat nga qiradhënia e pasurive të tjera. Ndryshe nga bilanci pozitiv 2.8 milionë lekë që ka konkluduar KPK për periudhën para fillimit të detyrës, Gumi u shpreh se bazuar në dokumentet e dorëzuara dhe në analizën financiare të subjektit, rezulton se kjo balancë pozitive duhet të jetë në vlerën rreth 19 milionë lekë.
Me argumente të njëjta, duke kërkuar përfshirjen në analizë financiare të ardhurave nga qiraja me pretendimin se është vërtetuar ligjshmëria e tyre, Gumi evidentoi balancë pozitive edhe në gjithë vitet gjatë ushtrimit të detyrës nga Përmeti, periudhë kur KPK konstaton pamundësi financiare.
Ai kërkoi që të përllogariten të ardhurat nga trashëgimia e prindërve si dhe balanca pozitive e periudhës para ushtrimit të detyrës. Gumi vërejti se subjekti nuk ka shtuar asnjë pasuri gjatë ushtrimit të detyrës dhe ritheksoi se gjithçka ai zotëron është e trashëguar prej prindërve.
Relatorja Shuli e pyeti subjektin se përse kishte mbajtur në shtëpi vlera cash më të mëdha se shuma 2.5 milionë lekë që lejohej sipas ndryshimeve ligjore të vitit 2014. Prokurori Përmeti shpjegoi se likujditetet cash ishin mbajtur nga babai.
Po ashtu, Shuli e pyeti Përmetin nëse motra kishte përfituar nga trashëgimia e prindërve. Subjekti shpjegoi se morta e kishte marrë pjesën e saj në vitin 2002.
Ndërsa kryesuesja Bekteshi kërkoi të dëgjonte prej Përmetit arsyen se përse nuk kishte deklaruar burimin e automjetit të blerë në 2008-ën. Subjekti u shpreh se kishte aq shumë të ardhura të ligjshme, saqë ishte e qartë se blerja e mjetit që zotëron edhe sot, mbulohej me burime të ligjshme.
Denoncimet
Relatorja Shuli sqaroi se nuk janë vërejtur probleme profesionale të prokurorit Arian Përmeti në çështjet e shqyrtuara prej Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP dhe prej Komisionit. Ajo pohoi se ndaj subjektit janë depozituar 6 denoncime, nga të cilat janë verifikuar dy, pasi në të tjerat nuk janë gjetur indicie që kishin lidhje me aspektin profesional.
Në një prej çështjeve të verifikuara, Shuli sqaroi se është kosntatuar se subjekti ka nxjerrë 3 urdhëra të ndryshëm për kryerjen e veprimeve hetimore të njëjta, por pa argumentuar përse nuk janë kryer ato hetime më parë.
Sipas Shulit, prokurori Përmeti ka shpjeguar se kishte nxjerrë urdhëra të rinj, pasi oficeri i Policisë Gjyqësore ishte transferuar në Vlorë dhe ishte caktuar oficer i ri.
Për një kallëzim për vjedhje të materialeve të ndërtimit të hetuar nga subjekti, ka rezultuar se pas hetimeve të kryera, kallëzuesi ka kërkuar të njihet me dosjen dhe ka dorëzuar prova të reja.
KPK konstaton se nuk ka dokumentacion që vërteton kthimin e përgjigjes, por ka njoftim të kallëzuesit për vendimarrjen.
Në fund të seancës, Shuli e pyti subjektin lidhur me një denoncim nga një person që kishte kallëzuar dëmtime fizike gjatë një sherri në një lokal. Subjekti shpjegoi se sipas aktit të ekspertimit dëmtimet kishin rezultuar të parëndësishme, si dhe kallëzuesi nuk kishte shenja të dukshme në trup. Përmeti shtoi se ishte vendosur mosfillim pasi çështja mund të ndiqej vetë në gjykatë.
Lidhur me konstatimin e KPK se kallëzuesi kishte kërkuar në gjykatë rivendosjen në afat të të drejtës së ankimit, Përmeti shpjegoi se e kishte njoftuar denoncuesin por ai nuk kishte kryer ankim afatin e duhur. Sipas tij, kjo ishte dhe arsyeja përse gjykata e ka rrëzuar kërkesën e kallëzuesit, i cili më pas nuk kishte kryer ankim ndaj atij vendimi.
Në vijim, Shuli u ndal në një informacion të publikuar në media për një procedim penal për ndërtim pa leje nga shoqëria e administruar prej shtetasit J.M., ku pretendohej se subjekti kishte bllokuar dosjen.
Avokati Viktor Gumi e filloi mbrojtjen e tij me prapësimet në këtë çështje. Ai theksoi se më datë 12 shtator, tre ditë përpara seancës dëgjimore, ishin njoftuar nga KPK nëpërmjet email-it lidhur me këtë denoncim publik për një ndërtim pa leje me 9 kate nga shtetasi J.M., që nga sa u shpjegua në seancë bëhej fjalë për biznesmenin Julian Morina. Sipas Gumit, vetëm tre ditë më parë u ishte kërkuar që të vendosnin në dispozicion dokumentacion lidhur me këtë denoncim publik.
Më 7 shtator, qeveria Rama lajmëroi nisjen e një aksioni kundër ndërtimeve pa leje, duke identifikuar si shënjestër të parë një pallat në zonën e Farkës, të ndërtuar nga biznesmeni Julian Morina.
“Dy kate nën tokë dhe shtatë kate mbi tokë, nëntë kate ndërtim pa asnjë letër. Sesi kjo ka ndodh është një mister për ne”, deklaroi pak ditë më parë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku.
Avokti Gumi sqaroi se prokurori Përmeti nuk e ka verifikuar, hetuar, mosfilluar apo që ta ketë pushuar këtë çështje.
Ai sqaroi se subjekti ka nën hetim një tjetër çështje, për të njëjtën shoqëri, bazuar në një kallëzim të vitit 2021 që është regjistruar si procedim penal. Sipas Gumit, kjo çështje nuk ka të bëjë me pallatin pa leje për të cilin shkruhet në media.
“Ky procedim nuk i përket faktit të pasqyruar në media”, deklaroi Gumi dhe sqaroi se kishin depozituar dokumente që vërtetonin se Përmeti kishte regjistruar procedim penal lidhur me kallëzimin tjetër, që në seancë u mësua se bëhej fjalë për shtesat e ndërtuara në një pallat me leje të të njëjtës shoqëri ndërtuese, me të njëjtin administrator.
Sipas avokatit Gumi, nisur nga fakti se kjo çështje është ende në hetim, nuk mund të bëhen publike të dhëna të tjera. Ai këmbënguli se është jashtë kompetencës së Komisionit që të verifikojë çështje penale që janë ende në fazën e hetimeve. Megjithatë, Përmeti u deklarua i hapur për të dhënë shpjegime.
Në përmbyllje të seancës dëgjimore, trupa e KPK u tërhoq për të vendosur lidhur me riçeljen e hetimit administrativ. Bekteshi njoftoi se ishte vendosur mbyllja e hetimit, pa i kaluar subjektit barrë prove lidhur me denoncimin publik.
Prokurori Përmeti kërkoi konfirmimin e tij në detyrë, ndërsa Komisioni u tërhoq për të marr vendim, që do të shpallet më 23 shtator, në orën 09:45.
/Reporter.al/