Ish-kryetarja e Lëvizjes Socialsite për Integrim, Monika Kryemadhi, në një deklaratë për media, denoncoi kryetarin e bashksië Tiranë, Erion Veliaj, si të përfshirë në rastin korruptiv të inceneratorit të Tiranës.
Kryemadhi u shpreh se materialet që shfaqen në videon e publikuar në rrjetin social FB të ish-kryetares së LSI, janë prova të mjaftueshme që Prokuroria Speciale Antikorrupsion të hetojë kryetarin e bashkisë tiranë, Erion Veliaj.
Përmes një materiali-video, Kryemadhi akuzoi Veliajn se ka dhënë miratim për leje dhe financim të inceneratorit të Tiranës, pa marrë votën e Këshillit Bashkiak, duke shkelur kështu ligjin.
Sipas saj:
- Bashkia e Tiranës kishte dijeni që në 2016 për kërkesën për Inceneratorin e Tiranës, pasi kishte dy përfaqësues në komisionin për dhënien e koncesionit.
- Ministria e Mjedisit kërkon miratimin e financimit nga Ministria e Financave, ndërsa Financat i kërkojnë aprovimin e bashkive të Qarkut dhe miratimin e jep vetëm Erion Veliaj.
- Erion Veliaj dha ‘oki’ në parim pa mbledhur Këshillin Bashkiak.
- Ministria e Financave shkeli ligjin pasi mori për bazë vetem Bashkinë e Tiranës kur kërkoi të gjitha bashkitë e qarkut
- Komisioni i Dhënies me koncesion kërkoi vendimin e Këshillit Bashkiak, kërkesa u kundërshtua nga Taulant Tushe dhe Namik Simixhiu
- Pasi u dha koncesioni, Erion Veliaj shkoi në Këshillin Bashkiak për të marrë miratimin e financimit, ndryshoi tabelat e programit buxhetor dhe nuk miratoi dot financimin.
- Erion Veliaj dhe Alqi Bllako pas kërkesës së Ministrisë së Financave, kanë ‘Shpërdoruar detyrën’.
- Erion Veliaj ka angazhuar Bashkinë e Tiranës për 30 vite pa marrë vendimin e Këshillit Bashkiak.
Çfarë thuhet në denoncim:
“Bashkia e Tiranës kishte dijeni që në 2016 për kërkesën për Inceneratorin e Tiranës, dy përfaqësues në komisionin për dhënien e koncesionit”
Nga verifikimi i dokumentacionit të dosjes së Inceneratorit të Tiranës rezulton se:
1. Në 23.06.2016, me shkresën nr. 16/044 Shoqëria “Integrated Energy BV” aksionet e së cilës zotërohen nga shoqëritë “Energy Recuperator SPA”, “Paul Wurth Italia” dhe “Integrated Technology Services”, kanë depozituar pranë Ministrisë së Mjedisit një “Letër Interesi”, me anën e së cilës ka paraqitur një propozim të pakërkuar për ndërtimin e venddepozitimeve të reja, mbylljen e atyre ekzistuese, ngritjen e sistemit të riciklimit, përmirësimin e infrastrukturës për të mbajtur nën kontroll situatën ndërtimore, për Qarkun Tiranë. Shkresa Nr.16/044 i është drejtuar për dijeni edhe Bashkisë Tiranë.
Fakt i cili do të thotë se Bashkia Tiranë që në Qershor të vitit 2016, thënë ndryshe “që në krye të herës” është vënë në dijeni të një propozimi të pakërkuar për ndërtimin e Inceneratorit të Qarkut të Tiranës.
2. Me shkresën nr. 25796/1 prot, datë 01.09.2016 Bashkia Tiranë, në përgjigje të kërkesës së Ministrisë së Mjedisit për shqyrtimin të propozimit të pakërkuar, ka caktuar dy përfaqësues të saj si anëtarë të Komisionit të Dhënies së Koncesionit, dhe konkretisht Z. Taulant Tushe, Drejtor i Përgjithshëm i Bashkisë Tiranë dhe Namik Smixhiu. Ky Komision është përgjegjës për gjithë ecurinë e procedurës koncesionare, deri në firmosjen e kontratës.
Pra Bashkia Tiranë jo vetëm është në dijeni të procesit që ka nisur por tashmë është edhe pjesë e procesit duke u përfaqësuar në Komisionin e Koncensionit me dy drejtorë bashkie.
Ministria e Mjedisit kërkon miratimin e financimit nga Ministria e Financave, Financat i kërkojnë aprovimin e bashkive të Qarkut, miratimin e jep vetëm Erion Veliaj
Me shkresën nr. 5474/20 datë 27.12.2016 Ministria e Mjedisit i ka kërkuar Ministrisë së Financave miratimin paraprak për financimin e projektit dhe, referuar studimit të fizibilitetit për menaxhimin e mbetjeve të Qarkut Tiranë, i ka paraqitur planin e Pagesave që nevojitet për financimin e këtij projekti nga ku rezulton se: Ky projekt do të financohet nga a) Qeveria në shumën 130,883,750 eurove dhe b) Bashkitë e Qarkut Tiranë në vlerën 91 mln euro për 30 vjet.
Ky fakt provon në mënyrë të qartë dhe shteruese se Bashkia Tiranë dhe Kryetari i saj Erion Veliaj janë në dijeni të plotë të modelit financiar të inceneratorit të Tiranës dhe shumës konkrete që Bashkia Tiranë duhet të paguajë për 30 vitet e ardhshme.
3. Më datë 23.01.2017 me shkresën nr. 13188/3 prot., Ministria e Financave, i kthen përgjigje Ministrisë së Mjedisit, duke e refuzuar miratimin e financimit të projektit të Inceneratorit të Qarkut Tiranë, duke evidentuar disa problematika për të cilat ka kërkuar sqarime shtesë;
4. Në datë 21.02.2017, me shkresën nr. 5474/25 prot., Ministria e Mjedisit rikërkon nga Ministria e Financave miratim për projektin endërtimit të inceneratorit të Qarkut Tiranë, duke sqaruar problematikat e evidentura nga Ministria e Financave;
5. Në datë 02.03.2017, me shkresën nr. 13118/7 prot., Ministria e Financave, i kthen përgjigje Ministrisë së Mjedisit, duke kërkuar nga kjo Ministri që, meqënëse financuesi dhe përfituesi kryesor i këtij projekti është Qarku Tiranë, të merrej miratimi me shkrim nga ky Qark, referuar modelit financiar të propozuar në studimin e fizibilitetit.Nga kjo shkresë qartazi rezulton se ky projekt Koncesionar mund të vihet në jetë vetëm nëse Bashkitë e Qarkut Tiranë (5 bashkitë përbërëse) do të miratojnë financimin e këtij projekti, pasi ato do të jenë përfitueset e projektit të Incenerimit të mbetjeve sigurisht kundrejt një tarife të caktuar.
6. Në datë 28.02.2017, me shkresën nr. 5474/26 prot., Ministria e Mjedisit (shkresa e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm Z. Alqi Bllako) kërkon vetëm nga një Bashki e Qarkut Tiranë dhe konkretisht vetëm nga Bashkia Tiranë dhënien e miratimit me shkrim për vazhdimin e procedurave koncesionare, referuar modelit financiar të propozuar në studimin e fizibilitetit; Abuzim i pastër me detyrën, pasi Ministria e Financave kërkon dakordësi nga 5 Bashkitë e Qarkut Tiranë, ndërsa Bllako (sigurisht i koordinuar) ja dërgon vetëm Bashkisë Tiranë.
“Erion Veliaj jep ‘oki’ në parim pa mbledhur Këshillin Bashkiak”
Në datë 27.03.2017, me shkresën nr. 8275/1 prot., Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, pa mbledhur Këshillin Bashkiak dhe asnjë parashikim në projekt buxhetin e Bashkisë, i kthen përgjigje Ministrisë së Mjedisit, duke u shprehur parimisht dakord përsa i përket rolit të saj në këtë projekt koncesionar me modelin financiar të paraqitur në studimin e fizibilitetit;
Sinkron Erion Veliaj në komisionin hetimor: “Unë në emër të Bashkisë me një milionë banorë them vetëm jam parimisht dakord dhe pastaj kaloj në Këshill Bashkiak”.
Shkelje flagrante e ligjit për Vetëqeverisjen Vendore pasi Kryetari i Bashkisë ka zero tagër ligjor për të vendosur për miratimin e buxhetit të Bashkisë Tiranë. Kjo është kompetencë ekskluzive e Këshillit Bashkiak.Vlen të theksojmë se në të paktën dy projekte të tjera koncesionare ku rezulton se financuese dhe përfituese kryesore e projektit është Bashkia Tiranë, vendimin për dhënien e dakordësisë në parim apo qoftë edhe miratimin e draft kontratës e ka dhënë vetëm Këshilli Bashkiak i Tiranës.
“Ministria e Financave shkeli ligjin, mori për bazë vetem Bashkinë e Tiranës kur kërkoi të gjitha bashkitë e qarkut”
Pasi ka refuzuar për muaj rresht dhënien e dakordësisë për miratimin paraprak të financimit të projektit të Inceneratorit të Tiranës, Ministria e Financave është mjaftuar vetëm me dakordësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë për ti çelur rrugën prokurimit dhe konkretisht, në datë 06.04.2017, me shkresën nr. 13118/9 prot., Ministria e Financave, i kthen përgjigje Ministrisë së Mjedisit, duke u shprehur pa komente për vijimin e projektit për sa kohë kërkuar që përfituesi kryesor dhe financuesi i këtij projekti është Bashkia Tiranë (pra Qarku Tiranë është zëvendësuar me Bashkinë Tiranë); Shkelje e pastër e ligjit për menaxhimin Financiar e Ministrit të Financave.
7. Pikërisht, sapo Bashkia Tiranë (dhe jo të gjitha Bashkitë e Qarkut) ka dhënë dakordësinë e saj, për sa i përket rolit të saj në këtë projekt koncesionar, në mbledhjen e datës 12.04.2017 Komisioni i Dhënies me Koncesion të kësaj procedure ka evidentuar këtë fakt, duke i hapur rrugën procedurës së tenderit.
Edhe ky element provon qartazi se sa thelbësore ka qenë dakordësia e Bashkisë Tiranë për vijimin e projektit, thënë ndryshe Erion Veliaj, me firmën e tij të paligjshme ka ndryshuar fatin e koncesisonit të Inceneratorit të Tiranës.
“Komisioni i Dhënies me koncesion kërkoi vendimin e Këshillit Bashkiak, kërkesa u kundërshtua nga Taulant Tushe dhe Namik Simixhiu”
Në datë 31.08.2017, Komisioni i Dhënies me koncesion, ka zhvilluar mbledhje lidhur me negocimin e kontratës me përfaqësuesit e shoqërisë “Integrated Energy BV”. Në këtë mbledhje kryetarja dhe dy anëtarë të Komisionit të Dhënies me Koncesion (përfaqësuesit e ATRAKO) kanë kërkuar miratimin e Kontratës koncesionare me Vendim të Këshillit Bashkiak, por ky propozim i tyre nuk u mbështet nga anëtarët e tjerë të Komisionit të Dhënies me Koncesion dhe konkretisht nga përfaqësuesit e Bashkisë Tiranë Taulant Tushe dhe Namik Simixhiu, duke u shprehur se nuk është i nevojshëm miratimi i kontratës me vendim të Këshillit Bashkiak.
Pa diskutim që përfaqësuesit e Bashkisë Tiranë anëtarë të Komisionit të Koncesionit, do të refuzonin për miratimin e kontratës koncesionare me Vendim të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë, pasi nëse do të vepronin ndryshe do të zbulonin paligjshmërinë e firmës së kryetarit të tyre.
“Pasi u dha koncesioni Erion Veliaj shkoi në Këshillin Bashkiak për të marrë miratimin e financimit, ndryshoi tabelat e programit buxhetor dhe nuk miratoi dot financimin”
I vetëdijshëm se kishte shkelur ligjin, Erion Veliaj shkoi në këshillin Bashkiak për të marrë miratimin e financimit të inceneratorëve, e për këtë Veliaj ka gënjyer edhe publikisht e nën betim përpara Komisionit Hetimor te incenetatorëve, pasi me VKB-në 106 datë 28.09.2016 janë ndryshuar tabela bashkalidhur programit buxhetor dhe nuk ka miratuar buxhetin që duhet të përballonte shpenzimet për inceneratorët.
Sinkron Veliaj lexon në komision vendimin e këshillit bashkiak datë 28.9.2107: “Këshilli Bashkiak me këtë vendim 106 datë 28.09.2017 ka marrë vendime dhe ka një pikë që quhet pika “g” që ka të bëjë me angazhimin e Bashkisë së Tiranës për landfillin.”
Por ky vendim i Këshillit Bashkiak është marrë 1 muaj pasi ishte miratuar kontrata e koncesionit të inceneratorit dhe bashkia e Tiranës ishte futur tashmë në angazhim financiar 91 milionë euro.
Erion Veliaj ka shkelur qëllimisht ligjin duke e futur Bashkinë e Tiranës në një angazhim financiar 91 milionë euro vetëm me firmën e tij, pa marrë më parë miratimin e Këshillit Bashkiak. Vendimi i Këshillit Bashkiak një muaj pasi ishte miratuar kontrata koncesionare është prova më flagrante e shkeljes së ligjit nga kryetari i Bashkisë së Tiranës. E në këtë vendim Këshilli Bashkiak ka vënë në dispozicion 15 milionë lekë për këtë projekt, ndërkohë që Erion Veliaj me firmën e tij ka firmosur 91 milion euro pa vendim të Këshillit Bashkiak.
“Erion Veliaj dhe Alqi Bllako pas kërkesës së Ministrisë së Financave kanë ‘Shpërdoruar detyrën’”
Shkeljet e procedurës lidhur me Erion Veliaj
1) Autoriteti Kontraktues ka zhvilluar procedurën koncesionare, pa marrë më parë miratimin e Qarkut Tiranë, i cili ka në përbërje Bashkitë Tiranë, Kamëz, Vorë, Kavajë dhe Rrogozhinë.
Ashtu sic është sqaruar mësipër rezulton se studimi i fizibilitetit është hartuar dhe dorëzuar për Qarkun Tiranë, po ashtu edhe në studim fizibiliteti parashikohet se financimi i këtij projekti do të kryhet nga a) Qeveria dhe b) Bashkitë e Qarkut Tiranë.
Meshkresën nr. 13118/7 prot., Ministria e Financave, i ka kërkuar Ministrisë së Mjedisit, që meqënëse përfituesi kryesor i këtij projekti është Qarku Tiranë (pra të gjitha njësitë vendore të këtij Qarku), do të merrej miratimi me shkrim nga ky Qark, referuar modelit financiar të propozuar në studim fizibiliteti. Ndërkohë që Ministria e Mjedisit dhe konkretisht ish-Sekretari i Përgjithshëm i kësaj Ministrie Z. Alqi Bllako në kundërshtim me kërkesën eMinistrisë së Financave, i është drejtuar vetëm një njësie vendore të Qarkut Tiranë dhe konkretisht vetëm Bashkisë Tiranë. Bashkia Tiranë, e cila po ashtu ka vepruar në kundërshtim me ligjin, me shkresën nr. 8275/1 prot., datë 27.03.2017, i ka kthyer përgjigje Ministrisë së Mjedisit, duke u shprehur parimisht dakord me modelin financiar të paraqitur në studimin e fizibilitetit, ndërkohë që kjo Bashki duhej të evidentonte faktin se studimi i fizibilitetit paraqiste angazhimin financiar për të gjitha Bashkitë pjesë përbërëse të Qarkut Tiranë. Referuar studimit të fizibilitetit të projektit koncesionar, rezulton se dakordësia për financimin e projektit duhet të jepet nga përfituesit dhe financuesit e këtij projekti që në rastin konkret janë të gjitha bashkitë pjesë përbërëse të Qarkut Tiranë, pasi ky projekt parashikon trajtimin e mbetjeve të të gjithë njësive vendore të Qarkut Tiranë dhe jo të Bashkisë Tiranë. Këto veprime, si të Autoritetit Kontraktor ashtu edhe të Bashkisë Tiranë janë në rastin më të mirë për to – paaftësi në përmbushjen e detyrave me pasoja të rënda financiare (në kuptimin penal janë shpërdorim detyre) dhe në rastin më të keq përbëjnë Mashtrim të Institucioneve Shtetërore. Në nenin 42 “Mbështetja financiare” të Ligjit 125/2013 “PËR KONCESIONET DHE PARTNERITETIN PUBLIK PRIVAT” i ndryshuar parashikohet se: “Projekti që ka nevojë për mbështetje financiare, siç përcaktohet nga studimi i fizibilitetit, kërkon një miratim paraprak nga Ministria e Financave, në lidhje me përballueshmërinë, qëndrueshmërinë dhe fizibilitetin fiskal, domethënë ndikimetdherisqetfiskale të menjëhershme dhe urgjente.” Referuar këtij parashikimi ligjor, rezulton se dhënia e miratimit financiar, është kusht thelbësor për vijimin e projekteve koncesionare që kërkojnë anagazhim financiar të buxhetit të Shtetit.
Në këtë rast përgjegjësia ligjore bie drejtëpërdrejtë mbi Ish – Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit Z. ALQI BLLAKO, si dheKryetarin e Bashkisë Tiranë ERION VELIAJ, pasi me veprimet e tyre të drejtëpërdrejta kanë shkeluar haptazi dhe nuk kanë zbatuar detyrimet e parashikuara në bazën ligjore të sipërcituar, duke kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
“Erion Veliaj ka angazhuar Bashkinë e Tiranës për 30 vite pa marrë vendimin e Këshillit Bashkiak”
2) Në kundërshtim të plotë me Ligjin nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, Kryetari i Bashkisë Tiranë ka dhënë miratimin për projektin e studimit të Fizibilitetit, miratim i cili e ngarkon Bashkinë Tiranë me një pagesë që fillon me 1 milion Euro vitin e parë të projektit dhe përfundon me 5.1 milion euro në vitin e 30-të të projektit, në total 91,784,500 Euro pa Tvsh për 30 vitet e kohëzgjatjes së kontratës së koncesionit , pa marrë miratimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Në nenin 41 “Buxheti i njësive të vetëqeverisjes vendore dhe programi buxhetor afatmesëm” të Ligjit 139/2015, parashikohet se:
1. Njësitë e vetëqeverisjes vendore hartojnë dhe miratojnë buxhetin vjetor e programin buxhetor afatmesëm, sipas legjislacionit në fuqi që rregullon sistemin buxhetor dhe financat vendore.
2. Për qëllime të transparencës e të respektimit të ligjit, buxheti i njësive të vetëqeverisjes vendore duhet të përmbajë:
a) parashikimin e të ardhurave dhe shpenzimet e propozuara në secilën kategori shpenzimesh, përfshirë shlyerjen e borxhit të njësisë së vetëqeverisjes vendore;……………..
Më tej akoma, në gërmën “dh” të nenit 54 “Detyrat dhe kompetencat e këshillit bashkiak” të Ligjit 139/2015 parashikohet se: Këshilli Bashkiak ka këto detyra dhe kompetenca:
dh) miraton buxhetin dhe ndryshimet e tij. Në vendimin për miratimin e buxhetit miraton, gjithashtu, edhe numrin e maksimal të punonjësve të bashkisë, si dhe të njësive e institucioneve buxhetore në varësi të bashkisë;
Referuar bazës ligjore të sipërcituar rezulton e qartë dhe shterues fakti se Institucioni i Ngarkuar me Ligj për miratimin e buxhetit të Bashkisë është Këshilli Bashkiak dhe jo Kryetari i Bashkisë dhe rrjedhimisht, angazhimi i Kryetarit të Bashkisë Tiranë për të ngarkuar Buxhetin e kësaj Bashkie për 30 vitet e ardhshme me një pagesë prej 90 milionë euro është në kundërshtim të hapur me parashikimet ligjore të sipërcituara.
Në këtë rast përgjegjësia ligjore bie drejtëpërdrejtë mbi KRYETARIN E BASHKISË TIRANË Z.ERION VELIAJ, pasi me veprimet e tij të drejtëpërdrejta ka shkeluar haptazi dhe nuk ka zbatuar detyrimet e parashikuara në bazën ligjore të sipërcituar, duke kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës.