Shqipëria dhe Bashkimi Evropian mbajnë sot Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes tyre në Bruksel që shënon hapjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësim të vendit tonë në Bashkimin Evropian.
Por cilat hapa duhet të ndjekë vendi ynë dhe cilat janë përfitimet i sjell vendit tonë hapja e negociatave?
Për të qenë anëtar i Bashkimit Evropian, duhet që vendet kandidatë të përafrojnë legjislacionet e tyre përkatëse me atë të BE-së, i njohur ndryshe si “acquis comunitaire”. Ky acquis përbëhet nga 35 kapituj apo fusha të ndryshmë të cilat përfshijnë politikat monetare, transportin, energjinë, politikat sociale, mjedisin, etj. Ajo që mbetet e rëndësishme për tu theksuar është se secili prej këtyre kapitujve negociohet me vete duke marrë në konsideratë ecurinë dhe progresin e arritur në reformat e ndërmarra.
Acquis communautaire (shqip: Akti Komunitar) nënkupton bazën ligjore të Bashkimit Evropian, e cila është në ndryshim të vazhdueshëm. Ajo përfshin parimet dhe objektivat politike të traktateve; legjislacionin e përshtatur në zbatim të tyre si dhe jurisprudencën e Gjykatës së drejtësisë; deklaratat dhe rezolutat e miratuara në kuadrin e Bashkimit Evropian; aktet e ndryshme të miratuara në fushën e drejtësisë, të çështjeve të brendshme, të politikës së jashtme dhe të sigurisë; marrëveshjet ndërkombëtare të Komunitetit si dhe marrëveshjet e lidhura midis vetë vendeve anëtare në fushat e veprimtarisë së BE-së. Pranimi i «acquis communautaire» nga vendet anëtare është parakusht për aderimin e tyre në BE. Kjo gjë nënkupton përshtatjen e legjislacioneve kombëtare me normat e KE-së dhe zbatimin e tyre që në momentin e aderimit.
Secili kapitull diskutohet më vete dhe në bazë të situatës ose ecurisë, mund të përcaktohen kritere/standarde të matshme për hapjen dhe mbylljen e secilit kapitull. Këshilli dhe vendi kandidat analizojnë ligjet kombëtare dhe ato të BE-së për të përcaktuar dallimet mes të dyjave. Këshilli më pas përcakton hapjen e bisedimeve për ‚kapitujt‛ e ligjeve, për të cilat mendon se ka një bazë të përbashkët e të mjaftueshme për bisedime. Kështu, bisedimet janë mundësia që vendet kandidate kanë për të bindur BE-në se aftësia administrative e vendit të tyre është e gatshme të zbatojë ligjin Evropian. Kapitulli quhet i mbyllur kur të dy palët kanë rënë dakord se ai është zbatuar mjaftueshëm.
Bisedimet për anëtarësim mbahen në Konferenca Ndërqeveritare Dypalëshe midis shteteve anëtare të BE-së që përfaqësohet nga ministri apo ambasadori në BE i shtetit anëtar që ka Presidencën e BE-së dhe vendit kandidat, i cili përfaqësohet nga zëvendësshefi i delegacionit të shtetit kandidat, ministri përgjegjës për çështjet e BE-së ose kryenegociatori. Takimet mbahen së paku dy herë çdo gjashtë muaj. Për secilin prej kapitujve përcaktohen qëndrime të përbashkëta diskutimi. Kur bisedimet dhe reformat shoqëruese kanë përfunduar në mënyrë të kënaqshme për të dy palët, vendi mund t’i bashkohet BE-së. Pas mbylljes së bisedimeve për të gjithë kapitujt, rezultatet e bisedimeve vendosen në një traktat anëtarësimi. Sipas rastit, sistemi i masave kalimtare u jep mundësi diskutimeve të mbyllen edhe nëse nuk është realizuar tërësisht adoptimi i acquis.
Bisedimet (Negociatat) për çdo kapitulli bazohen në elementet e mëposhtme:
Shqyrtimi – Screening. Komisioni Evropian, së bashku me vendin kandidat, kryen një kontroll të hollësishëm të politikave (të çdo kapitulli), për të përcaktuar përgatitjen e vendit kandidat. Shqyrtimi për çdo kapitull mbahet në dy faza.
Faza shpjeguese është faza ku vendi kandidat ‚mëson‛ rreth kërkesave që duhet të plotësojë.
Komisioni Evropian paraqet acquis bazuar në një listë aktesh ligjore. Takimet shpjeguese mund të zgjasin nga 1 deri në 9 ditë pune për kapitujt më voluminozë, të tilla si bujqësia apo mjedisi.
Shqyrtimi dypalësh është faza ku vendi kandidat ‘testohet’ për nivelin e të kuptuarit dhe gatishmërinë e administratës për të ndërmarrë detyrimet. Vendi kandidat shpreh qëndrimin e vet nëse e pranon ose jo acquis dhe nëse do të mund ta zbatojë atë menjëherë apo në një të ardhme. Ekspertë nga ministritë e linjës, si dhe anëtarët e grupeve të punës paraqesin nivelin e harmonizimit të legjislacionit vendas me acquis. Gjatë prezantimeve mund të identifikohen probleme të mundshme për zbatimin e acquis ose Komisioni Evropian mund të kërkojë informacion shtesë nëformë të shkruar.
Takimet mbahen në Bruksel. Në rastin e Kroacisë shqyrtimi për të gjithë kapitujt zgjati 1 vit.
Gjetjet për çdo kapitull, Komisioni ia paraqet shteteve anëtare për miratim në formën e një raporti shqyrtimi. Ato përmbajnë rekomandime nëse bisedimet mund të hapen direkt, (procedura e shkurtër) apo do të duhet të plotësohen më parë disa kushte (procedura e dytë).
Standardet për hapjen dhe mbylljen e kapitullit – zakonisht i referohen kuadrit ligjor apo strategjik të nevojshëm për përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit; ndërsa standardet për mbylljen e një kapitulli i referohen nivelit të zbatimit të legjislacionit të përafruar.
Pas konfirmimit nga ana e Komisionit Evropian dhe shteteve anëtare që standardet e hapjes janë plotësuar, Presidenca e BE-së i dërgon letër shtetit kandidat të paraqesë pozicionin e vet negociues për kapitullin përkatës. I njëjti parim zbatohet edhe kur janë vendosur standarde për hapjen dhe mbylljen e kapitullit, si dhe kur nuk ka standarde shtesë.
Përpara fillimit të bisedimeve, vendi kandidat duhet të paraqesë pozicionin e tij negociues dhe BE duhet të miratojë një qëndrim të përbashkët mbi të. Për përgatitjen e një drafti final të një pozicion negociues, kërkohet angazhimi i të gjithë ekspertizës dhe burimeve të mundshme; marrja në konsideratë e të gjitha komenteve dhe sugjerimeve për të dhënë një pasqyrë të plotë të të gjitha çështjeve kryesore me interes kombëtar dhe se si harmonizimi në këtë kapitull do të reflektojë në politikën kombëtare; konsultime jozyrtare me Komisionin Evropian, sidomos nëse standardet për hapjen janë përmbushur. Pozicionet negociuese janë një proces delikat, si në aspektin procedurial, ashtu dhe atë substancial/thelbësor. Ato përgatiten bashkërisht nga anëtarët e grupeve të punës, duke synuar përfshirjen e gjerë të ekspertizës nga administrata publike apo shoqëria civile, përpara se të miratohen përfundimisht nga Qeveria. Pas miratimit të versionit final nga Qeveria, pozicioni negociues i dërgohet Presidencës së Këshillit të BE-së nëpërmjet Misionit të vendit kandidat në Bruksel.
Bazuar në pozitën negociuese të vendit kandidatit, Komisioni Evropian përgatit një projektqëndrim të përbashkët të BE-së i cili miratohet nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Ky dokument mund të përmbajë dhe përcaktojë edhe standardet e mbylljes së kapitullit, të përcaktuara nga Komisioni ose të amenduara nga
Për shumicën e kapitujve, BE-ja do të vendosë standardet e mbylljes, (closing benchmarks procedura e tretë) të cilat duhet të përmbushen nga vendi kandidat përpara se bisedimet në atë kapitull të mbyllen.
Të dy pozicionet negociuese shkëmbehen zyrtarisht gjatë Konferencës Ndërqeveritare.
Pas konfirmimit se të gjitha standardet e mbylljes janë plotësuar, vendi kandidat përgatit një raport mbi përmbushjen e detyrimeve për kapitujt përkatës, ndërsa për palën tjetër, Komisioni Evropian përgatit një Pozicion të
Përbashkët Përmbyllës të BE-së, i cili duhet të miratohet nga Shtetet Anëtare në Këshill.
Këto dokumente shkëmbehen gjatë Konferencës Ndërqeveritare dhe kështu kapitulli përkohësisht është i mbyllur.
Për kapitullin 23 dhe 24, Komisioni ka vendosur që këto kapituj të hapen në bazë të një plan veprimi me standarde të përkohshme, (interim benchmarks – procedura e katërt) të cilat duhet të plotësohen përpara se të vendosen standardet e mbylljes.
Mbyllja e kapitujve. Bisedimet (negociatat) për çdo kapitull të veçantë nuk mbyllen derisa çdo qeveri e vendeve të BE-së të jetë e kënaqur me përparimin e vendit kandidat në atë fushë/sektor, sipas analizës/vlerësimit nga Komisioni Evropian.
I gjithë procesi i bisedimeve (negociatave) është i lidhur me mbylljen e çdo kapitulli.
Në rastin e Kroacisë, bisedimet për anëtarësim zgjatën 6 vjet, gjithsesi ritmi i bisedimeve varet nga shpejtësia e reformave dhe harmonizimit me ligjet e BE-së, prandaj dhe kohëzgjatja e bisedimeve ndryshon dhe nuk ka garanci se kur do të mbyllen. Ajo që dihet është se kapitulli 23 dhe 24 do të hapen të parat dhe do të mbyllen të fundit, gjë që do të përcaktojë ecurinë e procesit të anëtarësimit.
Dy kapitujt e parë që negociohen janë lëvizja e lirë e mallrave dhe njerëzve, si dhe tregu i lirë i punës.
Kapitulli i parë quhet “Lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave”. Në këtë kapitull theksohet se “Parimi i lëvizjes së lirë të mallrave nënkupton që produktet duhet të tregtohen lirisht nga një pjesë e Bashkimit në një tjetër”.
Në një numër sektorësh, ky parim i përgjithshëm plotësohet nga një kuadër rregullator i harmonizuar. Duke ndjekur vendosjen e specifikimeve të produktit ose rregullimin e standarteve. Që do të thotë çdo mall që eksportohet në BE, duhet të ketë të gjitha kërkesat që kërkon Komisioni. Ku përfshihen marka, siguria etj.
Legjislacioni i harmonizuar i produkteve europiane, përfaqëson pjesën më të madhe të acquis comunitare. Përveç kësaj, kapacitetet administrative janë thelbësore për të bërë të mundur negocimin. Pra çdo subjekt shqiptar që eksporton në BE duhet të plotësojë kërkesat që kërkon BE-ja.
Një tjetër fushë që mund të përfitojnë shqiptarët në mënyrë afatshkurtër është tregu europian i punës.
Acquis Comunitaire nën këtë kapitull parashikon që shqiptarët kanë të drejtë të punojnë në një shtet të BE.
Punëtorët emigrantë të BE-së duhet të trajtohen në të njëjtën mënyrë si punëtorët vendas. Në lidhje me kushtet e punës, avantazhet sociale dhe tatimore.
Ky nen përfshin një mekanizëm për koordinimin e dispozitave kombëtare të sigurimeve shoqërore, për personat e siguruar dhe anëtarët e tyre të familjes që lëvizin në një Shtet tjetër Anëtar.
Shtetet Anëtare duhet të sigurojnë që ligji kombëtar Acquis gjithashtu harmonizon rregullat në lidhje me profesionet e rregulluara për të siguruar njohjen reciproke, kualifikimeve dhe diplomave ndërmjet Shteteve Anëtare.
Për disa profesione të rregulluara, duhet të ndiqet një program minimal trajnimi me qëllim që kualifikimi, sa i përket shërbimeve postare, acquis gjithashtu synon të hapë sektorin e shërbimeve të postës në mënyrë graduale.
Këto janë përfitimet e para që mund të firmosen që në vitin e parë. Më pas nis negocimi për kapitujt e tjerë që janë më teknikë.
35 kapitujt që do të negociohen mes Shqipërisë dhe BE.
Kapitulli 1: Lëvizja e Lirë e Mallrave
Kapitulli 2: Liria e Lëvizjes së Punëtorëve
Kapitulli 3: E Drejta e Vendosjes dhe Liria për të ofruar Shërbime
Kapitulli 4: Lëvizja e Lirë e Kapitalit
Kapitulli 5: Prokurimi Publik
Kapitulli 6: E Drejta e Shoqërive Tregtare
Kapitulli 7: E Drejta e Pronësisë Intelektuale
Kapitulli 8: Politika e Konkurrencës
Kapitulli 9: Shërbimet Financiare
Kapitulli 10: Shoqëria e Informacionit dhe Media
Kapitulli 11: Bujqësia dhe Zhvillimi rural
Kapitulli 12: Politika e Sigurisë Ushqimore, Veterinare dhe Fitosanitare
Kapitulli 13: Peshkimi
Kapitulli 14: Politikat e Transportit
Kapitulli 15: Energjia
Kapitulli 16: Tatimet
Kapitulli 17: Politika Ekonomike dhe Monetare
Kapitulli 18: Statistikat
Kapitulli 19: Politika Sociale dhe Punësimi
Kapitulli 20: Ndërmarrjet dhe Politika Industriale
Kapitulli 21: Rrjetet Trans-Evropiane
Kapitulli 22: Politikat Rajonale dhe Koordinimi i Instrumenteve Strukturorë
Kapitulli 23: Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore
Kapitulli 24: Drejtësia, liria dhe siguria
Kapitulli 25: Shkenca dhe Kërkimi
Kapitulli 26: Arsimi dhe kultura
Kapitulli 27: Mjedisi dhe Ndryshimet Klimaterike
Kapitulli 28: Mbrojtja e Konsumatorit dhe Shëndetit
Kapitulli 29: Bashkimi Doganor
Kapitulli 30: Marrëdhëniet me Jashtë
Kapitulli 31: Politika e Jashtme, e Sigurisë dhe e Mbrojtjes
Kapitulli 32: Kontrolli Financiar
Kapitulli 33: Dispozitat Financiare dhe Buxhetore
Kapitulli 34 – Institucionet
Kapitulli 35 – Çështje të tjera
/ata/