I dërguari special i Qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, paralajmëron për rreziqet që vijnë nëse nuk ka progres në çështjen e zgjerimit të BE.
Në një intervistë për “Deutsche Welle”, Manuel Sarrazin, tha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të marrin aprovimin për mbledhjen e parë ndërqeveritare, pasi kërcënimi rus në rajon është i madh.
“Maqedonia e Veriut do të jetë një objektiv kyç i dezinformatave ruse, por jo vetëm, gjë që për ne mund të jetë krah strategjikisht i hapur ndaj ndikimeve. Prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme për momentin që më në fund të çelen negociatat me të dyja vendet”, tha Sarrazin.
Ai ka folur edhe për Ballkanin e Hapur, ku e ka rrëzuar këtë nismë. “Në thelb, unë jam shumë skeptik për Ballkanin e Hapur. Duhet të jetë e qartë se iniciativat në rajon së pari duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe të ofrojnë mundësi reale për t’u përfshirë në to. Dhe nga ana tjetër, është e rëndësishme që të mos hapen struktura paralele. Përveç kësaj, duhet të jetë gjithmonë e qartë se në asnjë mënyrë ato nuk e zëvendësojnë anëtarësimin në BE”, tha ai.
Manuel Sarrazin, 40 vjeç, ka qenë deputet i Bundestagut për Bündnis 90/Die Grünen nga viti 2008 deri në vitin 2021 dhe është President i Shoqërisë së Evropës Juglindore, institucioni më i rëndësishëm i konsultimit akademik dhe politik për çështjet e Ballkanit në Gjermani. Që nga 1 marsi 2022, ai është përfaqësuesi special i Qeverisë Federale Gjermane për Ballkanin Perëndimor.
-Z. Sarrazin, Komisioni i BE-së vendosi në një kohë rekord për statusin kandidat për Ukrainën dhe Republikën e Moldavisë. Si e komentoni këtë rekomandim në lidhje me Ballkanin Perëndimor?
Manuel Sarrazin: Nga këndvështrimi im, nëse komisioni i BE-së dhe i Këshilli i Bashkimit Evropian i bën të besueshme politikat e zgjerimit, kjo është e mirë për vendet e Ballkanit Perëndimor, sepse flet për rëndësinë gjeostrategjike e zgjerimit të BE-së dhe se procesi i zgjerimit vijon.
-Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova mbeten jashtë. Çfarë duhet t’u ofrohet këtyre dy shteteve?
Premtimi për zgjerim i bërë në Samitin e Selanikut të vitit 2003 vlen ende. Për Bosnjë-Hercegovinën mbeten të plotësohen 14 prioritetet thelbësore dhe të zbatohen reformat, në mënyrë që t’i jepet statusi i kandidatit. Në Kosovë qeveria është duke bërë reforma dhe ne duam t’i shpërblejmë. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një nga ato hapa të domosdoshëm që duhet vijojë. Por edhe dialogu i normalizimit me Serbinë duhet të rifillojë dhe të dyja palët duhet të jenë të gatshme për progres.
-Serbia vazhdon të importojë gaz dhe drithë nga Rusia dhe ta dërgojë atë në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe gjithashtu në vendet e BE-së. A mos duhet më shumë kondicionim në drejtim të Serbisë?
Ne importojmë vetë gaz. Kështu që duhet pasur kujdes, që t’ia bëjmë të qartë presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se presim që ai të mbështesë sanksionet e BE-së kundër Rusisë, por gjithashtu të mos i japim mundësinë të thotë se po i shuajmë dritat në vendin e tij, sepse edhe ne kujdesemi që vendimet që marrim të jenë ekonomikisht të arsyeshme.
-Serbia është në qendër të dezinformatave ruse dhe luftës hibride që po përhapet në të gjithë rajonin. Çfarë sugjeroni si masa për të frenuar këtë ndikim?
Masa më e rëndësishme kundër kësaj është besueshmëria e premtimit të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Prandaj është kaq e rëndësishme që më në fund t’i korrigjojmë këto gabime që kemi bërë me politikat e zgjerimit, liberalizimin e vizave dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe të tregojmë se kur bën progres, Evropa i mban premtimet.
-Duket se nuk do të ketë progres as me çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. A nuk duhet të ndahen dy kandidatët dhe të fillojnë negociatat me Shqipërinë?
Ju sapo folët për dezinformimin rus. Maqedonia e Veriut do të jetë një objektiv kyç i dezinformatave ruse, por jo vetëm, gjë që për ne mund të jetë krah strategjikisht i hapur ndaj ndikimeve. Prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme për momentin që më në fund të çelen negociatat me të dyja vendet.
-Duke qenë se procesi i zgjerimit po ecën me shumë ngadalë, po zhvendoset gjithnjë e më në plan të parë ideja e bashkëpunimit rajonal të quajtur Ballkani i Hapur. Çfarë mendoni për këtë koncept?
Në thelb, unë jam shumë skeptik për Ballkanin e Hapur. Duhet të jetë e qartë se iniciativat në rajon së pari duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe të ofrojnë mundësi reale për t’u përfshirë në to. Dhe nga ana tjetër, është e rëndësishme që të mos hapen struktura paralele. Përveç kësaj, duhet të jetë gjithmonë e qartë se në asnjë mënyrë ato nuk e zëvendësojnë anëtarësimin në BE.
-Një tjetër format është Procesi i Berlinit, i cili nuk ka pasur asnjë sukses të madh vitet e fundit. Çfarë ofroni konkretisht që ai të bëhet një format tërheqës për vendet e Ballkanit Perëndimor?
Procesi i Berlinit ka qenë gjithmonë një format tërheqës. Ne kemi arritur shumë, për shembull me zyrën e të rinjve RYCO. Ne kemi katër marrëveshje në tryezë që do të bënin një hap të madh drejt zhvillimit të një tregu të përbashkët rajonal. Ne ofrojmë rifillimin e punës për të arritur këto synime të vlefshme për të gjithë, me fuqi të reja dhe me tema të reja. Qeveria e re federale është e vendosur të përkujdeset në mënyrë intensive për rajonin gjatë gjithë mandatit të saj. Do të kemi një angazhim afatgjatë dhe strategjik.
-Gjermania synon të marrë pjesë sërish në misionin EUFOR Althea në Bosnje dhe Hercegovinë pas një pauze dhjetëvjeçare. Çfarë sinjali lidhni me këtë?
Ishte shumë e rëndësishme për ne si qeveri federale që ia propozuam Bundestagut për ta bërë të qartë se Gjermania është e gatshme të angazhohet në politikat e sigurisë në Bosnje dhe Hercegovinë. E dyta është se është e rëndësishme për ne që zgjedhjet në tetor 2022 të zhvillohen në një mjedis të sigurt dhe të besueshëm.
-Katër muaj më parë ju morët detyrën e Të Ngarkuarit të Qeverisë Federale për Ballkanin Perëndimor. A i shihni sot gjërat pak më ndryshe nga koha kur keni filluar mandatin?
Do të kisha dashur që përvoja e tmerrshme e luftës ruse të kishte ndikuar që më shumë aktorë kyçë në rajon t’i ndryshonin, dhe e jo t’i përforconin sjelljet e mëparshme. Duhet të dimë se “miqtë” tanë në Kremlin e dinë mirë se në rajon mund të nxiten shumë gjëra negative. Prandaj do t’u kërkoja të gjithëve që sa më shpejt të jetë e mundur të kemi sa më shumë bashkëpunim dhe deklarata pozitive, përpara se Kremlini të përpiqet të përfitojë nga grindjet tona, nga mungesa e unitetit mes nesh dhe brenda rajonit.