“Qëllon që edhe unë të besoj që në të vërtetë Kosova për Putinin dhe Rusinë është peng jo në solidaritet apo për hir të Serbisë, por për një qëllim shumë më të madh që sot shfaqet me sulmin ndaj Ukrainës si karshillëk i hapur ndaj rendit botëror aktual dhe ndaj ligjit ndërkombëtar”. Kështu u shpreh këtë të hënë, kryeministri Edi Rama i cili mori pjesë në promovimin e librit të ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj. Kryeministri Rama tha se kërkohet që të diskretitohet UÇK dhe këtë e konsideroi një “tmerr të pakrahasueshëm”. Sipas tij, është e pabesueshme, që Hashim Thaçi u arrestua si President në detyrë pa asnjë akuzë. Po ashtu, Rama u shpreh se mund të jetë e mundur që Perëndimi të ketë rënë në një grackë të Rusisë sa i përket çështjes së Kosovës dhe ngritjes së Gjykatës Speciale.
Ai u shpreh se akuzat për trafikim organesh janë përrallë e Rusisë. Dhe këtë, Rama theksoi se Moska e përdor sa herë që Shqipëria e ngre si çështje në Këshillin e Sigurimit. Madje për kreun e qeverisë, Rusia edhe në luftën ndaj Ukrainës ka hedhur akuza për trafik organesh. Kryeministri u shpreh se tashmë qeveria që drejton ai do të shtrojë një pyetje para liderëve perëndimore, duke përmendur këtu Biden, Johnson, Scholz e Macron në lidhje me Gjykatën Speciale dhe raportin e Dick Marty-t. Sipas Ramës, Biden duhet të njihet me kë çështje dhe Shtëpia e Bardhë duhet të reflektojë.
“Putini e ka përsëritur më shumë se 1 herë se ajo që ka bërë NATO në Kosovë është e pajustifikueshme dhe më shumë se sa një herë ka lënë të kuptohej se erdhi koha që atë që keni bërë ju ta provoni tani që po e bëj unë, Rusia. Dhe tek fabrika e gënjeshtrave, gënjeshtra më e madhe është gënjeshtra për UÇK dhe është një gënjeshtër e cila është projektuar me një strategji. Nuk ka filluar me gjykatën, ka filluar shumë kohë më parë dhe ka pasur qartësisht qëllimin që diskretitimin e UÇK ta çojë deri në pikën e pabesueshme të ngritjes së një Gjykate Speciale me duart e vetë Kosovës, me mbështetje, nxitjen, presionin, detyrimin, imponimin e aleatëve perëndimorë dhe me rezultat diçka të pandodhur më parë në historinë e të drejtës ndërkombëtare, arrestimin e një presidenti në detyrë pa akuzë dhe mbajtjen në burg të një presidenti pa akuzë. Imagjinoni sikur cilido nga vendet e kanë mbështetur dhe sponsorizojnë tribunalin t’iu kapej presidenti pa akuzë dhe t’i mbyllej brenda dhe t’i thojë prit tani atje sa ti dalë akuza.
Surpriza më e madhe që duhet t’i bëjë të reflektojnë shumë që nga miqtë tanë të paçmueshëm amerikanë tek të gjithë miqtë e tjerë perëndimorë të cilët janë autorët ose bashkautorët e çlirimit të Kosovës është Shtëpia e Verdhë dhe Tribunali. Doli një Shtëpi e Verdhë, u mbush bota me veshka dhe mëlçi që Hashim Thaçi bashkë me Kadri Veselin dhe gjithë të tjerëve ua hiqnin nga trupi i serbëve dhe shqiptarëve që kishin inat dhe i shisnin nëpër pazaret e peshkut apo të mishit në Europë. Një tmerr i pakrahasueshëm për të diskretituar totalisht një luftë çlirimtare.
Mirëpo tani ka një pyetje për të cilën sa më takon, ne si qeveri, si shumicë parlamentare në Shqipëri do të bëjmë çmos ta vendosim mu përballë të gjithëve, që nga Joe Biden që është mik i Kosovës, tek Boris Johnson, tek Olaf Scholz dhe të tjerë me radhë, kuptohet duke përfshirë Macron e kë të doni ju. Si shpjegohet që një tribunal i ngritur si rezultat fundor i një raporti që mori bekimin e Këshillit të Europës, me gjithë akuzat që kishin në qendër Shtëpinë e Verdhë kanë nxjerrë një aktakuzë ku nuk ka asgjë, zero lidhje, as me Shtëpinë e Verdhë, as me organe, as me jorgane, as me asnjë gjë tjetër? Dhe çfarë lidhje ka midis Dick Marty-t, jo si person, se s’kam asnjë respekt për atë person dhe më vjen keq se duhet t’i zë emrin, mes asaj që përfaqëson si prodhim, çfarë lidhje ka me faktin që edhe sot që flasim kur Shqipëria në Këshillin e Sigurimit ngre çështjen e llogaridhënies ndërkombëtare, Rusia kundërvihet me trafikun e organeve dhe me Dick Marty-n. Si shpjegohet që përralla e trafikut të organeve është një përrallë që përdoret nga rusët edhe në raste të tjera. Ka dalë edhe në luftën me Ukrainën çështja e trafikut të organeve nga ana e segmenteve të caktuara të forcave ushtarake ukrainase në dëm të popullsisë ruse.
Unë nuk jam aspak i dhënë pas teorive të konsiparcionit dhe nuk kam qëllim që të kthej një teori konspirative në një demarsh shtetëror, por janë gjëra shumë të rënda në kontekstin e luftës së sotme dhe për sa na takon ne si shqiptarë mendoj që për ta merituar ne, të paktën ne që flasim shqip dhe kemi privilegjin e mikrofonave dhe kamerave, për ta merituar ne këtë duhet të mos e pranojmë më absolutisht këtë farsë me Hashim Thaçin, me Kadri Veselin, me Rexhep Selimin, me Jakup Krasniqin dhe me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Le të bëjnë gjyq me fakte dhe me prova, nuk kemi punë me këtë pjesë. Kemi punë me korpusin politik që i dha jetë kësaj gjykate. Jemi të vegjël për t’i kërkuar SHBA të të reflektojnë, por për hir të së vërtetës, Shtëpia e Bardhë duhet të reflektojë për këtë çështje. Presidenti i SHBA duhet të njihet me këtë çështje dhe duhet ta udhëheqë këtë reflektim të madh sepse këtu nuk është e pamundur që i gjithë ky komunitet i madh vendesh të ketë rënë në një grackë të ngritur nga Rusia. Por edhe në mos qoftë një grackë e ngritur nga Rusia në mënyrë si të thuash me një plan të qartë dhe të ndjekur hap pas hapi që ka shumë mundësi, e gjithë mundësia si është ndërtuar kjo, praktikisht sot i shërben Rusisë, nuk i shërben, perëndimit, as demokracisë, as viktimave të luftës, fare. Zero!”, tha Rama.