Ish-deputeti Halit Valteri kallëzon në SPAK presidentin Ilir Meta pas lajmit të publikuar nga media austriake për lobim.
Përveç presidentit Ilir Meta, Valteri ka paralajmëruar se do të padisë në SPAK dhe Monika Kryemadhin dhe Vangjel Tavon.
Ai i akuzon ata për korrupsion aktiv dhe pasiv në sektorin privat, për fshehje të pasurisë, mospagim të taksave dhe tatimeve dhe shpërdorim detyre.
”Janë paguar qindra mijë euro për lobim, artikujt e Mother Jones dhe gazetës autriake kanë bërë publike fatura me vlerë qindra mijëra euro në shërbim të pasurisë. Meta, Kryemadhi dhe Tavo që do të kallëzohen në ditët në vijim do të përballet me fakte konkrete ku paratë e marra nga korrupsioni kanë bërë këto transferta shtetërore. Institucionet shtetërore flenë gjumë, ku korrupsioni gjatë kohës që kanë qeverisur dhe nuk janë dënuar për aferat e shumta. Të dhënat i kam nga gazetarë të huaj”, tha Valteri.
***
KALLËZIMI
Tiranë, më 07.06.2022
KALLËZIM PENAL
KALLËZUES: Halit Xhezar Valteri, lindur më datë 21.05.1991 në Fier dhe banues në Tiranë .
KUNDËR: 1. Z. Ilir Meta – President i Republikës së Shqipërisë,
- Znj.Monika Kryemadhi – Deputete e Kuvendit të Shqipërisë
- Z.Vangjel Tavo – Ish Deputet i Kuvendit të Shqipërisë,
- Z.Iraklis T. Fidetzis – Administrator i kompanisë Dorelita Limited me seli në
Qipro.
OBJEKTI: Kërkohet fillimi i procedimit penal dhe kryerja e hetimeve ndaj shtetasve të sipërpërmendur, për kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni aktiv në sektorin privat” parashikuar nga neni 164/a i K.Penal; “Korrupsioni pasiv në sektorin privat” parashikuar nga neni 164/b i K.Penal; “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga neni 180 i K.Penal; “Mospagimi i taksve dhe tatimeve” parashikuar nga neni 181 i K.Penal; “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal,“Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a i K.Penal; “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i K.Penal; “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i K.Penal.
BAZA LIGJORE: Kodi i Procedurës Penale të RSH: Nenet 25, 75/a, 149, 150, 151, 152, 153 deri
165, 228, 229, 244, 277, 279/a, 280, 281, 283, 287, 304, 331, 390.
Kodi Penal i RSH : Nenet 25, 164/a, 164/b, 180, 181, 248, 257/a, 259,
DREJTUAR: Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
Adresa: Rruga Jordan Misja, Nr 1, Tiranë 1000, Shqipëri. Email: [email protected]
Dispozita të aplikueshme
Neni 180
Fshehja e të ardhurave
“Fshehja apo shmangia nga pagimi e detyrimeve tatimore, nëpërmjet mosdorëzimit të dokumenteve ose mosdeklarimit të të dhënave të nevojshme, sipas legjislacionit në fuqi, dorëzimi i dokumenteve të falsifikuara, apo deklaratave ose informacioneve të rreme, me qëllim fitimin material, për vete apo për të tjerët, përmes përllogaritjes së pasaktë të shumës së tatimit, taksës, apo kontributit, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në tre vjet. Kur kjo vepër kryhet me qëllim fshehjen apo shmangien nga pagimi të një detyrimi tatimor me vlerë më të lartë se pesë milionë lekë, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet. Kur kjo vepër kryhet me qëllim fshehjen apo shmangien nga pagimi të një detyrimi tatimor me vlerë më të lartë se tetë milionë lekë, dënohet me burgim nga katër deri në tetë vjet”.
Neni 181
Mospagimi i taksave dhe tatimeve
“Mospagimi i taksave dhe tatimeve brenda afatit të caktuar, me gjithë mundësinë e pagimit të tyre, nga personi ndaj të cilit janë marrë më parë masa administrative për këtë qëllim, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.”
Neni 164/a
Korrupsioni aktiv në sektorin privat
“Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tjerë, personit që ushtron funksion drejtues në shoqëri tregtare ose punon në çdo pozicion në sektorin privat, për të kryer ose moskryer një veprim në kundërshtim me detyrën ose funksionin e tij, dënohet me burgim nga tre muaj deri në tre vjet.”
Neni 164/b
Korrupsioni pasiv në sektorin privat
“Kërkimi a marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt a i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi, që vjen nga përfitimi i parregullt, nga personi që ushtron funksion drejtues ose punon në çdo pozicion në sektorin privat, për të kryer ose mos kryer një veprim në kundërshtim me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet. “
Neni 248
Shpërdorimi i detyrës
“Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin,që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës,nga personi që ushtron funksione publike,kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime material ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë,nëse nuk përbën vepër tjetër penale,dënohet me burgim deri në shtatë vjet.”
Neni 257/a
Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim.
“Refuzimi për deklarimin ose mosdeklarimi i pasurisë, interesave privatë të personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim sipas ligjit, kur më parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj. Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatëtë personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.”
Neni 259
Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike
“Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt ose i një premtimi të tillë deri në vlerën 50.000 lekë ose ekuivalencën në monedhë të huaj, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga personi që ushtron funksione publike, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga dy deri në tre vjet. Po kjo vepër, kur përfitimi i parregullt ose premtimi i një përfitimi të tillë është mbi vlerën 50.000 lekë ose ekuivalencën në monedhë të huaj, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet.”
Neni 287
Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, nëpërmjet:
- a) këmbimit ose transferimit të pasurisë, me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të saj, duke ditur se kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;
- b) fshehjes ose mbulimit të natyrës së vërtetë, burimit, vendndodhjes, disponimit, zhvendosjes, pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;
- c) fitimit të pronësisë, posedimit ose përdorimit të pasurisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;
ç) kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave;
- d) investimit në veprimtari ekonomike ose financiare të parave a sendeve, duke ditur se janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale;
- dh) këshillimit, ndihmës, nxitjes ose thirrjes publike për kryerjen e secilës prej veprave të përcaktuara më sipër; dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.
Kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
E njëjta vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet me burgim. Dispozitat e këtij neni zbatohen edhe kur:
- a) vepra penale, produktet e së cilës pastrohen, është kryer nga një person që nuk mund të merret si i pandehur ose që nuk mund të dënohet;
- b) ndjekja penale për veprën, produktet e së cilës pastrohen, është parashkruar ose amnistuar;
- c) personi që kryen pastrimin e produkteve është i njëjtë me personin që ka kryer veprën, nga e cila kanë rrjedhur produktet;
ç) për veprën penale, nga e cila kanë ardhur produktet, nuk është filluar asnjëherë çështja penale apo nuk është dhënë një dënim me vendim penal të formës së prerë;
- d) vepra penale, produktet e së cilës pastrohen, është kryer nga një person, pavarësisht shtetësisë së tij, jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe është njëkohësisht e dënueshme, si në shtetin e huaj, ashtu edhe në Republikën e Shqipërisë. Dijenia dhe qëllimi, sipas paragrafit të parë të këtij neni, nxirren nga rrethana fakti objektive.”
I/E nderuar z/zj. Prokuror/e!
Unë, si kallëzues, bazuar në nenin 283 të Kodit Procedures Penale depozitoj këtë kallëzim penal ndaj shtetasve të sipërpërmendur për kryerjen e veprave penale respektive, pasi jam vënë në dijeni dhe kam të dhëna të cilat ngrenë dyshime të arsyershme se nga ana e tyre janë konsumuar veprat penale të cituara më sipër .
Në bazë të fakteve të konstatuara, dokumente, sjellje, akte të cilat do t‘i përmend në vijim, ju paraqes këtë kallzim penal, duke ju bërë prezent të gjitha shkeljet me natyrë penale, të cilat pretendoj se duhet të hetohen në mënyrë të thellë e të gjithanshme, pasi ngarkojnë me përgjegjësi të rëndë ligjore të natyrës penale personat që i kanë kryer dhe që unë i kallëzoj, të përfshirë në veprime të paligjshme, në kushtet kur kanë sjellë pasoja shumë rënda interesit publik.
Mbi bazën e këtij kallzimi penal, duke i konsideruar pretendimet, të drejta e të bazuara në ligj si dhe duke besuar në vlerësimin tuaj me seriozitet, profesional e të pavarur, kërkoj:
– rregjistrimin e procedimit penal në ushtrim të ndjekjes penale si dhe ngritjen e akuzave konkrete në përfundim të hetimeve.
– procedimin e të kallëzuarve me masa në proporcion me shkeljet e kryera prej tyre dhe kërkimin për dërgimin në gjykim të çështjes penale.
Të kallëzuarit kryesorë, janë subjekte në kompetencë Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJ.K.K.O) pasi në bazë të nenit 135 pika 2 të Kushtetuës parashikohet: “Gjykatat e posaçme gjykojnë veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarit të Bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër ish-funksionarëve të sipërpërmendur”.
dhe nenit 75/a të K.Pr.Penale parashikohet: Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gjykon:
- a) krimet e parashikuara nga nenet 230, 230/a, 230/b, 230/c, 230/ç, 231, 232, 232/a, 232/b,233, 234, 234/a, 234/b, 244, paragrafi 2, 244/a, 245, 245/1, paragrafët 2 dhe 4, 257, 258, paragrafi 2,
259, paragrafi 2, 259/a, 260, 312, 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh, 319/e, 328 dhe
328/b të Kodit Penal;
- c) akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, kryetarit të bashkisë, deputetit, zëvendë sministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj;
ç) akuzat penale kundër ish-funksionarëve të mësipërm, kur vepra është kryer gjatë ushtrimit të detyrës.
SHKAQET E KALLËZIMIT
Eshtë fakt i njohur se në SHBA ekzistojnë kompani të cilat kanë si fushë të veprimtarisë së tyre lobimin. Këto kompani kontraktohen nga subjekte politike të cilët janë të interesuar për t‘u promovuar në Shtetet e Bashkuara dhe për të ngritur kauza të ndryshme. Shpesh herë këto lobime në Shqipëri janë përdorur për të disinformuar zgjedhësit dhe për të krijuar opinionin se partia e cila ka lobuar ka mbështetjen e partnerëve përtej Atlantikut. Por, kjo gjë nuk është aspak e vërtetë, pasi lobimi sinjifikon pagimin e nje kompanie që kryesisht menaxhohen nga Ish-Senatorë për të ngritur një kauzë, ndërsa rëndom në shtetin tonë janë paguar mijëra dollarë vetëm për shkrepjen e fotove që do të shërbenin për disinformimin e zgjedhësve.
Kompanitë amerikane të lobimit kanë për detyrë të deklarojnë kontratat dhe të ardhurat që përftojnë nga lobimet që ato bëjnë. Këto kontrata deklarohen dhe online në websit-in e (FARA).
FARA është homologu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri. Detyrimi i kompanive lobuese është vetëm të deklarojnë të ardhurat që i vijnë, por logjikisht jo sesi janë përftuar këto të ardhura nga kontraktuesi .
Duke marrë shkas nga shumë denoncime të ndryshme të bëra publike, ndër to në vitin 2018 nga gazeta prestigjoze Mother Jones dhe së fundmi nga gazeta e mirënjohur austriake Kronen Zeitung është konstatuar se një parti politike jo pak e rëndësishme në Shqipëri shpeshherë ka lobuar për kauza të rreme vetëm për faktin që me anë të parave të financuara të disinformojë zgjedhësit shqiptarë duke i bërë të mendojnë se kanë përkrahjen e Qeverisë Amerikane.
Çfarë është më e rëndësishmja dhe që përbën veprën penale, është se këto financime janë bërë nga kompani Offshore nga shteti i Qipros në sistemet bankare të cilat nuk të kërkojnë burimin e të ardhurave madje të japin mundësinë ligjore për të fshehur burimin real të të ardhurave dhe financuesit e tyre. Duke administruar kontratat e lobimit në favor të LSI, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kemi evidentuar gjithashtu se këto shpenzime nuk janë deklaruar as në bilancet e Lëvizjes Socialiste për Integrim për vitin 2017 dhe as në Deklarimin Vjetor Periodik të subjekteve deklaruese, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi për vitin 2017 .
Referuar këtyre rrethanave krijohet dyshimi i arsyeshëm se politikanë të përfolur shpeshherë për afera korruptive siç është rasti i Ilir Metës me çështjen CEZ- Dia apo edhe në çështjen e shumë përfolur të video-rregjistrimit Dritan Prifti etj, kanë përdorur para të përfituara nga aferat korruptive duke i pastruar dhe futur në sisteme bankare në rrugë të jashtëligjshme për t‘i përdorur ato për qëllime dezinformimi për votuesit shqipëtarë.
Në këtë mënyrë ata me veprimet e tyre të kundraligjshme dhe që janë shoqërisht të rrezikshme, kanë konsumuar elementet e veprës penale të pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale. Kjo vepër e cila kryhet në bashkëpunim, gjithashtu krijon dhe shmangien e taksave dhe gjithashtu bie ndesh me kodin penal për mosdeklarim të të ardhurave nga subjektet deklaruese.
RRETHANA FAKTI
Më konkretisht, së bashku me kallëzimin me shkrim bashkëlidhim dhe provat e mëposhtme:
- Kontratën e McKeon Group midis LSI dhe Ilir Meta, më datë 06/01/2017 e cila ka nënobjekt të saj shërbimet :
- Pjesmarrjen në Inagurimin e Presidentit Trump në vitin 2017.
- Planifikimin e takimeve me liderë në Washington përgjatë inagurimit të Presidentit të zgjedhur Trump.
- Pas 20 Janarit, zhvillimin e marrëdhënieve të mira dhe speciale me administratën e ardhshme dhe Kongresin.
Në kontratë parashikohen pagesat e LSI kundrejt McKeon Group në Shumën 15 000 USD në muaj, pa llogaritur këtu shpenzime të tjera ushqim, transport etj, të cilat do të shtohen sipas rasteve. Kontrata ka një kohëzgjatje 6 mujore dhe vlera totale që parashikon kontrata është 90 000 USD (+ shpenzime të tjera).
Ajo ç’ka është më interesante në këtë kontratë është se personi i autorizuar për të lidhur kontratën dhe për të perfaqësuar Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Ilir Metën me shoqërinë McKeon Group është shtetasi Iraklis T.Fidetzis, shtetas të cilin do ta hasim dhe në vijim dhe në kontrata të tjera lobuese. Kjo kontratë nuk qartëson mënyrën sesi është bërë transferimi i parave, por fakti se ky financim është i fshehur dhe jo i deklaruar në bilancin e 2017 të LSI-së dhe në deklarimet e pasurive të vitit 2017, ngre dyshimin e arsyeshëm se finacimi është bërë në mënyrë jo të ligjshme.
- Deklarimi në FARA dhe në Departamentin e Drejtësisë Washington i kompanisë McKeon Group për financimet që i janë bërë nga kontraktues të ndryshëm përgjatë vitit 2017.
Nga këto deklarime të kompanise McKeon Group faktohet se ajo është sponsorizuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Ilir Meta me qëllim lobimin për këto të fundit. Gjithashtu vërtetohet në këto deklarime se përfaqësuesi i kësaj kontrate është shtetasi Iraklis T.Fidetzis.
- Kontratën e McKeon Group me Dorelita Limited, me datë 28/03/2017, e cila ka në objekt të saj shërbimet:
-Bërjen e telefonatave nga Klienti i Shoqërisë Offshore Dorelita dhe asistimi, zhvillimi i mardhënieve me zyrat e qeverisë Amerikane.
-Menaxhimi i takimeve midis administratës Amerikane dhe Kongresit me Dorelita Limited dhe individëve të lidhur me të.
-Ndjekjen e takimeve me administratën Amerikane dhe Kongresin.
Në kontratë parashikohet pagesa e McKeon Group nga shoqëria Dorelita Limited në shumën 50. 000 USD në muaj, për shërbimet që McKeon Group do të japi ndaj klientit të Dorelita. Kontrata ka një afat 12 mujor dhe shuma totale e saj është 600 000 USD.
Pra, ashtu siç del në pah nga kontrata shoqëria offshore në shtetin e Qipros Dorelita Limited ka lidhur kontratë në vlerën 600 000 USD që McKeon Group të lobojë në favor të personit që ka kontraktuar Dorelita Limited dhe pagesat që do të bëhen për McKeon Group do të behen nga llogaritë offshore të Dorelita Limited.
Përveç gazetave prestigjoze të huaja të cilat ngrejnë dyshimet se pas shoqërisë Dorelita Limited është Ilir Meta, i cili pasi ka bërë kontratën e parë me McKeon Group ka ngritur një rrjet më të sofistikuar pastrimi parash duke e lidhur drejtpërdrejt kontratën me kompanitë offshore, krijohet dyshimi i arsyeshëm për arsyet si më poshtë:
-Personi që ka përfaqësuar Ilir Metën në kontratën e parë është Iraklis T. Fidetzis, po i njëjti person rezulton edhe në këtë kontratë si firmëtar, gjithashtu dhe pronar i shoqërisë Dorelita Limited.
-Fakti se më datën 29 Prill 2017, pra një muaj pas kontratës së McKeon Group dhe Dorelita Limited shoqëria McKeon Group ka postuar në llogarine e saj në facebook foto të Ilir Metës me Howard Buck McKeon (pronari i kompanisë McKeon Group), gjë e cila fakton vazhdimin e marrëdhënieve midis Ilir Metës dhe shoqërisë lobuese.
-Fakti se Dorelita Limited është shitur nga një pronar në një tjetër, një muaj para datës së lidhjes së kontratës në vlerë 1000 euro.
Shoqëria Dorelita Limited nuk rezulton të ketë staf punonjësish, por vetëm një individ, gjë e cila është e pamundur për një shoqëri që do të lidhë kontrata me vlera kaq të mëdha me mungesën e theksuar të stafit.
Deklarimi në FARA dhe në Departamentin e Drejtësisë Washington i kompanisë McKeon Group për financimet që i janë bërë nga kontraktues të ndryshëm përgjatë vitit 2017, ku del në pah se shoqëria McKeon Group është paguar nga shoqëria Dorelita Limited për të lobuar për interesa të klientëve të Dorelita Limited, gjithashtu qartazi në këtë deklarim shfaqet pronar i shoqërisë offshore shtetasi Iraklis T.Fidetzs, i cili dhe më parë ka lidhur kontrata lobuese për shtetasin Ilir Meta.
Artikulli i gazetës prestigjoze amerikane Mother Jones me 25 Prill 2018 me titullin: Si një kompani guaskë përtej detit përdori një kongresmen të partisë republikane për të lobuar për Trump dhe Kongresin? i cili qartazi ngre dyshimet se shoqëria Dorelita Limited nga viti 2017 e në vijim i ka shërbyer shtetasit Ilir Meta, Monika Kryemadhit dhe partisë Lëvizja Socialiste për Integrim . Duke cituar se :
… Në mesin e janarit, Meta udhëtoi në Washington për të marrë pjesë në inaugurimin e Trump dhe gjatë qëndrimit të tij McKeon ndërmjetësoi në takime për politikanin shqiptar me republikanët, duke përfshirë senatorët Orrin Hatch (R-Utah) dhe Pat Roberts (R-Kansas) dhe përfaqësuesit Mike Conaway. (R-Texas), Mike Turner (R-Ohio) dhe Ed Royce (R-Kaliforni), kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve. Washingtoni është plot me lobistë që përfaqësojnë regjime dhe interesa të huaja. Kështu që nuk ishte e çuditshme që LSI të përpiqej të gjente mbështetës në Uashington. Vitin e kaluar, tre partitë kryesore të Shqipërisë punësuan secila lobistë për të kultivuar lidhje me politikanët e DC. Por ajo që është kurioze është ajo që ndodhi pasi McKeon Group raportoi në shkurt 2017 se kishte përfunduar kontratën e lobimit me LSI-në. Muajin pasardhës, më 24 mars, McKeon Group nënshkroi një kontratë tjetër të nënshkruar nga Fidetzis – këtë herë për të lobuar për Dorelita Limited, e cila renditi “zyrat kryesore” të saj në të njëjtën adresë në Athinë si firma ligjore e Fidetzis. Një burim i njohur me kontratën tha se Fidetzis kishte sugjeruar pagesën e McKeon Group për të vazhduar punën për LSI-në përmes këtij entiteti korporativ. Kontrata e re e lobimit, që mbulonte një vit pune, pagoi më shumë se trefishin e asaj që McKeon Group kishte fituar sipas marrëveshjes së mëparshme me LSI-në: 50,000 dollarë në muaj, plus shpenzimet. Burimi tha se qëllimi kryesor i kontratës së Dorelita ishte që Meta t’i jepte “qasje” Presidentit Trump, në formën e një takimi ose një fotografie. Ajo përpjekje dështoi. Por kontrata dhe dokumentet e tjera që McKeon Group depozitoi për punën e tij për Dorelitën nuk përmendën LSI-në. Regjistrimi që firma i paraqiti Departamentit të Drejtësisë në bazë të Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj për të përfaqësuar Dorelita thoshte vetëm se firma e McKeon do të përpiqej “të menaxhonte takimet midis zyrtarëve të qeverisë amerikane dhe Dorelita Limited”. Dokumentet, me fjalë të tjera, sugjeronin se McKeon Group po lobonte për një kompani me axhendën e saj të pavarur. Por nuk ishte kështu. “Kjo është arsyeja pse ju përdorni kompanitë guaskë” Dorelita, doli, ishte një kompani guackë me atë që dukej si një qëllim: të siguronte pagesën për lobimin e McKeon për LSI-në …
..Në prill 2017, Grupi McKeon kontaktoi një mori republikanësh të Kongresit për të organizuar takime për Dorelita, sipas një dosjeje tjetër që McKeon i dorëzoi Departamentit të Drejtësisë. Dhe burime të shumta i tregojnë Mother Jones disa nga këto takime që lidhen me LSI-në…
.. LSI mohon çdo lidhje me Dorelitën. Një zëdhënës i partisë tha se kishte “zero kontakte me kompaninë dhe zero njohuri për” kompaninë. Zëdhënësi vuri në dukje se një anëtar i shquar i partisë, Vangjel Tavo, e kishte lidhur partinë me Fidetzis dhe se më vonë Tavo miratoi pagesën prej 15,000 dollarësh nga LSI për McKeon Group ..
Shkrimi i gazetës prestigjoze austriake Kronen Zeitung i datës 16.05.2022 me titull: Dëshmitari kryesor kërkon mbrojtje në Vjenë: thriller për Presidentin, në të cilin shprehet se:
…Meta pagoi 700,000 mijë dollarë për lobim përmes një kompanie qipriote, që të siguronte një foto në ceremoninë e inagurimit të Presidentit Amerikan Donald Trump. “Sipas dokumenteve gjyqësore amerikane, 700,000 dollarë kanë kaluar përmes kompanisë offshore Dorelita Limited nga një avokat i afërt me Metën” “Në listën e tyre të dyshimtë të shpenzimeve: 50 mijë euro në muaj për takime me senatorë amerikanë, darkë, udhëtime dhe me sa duket edhe operacione estetike për zonjën Meta, Monika Kryemadhi, e cila mori kryesinë e LSI-së nga bashkëshorti i saj”, shkruhet në artikull. Denoncuesi iku në Austri për shkak të akuzave dhe frikës së një atentati. Aty ku tani duhet të kishte marrë statusin e mbrojtjes. Ai mund të trondisë mjedisin politik shqiptar. Ajo që tregon denoncuesi në prani të avokatëve të njohur të Vienës ju bën të uleni dhe të dëgjoni me vëmendje. Provat mund të tronditin peizazhin politik të Shqipërisë dhe të rrëzojnë askënd tjetër veç presidentit të Shqipërisë…
Nga deklarimi i pasurisë i shtetases Monika Kryemadhi dhe shtetasit Ilir Meta të cilët janë subjekt të deklarimit të pasurisë nuk rezulton asnjë shpenzim i deklaruar për kontratat e lobimit të vitit 2017, qartazi kjo përbën mosdeklarim të të ardhurave dhe shpenzimeve parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal.
Gjithashtu edhe subjektet politike kanë si detyrë të shfaqin pasqyrat financiare dhe të deklarojnë donacionet dhe shpenzimet që këto parti bëjnë. Edhe në bilancin e vitit 2017 të Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) ku reflektohen shpenzimet e vitit, nuk reflektohet në asnjë moment shpenzimet për kontratat e lartpërmendura dhe as të ardhura të mjaftueshme për t’i financuar këto kontrata.
Këto fakte na krijojnë dyshimin e arsyeshëm i cili disa herë ka alarmuar dhe ndërkombëtarë qofshin këto diplomatë dhe gazetarë për afera korruptive, dhe transaksione të dyshimta të Ilir Metës dhe LSI.
Referuar materialeve që disponojmë na rezulton se:
Në vitin 2017, LSI e përfaqësuar nga një shtetas Qipriot ka lidhur një kontratë lobimi me shoqerinë McKeon Group për interesa të Ilir Metës dhe LSI. Kjo kontratë nuk deklarohet as në deklarimet personale të pasurise të titullarëve të kësaj partie dhe as në deklarimin e pasqyrave financiare të partisë (LSI).
Po në vitin 2017, i njëjti person që ka përfaqësuar Ilir Metën në kontratën e parë ka lidhur një kontratë me shoqërinë McKeon Group, por tashmë me anë të një shoqërie offshore e cila fsheh burimin e të ardhurave. Këto lobime kanë qenë në dobi të Ilir Metës referuar ndodhive dhe takimeve të asaj kohe që zyrtarë të LSI-së kanë bërë me pushtetarë amerikanë.
Kemi dy gazeta prestigjoze ndërkombëtare të cilat në rastin tonë janë burim i besueshëm informacioni dhe të pandikuara në investigimin e tyre që hedhin dritë mbi aferat korruptive dhe pastrimin e parave të Ilir Metës.
Për rrethanat e sipërpërmendura na krijohet dyshimi se:
– I kallëzuari Ilir Meta, i përfolur shpeshherë për afera korruptive ka përfituar para prej tyre e për pasojë këto para janë të ardhura të padeklaruara dhe shpenzohen në mënyrë të jashtëligjshme. Ai, në kohë të ndryshme, duke qenë në pozicione drejtuese të larta zyrtare, nëpërmjet shpërdorimit të detyrës (neni 248 K.P) apo korrupsionit (neni 259 K.P) të kryer në bashkëpunim ka arritur të krijojë shuma të mëdha të hollash të cilat në pamundësi për t’i cikluar në rrugë të ligjshme bankare, ka arritur të krijojë kontakte nëpërmjet vartësve të tij (Vangjel Tavo) me kompani (Dorelita Limited) të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë me qëllim transferimin e këtyre fondeve. Kjo e fundit, si një kompani offshore, provohet të ketë lidhur një kontratë me komaninë lobuese McKeon Group duke i ofruar shërbime lobimi, por kjo e fundit ka dhe një marrdhënie të drejtpërdrejtë me subjektin politik LSI në vlera shumë të ulëta. Ndërkohë që me kompaninë Dorelita Limited, klient i të cilës është Ilir Meta, ka kontrata me vlera shumë herë më të larta se me ato të deklaruara me LSI, pra vlera e saj është ajo reale, vlerë kjo që provohet plotësisht me anë të këtyre dokumentave se i përkasin të kallëzuarve Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.
– Shtetasit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë kryer veprën e pastrimit të produkteve të veprës penale, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal duke fshehur të ardhurat të përftuara nga vepra kriminale e korrupsionit dhe duke i legjitimuar ato e pastruar me anë të shoqërive offshore e më pas duke marrë si frut legjitim përfitime në kontrata lobuese në favor të partisë që ata drejtojnë. Në funksion të arritjes së këtij qëllimi kriminal ata kanë arritur të krijojnë një skemë të mirëfilltë pastrimi të parave të tyre të fituara në mënyrë të paligjshme. Kështu, ata kanë transferuar sasi të mëdha të hollash jashtë sistemit bankar drejt një kompanie offshore në Qipro, ndërkohë që kanë lidhur një kontratë të rregullt me një kompani lobuese në USA ku kanë marrë shërbimet e saj kundrejt pagesave të rregullta në funksion të partisë së tyre. Këto veprime ata i kanë kryer në bashkëpunim me të kallëzuarit Vangjel Tavo dhe Iraklis T. Fidetzis.
– Nga ana e tyre janë fshehur të ardhurat që provohet se janë transferuar jashtë kufijve në rrugë jobankare duke konsumuar kështu elementët e veprës penale “Fshehjes së të ardhurave” neni 180 Kodit Penal, por ata gjithashtu si subjekte të ligjit për deklarimin e pasurive dhe konfliktit të ineteresit nuk i kanë deklaruar në deklaratat respektive, pasi këto të ardhura nuk gjejnë pasqyrim në deklarimet periodike personale të të kallëzuarve si shtesa apo pakësime për periudhën në të cilën ka ndodhur afera korrruptive.
Për të gjitha këto arsye, duke u mbështetur në provat e arsyetuara dhe të renditura që do t’i bashkëlidhen këtij kallëzimi, kërkoj me besim në profesionalizmin dhe paanësinë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, të rregjistrohet procedimi penal ndaj personave të kallëzuar nga ana ime. Duke marrë parasysh pritshmëritë që ka opinioni i gjerë vendas dhe i huaj në luftën kundër korrupsionit, luftën ndaj pandëshkueshmërisë, mbetem në pritje të ftesë për t’u paraqitur para jush të jap shpjegimet e mia më të hollësishme lidhur me këtë aferë skandaloze por edhe të administroj dhe depozitoj edhe prova të tjera që mund t’i siguroj ndërkohë.
Përfundimisht, kërkoj rregjistrimin e procedimit penal për personat e kallëzuar sipas akuzave të përmendura në pjesën hyrëse të këtij kallëzimi, caktimin e masave të sigurimit personal duke u mbështetur në rrezikshmërinë shoqërore të veprave penale por edhe të personave që i kanë kryer ato.
Bashkëngjitur si prova:
- Kontrata e lobimit midis McKeon Group – LSI / Ilir Meta datë 06/01/2017.
- Kontrata e sipërpërmendur e përkthyer në shqip.
- Deklarimi i McKeon Group në FARA ku pasqyrohet kontrata me LSI dhe Ilir Meta.
- Kontrata e lobimit midis McKeon Group – Dorelita Limited datë 28/03/2017.
- Kontrata e sipërpërmendur e përkthyer në shqip.
- Deklarim i McKeon Group në FARA ku pasqyrohet kontrata me Dorelita Limited.
- Deklarimi i McKeon Group në FARA me 20/06/2017, ku pasqyrohet marrëveshje me
Dorelita Limited dhe ofrohen shërbime për Ilir Meta dhe LSI.
- Foto dhe Postimi në llogarinë në facebook të McKeon Group i Ilir Metës dhe Pronarit të
McKeon Group, Howard Buck McKeon.
- Artikulli i gazetës prestigjoze amerikane Mother Jones më 25 Prill 2018 me titullin: Si
një kompani guaske përtej detit përdori një kongresmen të partisë republikane për të lobuar
për Trump dhe Kongresin.
- Artikulli i sipërpërmendur i përkthyer në shqip.
- Artikulli i gazetës prestigjoze austriake Kronen Zeitung i datës 16/05/2022 me titull:
Dëshmitari kryesor kërkon mbrojtje në Vjenë: thriller për Presidentin.
- Deklarimi Periodik Pasuror i vitit 2017 për Subjektet Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta.
- Pasqyrat financiare të vitit 2017 të Lëvizja Socialiste për Integrim .
- Lista e Subjekteve offshore të deklaruara në shtetin e Qipros ku në faqen nr.7 pasqyrohet
shoqëria Dorelita Limited.
- Ekstrakti i Dorelita Limited.
KALLËZUES
Halit VALTERI