Nga Boldnews.al
Në datën 25 shtator 2021, redaksia e Boldnews.al siguroi disa dokumente ekskluzive për paktin Veliaj-Margariti për zhvendosjen e Teatrit të Kukullave nga qendra në afërsi të Digës së Liqenit Artificial.
Ky pakt pason shembjen e Teatrit Kombëtar, teksa vëmendja e të dyve u zhvendos nga godina historike e Teatrit të Kukullave, dikur godina e Parlamentit Shqiptar. Por, pavarësisht se gëzon statusin si “Monument Kulture”, ndërtuesit ja kanë vënë syrin për ta shembur, duke ndërtuar në atë truall godina shumëkatëshe.
Po me teatrin çfarë do të ndodhë?! Në shtator 2021, ne publikuam një tender të Margaritit, me vlerë 400 mijë euro për të projektuar Teatrin e Kukullave (të riun). Dhe, 8 muaj më pas, Margariti arriti që të finalizojë projektin, ndërsa po punon në “fshehtësi” për godinën e re, duke i “hapur rrugën” Veliajt për Teatrin që ndodhet në qendër të Tiranës.
Boldnews.al vijoi investigimin e kësaj afere, duke siguruar sërish informacione se Ministria e Kulturës ka përgatitur në kohë rekord procedurat e një tenderi për ndërtimin e Teatrit të Ri të Kukullave.
Në muajin qershor 2022, ministrja Margariti do të publikojë dokumentet e këtij tenderi, i cili do të jetë me objekt “ndërtimi i Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe Teatri i Kukullave”. Fondi limit i këtij tenderi është 1.002.247.145 lekë, ose rreth 10 milionë euro, një shumë e konsiderueshme, e cila pason edhe 400 mijë eurot që u shpenzuan pak muaj më parë për hartimin e projektit.
Në shtator 2021, Ministria e Kulturës hapi tenderin me procedurë “shërbim konsulence” dhe me objekt “hartim projekti për ndërtimin e një objekti/qendre të re multi funksionale në funksion të së ardhmes së edukimit artistik të fëmijëve në kryeqytet, pranë Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe Teatrit të Kukullave”.
Fondi për këtë tender ishte 41 666 667 lekë të reja pa TVSH. Duket se Veliaj dhe Margariti kanë kohë që merren me këtë projekt, pasi në dokumente shkruhet se kohëzgjatja e kontratës është 30 ditë.
Por, nëse do bëhet Teatër i ri, po me atë egzistuesin çfarë do të ndodhë?!
Sinjalet e para për shkatërrimin e godinës egzistuese i dha “piktori” 2 vite më parë. Në 2019-ën Edi Rama tha se “Teatri i Kukullave është një karakatinë që na turpëron para fëmijëve. Unë mendoj se deri në fund të mandatit do të hapim themelet e Bibliotekës dhe Teatrit të Kukullave këtu tek Garda”.
“Ndërtesa aktuale e Teatrit të Kukullave është nga ndërtimet e para me karakter të pastër administrativ e shoqëror i realizuar në Tiranë, ndërtuar mes viteve 1920-1924, me një stil arkitekturor të vendeve gjermanike. Ndërsa njihet si ndërtesa ku u vendos për herë të parë Parlamenti Shqiptar, në vitet 1950-1957, godina u përdor si qendër kulture dhe në vitet 1960-1961 ajo u përshtat në teatër kukullash, funksion të cilin e ruan edhe sot.
Ndërtesa vjen në ditët tona mjaft e transformuar, si pasojë e përdorimit të saj në faza historike dhe për qëllime të ndryshme, të cilat kanë kërkuar përshtatje të vazhdueshme. Kjo godinë, ka një kapacitet prej 160 vende, e cila është e pamjaftueshme për kërkesat në rritje të publikut. Skena me përmasat e saj nuk lejon zhvillimin e shfaqjeve me përmasa skenografie dhe staf artistik të madh” thuhej në dokumentet e publikuara nga Boldnews.al në shtator 2021.
Duket se drejtuesit e institucioneve publike janë vetëm papagaj të kryeministrit Rama. Në 2019-ën ai tha te Garda, ndërkohë që ish-drejtori i Teatrit të Kukullave, humoristi Erion Isai e kundërshtoi dhe tha te Piramida. Ndërkohë Erion Veliaj mendonte te Kopshti Zoologjik. Por, në fund “fitoi” Rama.
Elva Margariti pa një mendim të sajin të shprehur në media ka hapur tenderin për ta çuar te trualli i Gardës së Republikës. Në dokumentet që disponon Boldnews.al ajo shkruan se “vendndodhja e re për këtë objekt do të jetë Parku i Liqenit përgjatë rrugës Dora Distria, përpara kryqëzimit me rrugën Sami Frashëri”.
Lexo edhe :
Shembet edhe Teatri i Kukullave? “Pakti” Veliaj-Margariti për ta zhvendosur te Garda. Dokumentet