“Rezultati i këtij derbi nuk do të ndikojë në ecurinë e kampionatit”, kështu do ta niste konferencën për shtyp trajneri Stefano Pioli në prag të derbit me Interin në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Kupës së Italisë.
Një takim i cili do të luhet nesër mbrëma, ndërsa të dyja skuadrat do të kërkojnë të kalojnë në finalen e këtij kompeticioni.
Timonieri i kuqezinjve foli gjithashtu edhe për mungesat që skuadra e tij do të ketë në këtë takim, ndërsa sa i takon shitjes së klubit Pioli theksoi se kjo çështje nuk e shpërqendron aspak skuadrën në arritjen e objektivave.
“Të gjithë fokusohemi te loja e skuadrës. Sa më të bashkuar dhe sa më të gatshëm për të sakrifikuar, aq më shumë bëni mirë. Dje kemi kaluar mirë, shfrytëzuam rastin që të ishim bashkë dhe kjo ndodh shpesh, por ajo që ka rëndësi është ndeshja e nesërme”.
“Mungesat? Calabria dhe Romagnoli do t’i shohim sot. Davide kishte disa probleme dje, por sot ai duhet të stërvitet. Alessio ende nuk është stërvitur me ekipin, por do ta shohim. Gabbia ka pasur vetëm një lodhje, pra është mirë. Çdo lojtar duhet të ndihet vendimtar. Duhet të luajmë duke menduar se çdo top që prekim mund të jetë vendimtar. Rebic është mirë dhe mund të jetë vendimtar”.
“Presioni? Ne duhet të fitojmë të gjitha ndeshjet nëse duam të luftojmë deri në fund. Unë shoh një ekip që është shumë i fokusuar dhe shumë i motivuar”.
“Derbi ndikon në kampionat? Jo. Ne e dimë shumë mirë se cila duhet të jetë rruga e kampionatit, pavarësisht nga ndeshja e nesërme. Nesër do të bëjmë më të mirën, por kampionati është një rrugë tjetër. Duhet të mendojmë se mund t’i fitojmë të gjitha ndeshjet deri në fund.
A ndihmon fitorja e derbit? Duhet të bëjmë më mirën për ta kaluar atë që bëmë vjet dhe të kalosh në finale të Kupës së Italisë do të thotë ta bësh këtë. Pastaj të kesh përballë Interin është një stimul më i madh. Ajo që ka rëndësi është që të tejkalojmë veten”.
“Thashethemet për shitjen e klubit? Nuk kemi folur për këtë, asgjë nuk na e heq përqendrimin për fundin e kampionatit. E tashmja e Milanit është shumë solide dhe e ardhmja mund të jetë edhe më e mirë”.
“Ndeshja me Interin? Do jenë detajet që do të bëjnë diferencën. Duhet të luajmë me përqendrim të madhe për të gjithë 90 minutat. Ne kemi cilësitë tona. Interi në fushë të hapur mund të jetë shumë i rrezikshëm, por më pas varet shumë nga mënyra se si ne e lexojmë lojën gjatë ndeshjes. Flaka në ekip është ndezur, por është nën kontroll. I shoh lojtarët të përqendruar dhe të motivuar për të treguar punën e mirë që po bëjnë”.
“Çudi të luhet dy muaj më pak ndeshja e kthimit? Nuk ka kuptim të mendojmë për këtë. Ne patëm një nga ndeshjet derbi më të mira në sfidën e parë, por nesër do të jenë ndryshe gjërat”.
“Milani pa pësuar gol prej 7 ndeshjesh? Është e rëndësishme të mos pësosh. Më befason pak, edhe sepse rrezikojmë në fazën mbrojtëse me mënyrën tonë të lojës. Të gjithë jemi rritur dhe duhet të vazhdojmë njëlloj. Nesër do të përballemi me lojtarë të nivelit të lartë dhe vëmendja duhet të jetë e një niveli të lartë”.
“Goli jashtë fushe? Ne kemi pasur të njëjtën sjellje ndaj Interit. Është e vështirë të mos u lëmë situata të rrezikshme lojtarëve kaq të fortë. Ata të detyrojnë të vraposh shumë. Ne kemi një strategji dhe do mundohemi ta zbatojmë në fushë”, u shpreh Stefano Pioli./Abcnews.al