Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar sot në lidhje mbi situatën e krijuar në futbollin shqiptar dhe FSHF pas disa vendimeve të marra nga Gjykata e Tiranës, ku Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku dhe Sekretari i SHRF Tiranë, Ardian Haçi gjenden nën masën e sigurimit “Ndalim i përkohshëm i ushtrimit të veprimtarive të caktuara profesionale ose afariste”. Përmes një konference për shtyp, anëtari i KE, Av. Envi Hicka, Drejtori i Departamentit Ligjor dhe Licencimit, Aldi Topçiu dhe Drejtori i Komunikimit në FSHF, Andi Verçani paraqitën para mediave arsyet se pse vendimi i marrë së fundmi nga Gjykata e Tiranës është jo vetëm alogjik por edhe i paligjshëm.
Topçiu renditi në arsyetimin e tij të gjithë faktet se përse akuza e shpërdorimit të detyrës nuk mund të aplikohet për një kryetar organizate jo-fitimprurëse. “ Në kuadër të zhvillimeve të fundit ligjore ose antiligjore, lidhur me Federatën Shqiptare të Futbollit dua të përpiqem të shpjegoj pasojat e vendimeve të kamufluara si vendime gjykate.
Tani që procesi penal ndaj drejtuesve të FSHF është një proces politik, kjo është pak por e sigurt. Komploti është materializuar më 25.01.2022, kur pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë është depozituar kallëzim penal i bërë nga kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, ndaj Ilir Shulkut dhe Ardian Haçit.
Prokurori i çështjes z.Arben Agovi më tej e ka zgjeruar hetimin edhe për Presidentin e FSHF, Armand Duka dhe Kryetarin e Komisionit të Verifikimit, Koço Kokoëdhima, këta të fundit të dyshuar për “Shpërdorim Detyre” e duke kërkuar për të gjithë këta persona masën e sigurimit “Ndalim i përkohshëm i ushtrimit të veprimtarive të caktuara profesionale ose afariste”.
Me diligjencë, kërkesa është pranuar për ditë të diel nga Gjyqtari Artan Gjermeni dhe më tej është lënë në fuqi edhe nga z.Gent Shala.
Do përpiqem t’ju shpjegoj pse ky vendim është jo vetëm alogjik, por edhe i paligjshëm.
Së pari: Vepra penale për të cilën akuzohet Armand Duka është shpërdorimi i detyrës. Për të kuptuar alogjizmin e kësaj akuze, duhet së pari të shpjegojmë se kjo vepër mund t’i atribuohet vetëm personave që ushtrojnë funksione publike. Kjo do të thotë, zyrtarëve të zgjedhur apo emëruar nga organet e administratës publike.
Pavarësisht se Z.Duka apo Z.Shulku, ju i shihni shpesh në dalje mediatike, kjo nuk i bën ata funksionarë publikë. Ju sfidoj të gjeni qoftë edhe një akt ligjor që rregullon apo thjesht përmend funksionet e një kryetari shoqate. Sepse me gjithë veshjen ceremoniale, Presidenti i FSHF-së është thjesht një kryetar shoqate.
Jo vetem që Presidenti i FSHF nuk është një funksion publik, por ky koncept është në thelb i ndaluar nga ligji për OJF-të, i cili sanksionon parimin e pavarësisë nga Shteti. Duke mos pasur kështu një funksion publik është e paligishme dhe e pakuptimtë të vendoset një masë sigurimi personale.
Për më tepër, që një situatë e ngjashme është krijuar edhe në vitet 2006-2008, ku ndaj presidentit të FSHF sërish ka pasur një kallëzim penal për Shpërdorim detyre dhe i njëjti organ akuze, prokuroria e Tiranës ka dalë me vendim për mos fillimin e procedimit pasi presidenti nuk është subjekt i kësaj vepre penale.
Kjo kuptohet, krijon nje pasiguri të madhe juridike për organizatat sportive, pasojat e të cilës, mund të jenë tejet të rënda.
Së dyti: Edhe sikur të biem në nivelin e Gjykatës dhe të pranojmë që Presidenti i FSHF apo ndonjë Federate tjetër na qenka funksion publik, duhet marrë në analizë se cilat janë detyrat që janë shpërdoruar?!
Presidenti i FSHF sipas statutit është përgjegjës për thirrjen e mbledhjeve të Asamblesë së Përgjithshme dhe Komitetit Ekzekutiv, zbatimin e vendimeve të miratuara prej tyre, mbikëqyrjen e punës së Sekretariatit të Përgjithshëm dhe mbajtjen e marrëdhënieve mes FSHF-së dhe anëtarëve të saj, FIFA-s, UEFA-s, dhe organizatave të tjera.
Është thelbësore të shpjegohet se Armand Duka nuk po akuzohet për shpërdorimin e asnjë prej këtyre detyrave, por po akuzohet për zgjedhjet në Shoqatën Rajonale të Futbollit Tiranë, ndonëse për këtë, as nuk ka ndonjë provë që lidh Armand Duken me zgjedhjet e “falsifikuara” në këtë Shoqatë, as nuk ka ndonjë normë që sanksionon se presidenti i FSHF-së duhet të jetë përgjegjës për zgjedhjet nëpër anëtarët e FSHF.
Për me tepër, absurdi thellohet po te mendosh se për këto zgjedhje të falsifikuara, vetë Gjykata e Tiranës, ka vendosur t’i zhbëjë, duke anuluar çdo vendim që është marrë në mbledhjen e orës 15.00. Kjo do të thotë se duke bërë këtë, Gjykata automatikisht ka anuluar edhe çdo përpiekje për “Falsifikim” në Shoqatën e Tiranës.
Së treti: Armand Duka dhe Ilir Shulku është pezulluar nga detyra e Presidentit të FSHF dhe vetë Giykata është shprehur pavarësisht këtij pezullimi, atyre i lejohet të kryejnë veprime administrative për kryerje pagesash në favor të personave fizikë ose juridikë (paga, shlyerje kontratash e të tjera të kësaj natyre).
Nga këtu lind një pyetje retorike? Çfarë veprimesh jo-administrative kryejnë drejtuesit e FSHF? E thënë ndryshe, n.q.s. ata nuk kryejnë veprime publike, nuk kryejnë veprime politike, çdo veprim tjetër mbetet i një natyre administrative çka në thelb do të thotë se ai mund të kryejë çdo veprim pa kufizim. Kjo sidomos për faktin se vetë Gjykata nuk e ka të qartë natyrën e rolit të Presidentit të FSHF apo Sekretarit të Përgjithshëm, por ka pasur si qëllim të vetëm pengimin e procesit zgjedhor në FSHF.Për ta përmbledhur: pavarësisht mos dakordësisë me këto vendime dhe ankimit që do të ushtrohet kundër tyre, këto vendime te shtyra politikisht, janë në vetvete pa pasoja mbi jetën juridike të FSHF-së. Ndaj dua t’i siguroj të gjithë anëtarët, të mos shqetësohen dhe të vazhdojnë lojën”, – nënvizoi Topçiu.
Ndërkaq, edhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Envi Hicka, u ndal në veçanti te fakti te paligjshmëria për këto akuza që janë ngritur ndaj drejtuesve më të lartë të institucionit më të lartë të futbollit në vend. “Ajo që duhet të sheqtësojë opinionin publik është fakti se rendi juridik në Shqipëri duhet të jetë i ndërtuar dhe të funksionojë në një mënyrë të tillë që të respektojë atë që quhet liria e organizimit. Të krijojmë institucione e të drejtës private, siç është FSHF, Urdhri i Gazetarëve, Komiteti Olimpik Shqiptar, Urdhri i Mjekut etj. Pra njerëzit duhet të kenë mundësi të vetëorganizohen. Nëse në ushtrimin e të drejtës kushteutese për t’u organizuar, qytetarët janë të penguar nga këto mjete, që në fakt i përkasin zyrtarëve, ata punojnë për llogari të Republikës së Shqipërisë, atëherë, vihet në pikëpyetje autonomia e organizatave në Republikën e Shqipërisë, e çdo organizate, jo vetëm e FSHF. Përtej lidhjes së këtyre dy problemeve është pikërisht statusi në këtë rast i Presidentit të FSHF, që për gjuhën juridike do të thotë: A mund të jetë ky person subjekt i veprës penale të shpërdorimit të detyrës apo jo? JO! Subjekt i veprës penale të shpërdorimit të detyrës nuk mund të jetë një person, i cili kryen një detyrë të caktuar në një organizatë jo-fitimprurëse. Nuk mund të jetë subjekt i kësaj vepre penale. Ky është gabimi thelbësor i të gjitha këtyre proceduarave. Nëse ky gabim vazhdon, do të thotë që rendi juridik shqiptar, nuk i garanton mirëfunksionimin organizatave joqeveritare. Detyrat nuk përcaktohen nga rendi juridik i Republikës së Shqipërisë. Nëse e gjithë kjo situatë ku jemi sot, ka një rrezikshmëri apo një shqetësim për mirëfunksionimin e futbollit në të ardhmen në nivel kombëtar apo ndërkombëtar, kjo lidhet me këtë kriter specifik.”, tha Hicka.