Nga Vladimir Karaji/ BIRN
Në përpjekje për të vënë në vijë llogaritë, nga të cilat sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit rezultonte me 4.1 milionë lekë të pa justifikuara me burime të ligjshme në 9 vjet, ish-prokurori Ardian Ylli këmbënguli, në ankimin e bërë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA, se provat e paraqitura prej tij nuk ishin vlerësuar drejt.
Por në vendimin e zbardhur të KPA, e cila më 29 korrik 2021 la në fuqi vendimin e KPK për shkarkimin e Yllit, thuhet se Komisioni në të vërtetë e kishte favorizuar ish-prokurorin në shkelje të ligjit për vetingun. Kolegji megjithatë arsyeton se pavarësisht këtij favorizimi bilancet e Yllit mbetën negative dhe se vendimi i shkarkimit ishte i drejtë.
“Nga shqyrtimi i përmbajtjes së fashikujve dhe përmbajtjes së vendimit, rezulton në fakt e kundërta. Konkretisht, në kundërshtim me detyrimet që përcakton neni 49, pika 4 e ligjit nr. 84/2016 për ta bazuar vendimin në dokumente dhe prova të besueshme, Komisioni ka pranuar deklarime të paprovuara me akte dhe dokumente shkresore të subjektit, në favor të analizës financiare të pretenduar prej tij”, thuhet në vendimin e trupës së Kolegjit që la në fuqi vendimin e Komisionit të marrë në 18 korriku 2019.
Trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Ina Rama me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Ardian Hajdarin, Natasha Mulajn dhe Sokol Çomon, rrëzoi të gjitha pretendimet e Yllit, përfshi ato për shkelje proceduriale, duke arsyetuar se atij i ishte bërë një gjykim i drejtë dhe se masa e marrë ishte në përputhje me gjetjet.
Ardian Ylli punonte si prokuror prej 25 vitesh, duke mbajtur edhe postet drejtuese në Fier dhe më pas në Vlorë.
Ankimi
Bazuar në vendimin e KPA Ylli u ankua kryesisht sa i përket mos marrjes parasysh nga KPK të pretendimeve të tij për shpenzimet dhe për të ardhurat. Kolegji shprehet në vendim se ish-prokurori pretendoi se vendimi i KPK ishte “pasojë e një vlerësimi të padrejtë të provave të paraqitura prej tij, e një interpretimi të gabuar të dispozitave të ligjit”.
Në ankim Ylli këmbëngulte se nuk ishin marrë parasysh një pjesë e të ardhurave, kursime të babait të tij nga pensioni në vitet 1982-2002, si dhe 750.000 lekë të përfituara në vitin 2012 pas ceremonisë mortore të babait.
Ai po ashtu ka kërkuar KPA që të mbajë parasysh se bashkë me bashkëshorten kishin vetëm një pasuri të paluajtshme dhe kjo e krijuar nga babai i tij.
Ish-prokurori po ashtu kërkon të merret parasysh fakti se ai ishte vlerësuar pozitivisht në dy kriteret e tjera.
Por ndër të tjera ai këmbëngul se KPK nuk kishte qenë e drejtë në vlerësimin e rastit të tij dhe se kishte gabur në analizë.
“Konkluzionet e Komisionit janë jologjike, pasi ndërsa nuk është gjetur asnjë pasaktësi në deklarimin e pasurive të tij në deklaratën vetting, e që janë realizuar me burime të ligjshme, është konkluduar për balancë negative në vlerën 4.197.149 lekë”, citohet subjekti në vendimin e Kolegjit.
Ylli po ashtu ka pretenduar se e vetmja pasaktësi e tij ishte “ajo e mosdeklarimit të dy kredive të marra në deklaratat e interesave privatë periodikë, gjendjen e tyre ndër vite dhe mbylljen e tyre respektivisht në vitet 2005 dhe 2012, e cila nuk mund të shërbejë si shkak për marrjen e masës disiplinore, referuar edhe jurisprudencës së deritanishme”.
Ish-prokurori kërkon në ankim hapje të hetimit në seancë publike dhe këmbëngul për disa shkelje proceduriale, përfshi mosmarrjen parasysh të argumenteve që ai kishte paraqitur para KPK.
Qëndrimi i KPA
Por Kolegji i Posaçëm i Apelimit gjatë shqyrtimit të dosjes dhe vendimit të KPK arsyeton se këto pretendime nuk qëndronin. Në argument KPA citon vetë subjektin. “Në parim, konstatoj që janë marrë në konsideratë elementet thelbësore të transaksioneve të kryera nga unë, pra për sa i përket pasurisë dhe anëtarëve të familjes, megjithatë në këtë analizë ka disa elemente që nuk janë marrë në konsideratë apo kanë nevojë për saktësime të mëtejshme”, citohet të ketë thënë subjekti në shkëmbimet me Komisionin
Kolegji arsyeton se ky pohim dëshmon që atij i ishin ofruar “të gjitha garancitë për një proces të rregullt ligjor”, dhe se ai vetë i ka vlerësuar këto mundësi e garanci të dhëna nga Komisioni.
KPA rrëzoi po ashtu edhe pretendimet e Yllit për një seancë publike duke arsyetuar se provat e paraqitura prej tij në ankim mund të ishin paraqitur edhe në KPK dhe se nuk sillnin ndryshime sa i përket gjykimit.
Kolegji njëkohësisht rrëzoi pretendimet e ish-prokurorit mbi një sërë lëvizjesh financiare që ai ishte përpjekur t’i dokumentonte me kontrata noteriale të marra pas fillimit të procesit të vetingut. KPA arsyeton se kishte një praktikë të qartë mbi këto raste dhe se deklaratat e tilla nuk mund të merreshin si prova.
Madje Kolegji qorton KPK sa i përket pranimit si të mirëqenë të pretendimit të Yllit mbi një shumë 300 mijë lekë përfituar nga pensioni i babait në vitin 2002 dhe përfshirjen e kësaj shume në analizën e vitit 2003 dhe po ashtu zbritur disa shpenzime për blerje jashtë vendit edhe pse këto ndryshime nuk bazoheshin mbi prova, por mbi deklarime.
“Komisioni po ashtu ka zbritur shpenzimet për blerje jashtë Shqipërisë, sipas pretendimit të subjektit se janë për të tretë, ashtu si dhe reduktimin e shpenzimeve të udhëtimeve familjare, bazuar në deklaratat noteriale të paraqitura nga subjekti gjatë procesit të hetimit”, thuhet në vendim.
KPA nga ana tjetër ka vënë në dukje se Ylli kishte ndryshuar disa herë deklarimet mbi një sërë shpenzimesh, duke i përshtatur pretendimet e tij me analizën financiare. Kolegji këmbëngul se kjo u ulte këtyre pretendimeve besueshmërinë.
“Në këtë kontekst rrethanash, trupi gjykues i Kolegjit konkludon se me të drejtë Komisioni ka konstatuar se shpjegimet e subjektit nuk u dukën bindëse, pasi vlerat financiare janë shpërndarë ndër vite, duke iu referuar situatës financiare negative nga analiza e kryer. Për rrjedhojë, pretendimet e subjektit të rivlerësimit mbeten të pambështetura në prova”, thuhet në vendim.
Kolegji po ashtu rrëzoi këmbënguljen e Yllit për të marrë në konsideratë se disa kredi të marra prej tij dhe bashkëshortes ishin shpenzuar edhe për nevoja familjare dhe ishin shpërndarë ndër vite. KPA arsyeton se mos deklarimi i tyre në kohën kur ishin kryer si ndryshime i bënte pretendimet e ish-prokurorit të pabazuara.
“Në dritën e këtyre provave, në kushtet kur subjekti ka qenë nën detyrimin për të deklaruar saktësisht gjendjen e fondeve të kredisë për vitet në fjalë, pretendimet e tij në procesin e rivlerësimit, janë të pabazuara”, thuhet në vendim.
Kolegji si në shumë raste të ngjashme thotë se KPK sidoqoftë e kishte favorizuar subjektin duke i pranuar të ardhura pa pasur dokumentim të tyre apo duke ulur shpenzimet bazuar në deklarime të ish-prokruroit. Kolegjit vë në dukje se në analizën e kryer në KPA bilancet e ish-prokurorit kishin rezultuar me vlera negative më të mëdha se ato të gjetura në Komision.
KPA megjithatë thotë se kjo analizë që rezultonte me bilanc të përkeqësuar nuk do merrej parasysh për të mos përkeqësuar pozitën e Yllit dhe se KPA do bazohej mbi analizën e KPK në bazë të së cilës bilanci negativ ishte 4.1 milion. Trupa e KPA shprehet në vendim se edhe nëse merreshin parasysh disa prej pretendimeve të Yllit bilanci negativ “ për të kryer shpenzimet dhe krijuar kursimet e likuiditetet me burime të ligjshme, në totalin prej 3.759.120 lekësh”.
KPA arsyeton se në këtë situatë vendimi i KPK për shkarkimin e tij ishte i duhuri. Kolegji argumenton se ish-prokurori shkarkohej pavarësisht rezultateve pozitive në dy kriteret e tjera. Sipas KPA këto vlerësime nuk ndikonin në “faktin se subjekti ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar shpenzimet e kryera”.