Nga Andi Bushati
Grupi i diplomatëve amerikanë që merren me Shqipërinë duket se ka zgjedhur rrugën më të gabuar për të ndihmuar ushtarin e vet të bindur në opozitën shqiptare, Lulzim Bashën. Ata po përsërisin me këmbëngulje të njëjtën strategji, e cila konsiston në goditjen sistematike të Berishës, paralel me “takimet e shkëlqyera” që i rezervojnë pasardhësit të tij.
Kështu ndodhi edhe në javën që lamë pas. Brenda katër ditëve, tre herë me radhë, qoftë nga Uashingtoni dhe qoftë nga Tirana, u dha mesazhi i mbështetjes së grupimit të Bashës në testin e zgjedhjeve të pjesshme lokale që do të zhvillohen në 6 mars.
Ndryshe nga më parë, Gabriel Escobar nuk u mjaftua me kërcënimin standart të ndërprerjes së marrëdhënieve me PD-në nëse Berisha rikthehet kryetar, por ai e zgjeroi perimetrin e shantazhit, duke paralajmëruar se lideri historik i demokratëve nuk mund të drejtojë asnjë forcë të re politike. Zyrtari amerikan, emri i të cilit mbahet mend lehtë në këtë vend, nuk e fshehu qëllimin për të goditur grupin e foltores, fiks para organizimit të primareve dhe përgatitjeve të fundit për fushatën e ardhshme zgjedhore. Paralel me të, ambasadorja Kim priti Bashën në rezidencën e saj, pa i fshehur aspak tonet e përkrahjes ndaj tij. Sikur këto të mos mjaftonin, një zëdhënës i DASH përsëriti për të disatën herë qëndrimin se “non grata” është një proces i pakthyeshëm.
Nuk ka dyshim se kjo valë goditjesh ka si qëllim ruajtjen e stabilokracisë, duke përkrahur grupimin qartësisht më të cfilitur dhe më të pabesueshëm në gjirin e opozitës.
Tashmë është bërë rrugë. Edhe kur filluan foltoret, edhe përpara dy kuvendeve të 11 dhe 18 dhjetorit, edhe në vigjilje të 8 janarit, diplomatët amerikanë bënë po të njëjtën gjë, duke marrë anë, në një shkelje flagrante të konventës së Vienës, pro njërës palë brenda PD-së.
Por këtu problemi nuk qëndron tek djalja e zyrtarëve të DASH përtej suazës së kostumit diplomatik- me atë në Shqipëri tashmë jemi mësuar- por tek fakti se këtë po e bëjnë në mënyrën më të pamençur të mundshme.
Po të shikosh atë që ka ndodhur që prej 9 shtatorit, kur Basha plotësoi ultimatumin e SHBA për të përjashtuar Berishën, sa më shumë përkrahja diplomatike ndaj tij është rritur, aq më tepër mbështetja tek elektorati demokrat ka zbritur. Një anketim i fundit i Euronews dëshmoi se pikët e tij pothuajse janë përgjysmuar, në një kurbë, rënia e së cilës nuk po ka të ndalur.
Kjo anomali që po zhvillohet para syve tanë e ka një shpjegim. Tek një pjesë dërmuese e elektoratit opozitar kanë zënë vend kritikat e Berishës, që e paraqesin djalin e tij plangprishës si një kukull të marrë peng prej Edi Ramës. Dhe në vend që ta amortizojë, sjellja e diplomatëve amerikanë po ndihmon që ta përforcojë këtë paranojë. Për militantët, Basha po mbrohet prej të njëjtës qendër pushteti nga e cila kanë dëgjuar se zgjedhjet e 25 prillit ishin të ndershme, se reforma në drejtësi po godet korrupsionin, se “heronjtë e fëmijëve tanë” janë kampionë të pavarësisë, po prej të njëjtëve diplomatë që kanë heshur për patronazhistët, për blerjen e faktuar të votave në Elbasan, për skandalin e vjedhjeve me inceneratorët, apo për direktivat që Veliaj u jep prokurorëve të varur prej tij, për t’iu turrur FSHF-së.
Pra thënë shkurt, për këdo që është në gjendje të mendojë, Basha po mbështetet nga ata që që janë pro një pushteti të pakufishëm të autokratit shqiptar. Prandaj sa më shumë ai përkrahet nga amerikanët, aq më tepër përbuzet nga militantët.
Që kjo kurbë të ndryshojë, nuk ka rrugë tjetër veçse të braktiset strategjia e deritanishme. As ambasada, as Departamenti i Shtetit nuk do të arrijnë dot ti ngrejnë kuotat e Bashës duke e bërë atë pjesë të një krahasimi të pabarabartë me Berishën, përmes goditjes së këtij të fundit.
E vetmja rrugë për ta forcuar, do të qe që t’i jepnin të drejtë në raport me disa të denoncime që ai ka bërë për Ramën. Nëse Yuri Kim do të kishte leje të fshikullonte efektet e prishjes nga kryeministri të marrëveshjes së 5 qershorit, nëse DASH do të tregonte me gisht prokurorët që u graduan në SPAK, si shpërblim për fshehjen e krimeve zgjedhore të Elbasanit, nëse Escobar do të fliste për vjedhjen e të dhënave personale të qytetarëve, atëherë po, ata do të ndihmonin në besueshmërinë e Bashës, duke u dhënë kredibilitet atyre pak të vërtetave që ai guxon të thotë.
Por, duke u sjellë ndryshe, duke mos e përfillur për kritikat që ai i bën qeverisë dhe duke e përkrahur në luftën që zhvillon me Berishën, diplomatët amerikanë po krijonë efektin boomerang. Ata vetëm sa po përforcojnë perceptiminn se po mbajnë në jetë kukullën që i duhet regjimit.