Takimi i Bashës, si po tentohet të mbushet salla e Teatrit Bylis nga Subashi e Bufi

Lulzim Basha ka programuar një takim në Fier, i cili pritet të mbahet në orën 11:00 në Teatrin Bylis.

Ndërkohë që prej ditës së djeshme dhe sot në numrat e telefonit të anëtarëve të PD-së kanë mbërritur njoftimet lidhur me takimin, por që janë refuzuar në masë, madje Basha konsiderohet i shkarkuar si Kryetar i PD.

Në kushtet kur po refuzohet nga anëtarësia e PD-së në Qarkun e Fierit, një prej qarqeve që votoi me përqindjen më të lartë pro shkarkimit të Lulzim Bashës si kryetar, jo vetëm në Kuvendin e 11 dhjetorit, por edhe në referendumin e anëtarësisë më 18 dhjetor, nga numri i call center, është zgjeruar targeti i kontakteve, duke iu nisur mesazh edhe qytetarëve, që s´janë pjesë e strukturave.

Sërisht mësohet se mesazhet janë refuzuar në masë, ose nuk janë marrë në konsideratë, pra nuk ka pasur konfirmim për pjesëmarrje.

Në kushte të tilla, duket se në lojë për të mbushur sallën e Teatrit Bylis, janë futur strukturat socialiste.

Nga informacionet që ka siguruar Boldnews, të paktën dy bashki të qarkut Fier, ajo e Roskovecit dhe ajo e Fierit, që përkatësisht drejtohen nga Majlinda Bufi dhe Armando Subashi, kanë udhëzuar punonjësit e tyre, që të çojnë në takimin e Bashës nga 2 ose 3 të afërm të tyre, persona jo të angazhuar apo të njohur në komunitet, të cilët duket se do të luajnë rolin e figurantëve.

Udhëzimi ka qarkulluar në dy institucionet bashkiake prej ditës së premte, ku ekzaktësisht iu është kërkuar punonjësve, që me shumë gjasa janë anëtarë të Rilindjes, që në pamundësi për të shkuar vetë, pasi mund të identifikohen lehtësisht, të angazhohen për të siguruar pjesëmarrje me të afërm të tyre.

LEXO EDHE  Luftë shqiptarësh për tregun e dr*gës në Romë/ Arrestohen 27 persona

E gjithë kjo lojë synon që në orën 11:00, salla e Teatrit Bylis të jetë sa më e mbushur me njerëz, në mënyrë që takimi mos të dështojë, ndërkohë që mediave do tu serviren materialet që do të përgatiten nga zyra e Bashës, duke shmangur kështu transmetiet direkte.

Në ditët e fundit të 2021, Basha zhvilloi një takim në Dibër, ku sërisht u ndoq e njëjta skemë si kjo që po tentohet të aplikohet në Fier ditën e nesërme. Takimi në Fier sipas disa informacioneve u programua pasi dështoi ai në Kukës, për të cilin individë dhe deputetë që mbështesin Bashën, duket se nuk kanë arritur të sigurojnë mbështetje.

Kjo ka bërë që vëmendja të zhvendoset në një tjetër qark, atë të Fierit, ku tensionet e krijuara mes strukturave dhe anëtarëve të PD me të emëruarit e Bashës, arritën kulmin kur selisë së degës iu ndryshuan bravat, duke mos lejuar anëtarët e Kryesisë dhe gjithë drejtuesit e strukturave të hyjnë në seli.

Po kështu, në referendumin e 18 qershorit, Armando Subashi ishte i vetmi ndër 61 kryebashkiakët e PS-së që krijoi incident, duke çuar policinë bashkiake për të ndërprerë procesin në një prej qendrave të votimit, për të cilën organizatorët e referendumit më parë ishin dakordësuar edhe me administratorin e njësisë.

Dhe duket se zelli i treguar nga Subashi me 18 dhjetor, po shfrytëzohet sot nga njerëz që shfaqen në krah të Bashës, për të mbushur sallën e Teatrit Bylis.