Lubonja: Dobësimi i opozitës e dëmshme për Shqipërinë

Analisti Fatos Lubonja e shikon dobësimin e opozitës në vend si një dëm për vendin, por edhe maxhorancën. Lubonja deklaroi në “Opinion” në News24 se ndërkohë që merremi me sherrin e brendshëm në PD, kemi harruar të gjitha problemet e mëdha që ka qeverisja.

“Nuk e shikoj opozitën thjesht nga kaq afër sa ç’kërkoni ju ta shikoni, kush e mori, kush s’e mori kryesinë. Unë e shikoj opozitën si mundësi që ka vendi për t’u marrë me problemet e mëdha që ka vendi. Ne vazhdojmë të merremi me sherrin e brendshëm Basha-Berisha ndërkohë që kemi harruar gjithë problemet e mëdha që ka qeverisja. Në këtë kuptim kemi të bëjmë me dy grupime që asgjësojnë njeri-tjetrin dhe për shqiptarët asgjësojnë ekzistencën e opozitës dhe kjo përveçse i vjen për shtat qeverisë të tjerët kanë dëm.

Përtej maxhorancës i bën dëm Shqipërisë. Çdo pushtet korrupton dhe jo më një pushtet absolut siç kërkon të vendosë Edi Rama. Ky është një dëm i madh për Shqipërinë dhe për vetë maxhorancën dhe ata që e mbështesin”, tha Lubonja.

Sipas tij, mungesa e çdo hapësire lirie shpesh e mbyt individin dhe e rrënon një shtet.

“Këtu nuk aplikojmë dot vetëm ligjet e fizikës, por ato që na tregon historia, shembujt janë kundërthënës në këtë drejtim. Atje ku ka pushtet absolut siç ka qenë stalinizmi apo enverizmi, atje ka pasur eliminim kundërshtarësh dhe gjithnjë e më tepër kulti i individit. Mungesa e çdo hapësire lirie shpesh e mbyt individin dhe e rrënon një shtet, ashtu sikurse atje ku ka më shumë hapësirë, mundësi disidence, siç ka ndodhur në Bashkimin Sovjetik pas goditjes së Stalinit, mund të krijohen mundësira të vijë një Gorbaçov. Në rastin tonë çfarë po ndodh? Sigurisht nuk jemi në një regjim totalitar, por tendenca që shikoj unë që nga ardhja e Ramës në 2013 e këtej është një tendencë në rritje për të eliminuar kundërshtarët brenda partisë dhe jashtë. Sa vjet ka që nuk bën zgjedhje. Më shumë se një zhvillim i brendshëm brenda partisë, mund të vijë kolapsi. Krijohet një vakum që mund të mbushet nga një lëvizje tjetër jashtë asaj partie. Ajo që gjykoj që është problematike me Ramën, është se ai ka prirjen e theksuar të personalizojë institucionin. Ashtu ka bërë në Ministrinë e Kulturës, në bashki dhe në Kryeministri. Pasoja është kur ikën personi që identifikohet me institucionin, nuk ka më institucion. Politikan i mirë është ai që lë institucionin dhe pasi ikën. Shpresa për forca të reja e zbehtë”, tha Lubonja.

Lidhur me fatin e opozitës dhe situatën në PD, ai tha se shpjegohet me dy faktorë.

“Njëri paaftësia e opozitës, në rastin konkret paaftësia e Lulzim Bashës për ta bërë këtë. Ka pasur raste, kur flitej për një Republikë të re ka pasur sugjerime që të krijohet një bashkësi ku të mos jetë pretendimi ky kryeministër dhe s’ka tjetër, një bashkësi opozitare shumë më e gjerë. Ai këtë dimension ka treguar që nuk e ka sepse ai përtej vetvetes thotë le të bëhet qameti, në qoftë se nuk jam unë kryetar. Këtë dimension kanë, kjo është kulturë shqiptare. Asnjëherë kur ka ardhur momenti kur është për të zgjedhur mes interesit personal dhe interesit publik, nuk kanë zgjedhur interesin publik. Janë shitur dhe vendin për interesa personale, jo thjesht gjëra të vogla. Ky është njëri element. Elementi tjetër pse nuk bëhet ky bashkim është dhe strategjia e kundërshtarit, Edi Ramës në këtë rast që ka punuar në mënyrë të vazhdueshme për ta eliminuar këtë mundësi, siç ishte rasti i Kodit zgjedhor”, tha Lubonja.

LEXO EDHE  Banorja te "5 Maji": Veliajn e martoi nëna me fiq, por ne i kemi bërë me djersë shtëpitë. S'është ngopur me lekë

Ai tha se krahasimi me Italinë është i vlefshëm për të kuptuar se çfarë na mungon ne. “Gjëja kryesore që na mungon ne është ekzistenca e hapësirave të lirisë. Liria jo thjesht në kuptimin abstrakt, por dhe në kuptimin ekonomik të fjalës. Mundësia që ka pasur Itali dhe ka Italia për të nxjerrë individë të pavarur dhe lëvizje është shumë herë më e madhe. Në Shqipëri tendenca për kontroll është duke u rritur. Tani gjithnjë e më shumë ekzistenca e njeriut varet nga një parti shtet. Tjetra është vetëthërrmimi i individit. Këtu nuk kanë lindur dot…kanë dalë disa grupime të majta por janë krejtësisht pa domethënie që as e kanë zhvilluar idenë e përkatësisë klasore. Më së shumit pjesa më e madhe kanë zgjedhur një tjetër parti, partinë e emigrimit. Unë kam mbështetur më herët lëvizje alternative ndaj partive të mëdha, siç ka qenë Bojaxhiu, apo Ben Blushi.

Realiteti tragjik shqiptar ka treguar që një person i vetëm oligark krijoi një parti dhe mori 3 deputetë, ndërkohë që këto lëvizje nuk morën asnjë deputet. Kjo kërkon një analizë. Unë mendoj që është një sistem agresiv që iu ngushton mundësitë këtyre forcave për të dalë dhe ky agresivitet që del nga sistemi është një faktor. Hitleri e mori pushtetin me votë, por ndërtoi një strategji që të ngushtonte gjithmonë e më tepër. Nuk jemi në atë fazë totalitare, por jemi në atë fazë të grumbullimit të strategjive për të kontrolluar fatet e individëve.

Kjo maxhorancë po bën diçka dhe pse në terma afatshkurtëra dhe me pasojë dramatike. Mbijetesën e shqiptarëve po e garanton nëpërmjet rishpërndarjes së parave të krimit të organizuar. Ka marrë përsipër të ndërtojë këtë narkoshtet që në terma afatgjata është dramatik sepse shqiptarët sundohen nga krimi, njerëzit e ndershëm ikin por për ta ka rëndësi interesi i tyre dhe jo interesi i publikut. Një ekonomi të shëndoshë nuk e shikoj”, deklaroi Lubonja.