Protesta te PD, ish-zyrtari i policisë: Ja rastet kur mund të ndërhyjnë forcat e rendit

Ish-zyrtari i Policisë së Shtetit, Arben Hajdarmataj, në studion e Fax News, ka komentuar lidhur me skenat që mund të shfaqen ditën e nesërme në protestën e thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit para selisë së PD.

Hadarmataj tha se forcat e policisë nuk mund të ndërhyjnë në një objekt, i cili nuk është në listën e atyre të rëndësisë të veçantë, ndërsa shtoi se i vetmi moment kur mund të kishte një ndërhyrje nga ana e forcave të rendit ishte nëse do të shpërthente dhuna gjatë kohës që protestuesit mundohen të hapin dyert e blinduara.

“Unë mendoj se këto veprime janë më shumë se të trishta, janë të një mendje të çoroditur. Të arrish në një subjekt politik të blindosh dyert siç i pamë falë mediave, është alarm shumë i madh jo vetëm për subjektin e PD por edhe për ne si qytetarë, të cilët jemi jashtë rreshtimit politik.

Ne përkrahim një forcë politike, por jashtë aspektit të militantizmit. Unë do thoja se kjo është përtej PD sepse ky lloj sistemi që ne kemi sot ka mazhorancën dhe opozitën. Aktualisht jemi me një qeveri që nuk ka asnjë supervisor, nuk ka asnjë oponencë. Sesi kemi ardhur tek kjo dhe a ka veprime të kësaj qeverie tek PD unë do thoja jashtë natyrës së retorikës politike, ai që pretendon sot se është drejtues i PD, këto janë veprime të pakuptimta të ndërmarra nga dikush i shkolluar në perëndim. Në Europë jo e jo, kjo gjë nuk ka ndodhur ndonjë herë”, tha Hajdarmataj.

LEXO EDHE  Nano: Po zhvillojmë hetime të rëndësishme, kush abuzon me detyrën do ndëshkohet

Si ish drejtues policie, nesër mund të kemi edhe situata të ndryshme, por si do jetë sjellja e policisë nëse hapja e dyerve të blinduara do bëhet në mënyrë të dhunshme?
Të jemi realistë dhe objektivë, policia në aspektin ligjor, është e qartë se nuk mund të ndërhyjë brenda një subjekti politik. Në këtë situatë, pozicioni i policisë është pak delikat. Mënyra sesi do hapet dhe a do hapet unë nuk e di. Por policia varet sesi e trajton situatën në këtë moment. Selia e PD nuk është objekt i rëndësisë së veçantë dhe kështu që nuk mund të ketë trajtim të veçantë pra të ruhet nga shteti. Në momentin tjetër, kur policia sheh se një objekt po dëmtohet, sipas ligjit duhet të ndërhyjë. Por ata njerëz të cilët nesër do monitorojnë situatën duhet të jenë të vëmendshëm sepse është një situatë e pandodhur ndonjëherë. Ndryshe është situata kur sulmohet kryeministria apo parlamenti të cilat kanë status tjetër.
Këshilla ime është që policia të bëjë shumë kujdes dhe të monitorojë dhe të jetë gati për çdo situatë të rrezikshme. Sa i përket fotografisë, unë them se personat nuk kanë pse të mbajnë maskë. I bëj thirrje policisë së shtetit të identifikojë ata persona sepse nuk kanë si të justifikohen nëse nuk janë identifikuar këta persona.