Këshilli Federal gjerman shqyrton njohjen e patentave nga Shqipëria dhe Kosova

Këshilli Federal po shqyrton aktualisht një projekt-rregullore të re për lejet e drejtimit të automjeteve në Gjermani. Njëra nga pikat është edhe njohja e patentave shqiptare dhe kosovare.

Në lajmin e publikuar në Deutsche Welle në seksionin shqip thuhet se Ministria Federale e Komunikimeve Digjitale dhe e Transportit i ka kërkuar Këshillit Federal (Bundesrat) që të miratojë disa ndryshime në rregulloren për provimet e lejeve të drejtimit të automjetit, ndër to edhe për konvertimin pa provime shtesë të lejeve të drejtimit të automjeteve nga Shqipëria, Kosova, Moldavia, Britania e Madhe dhe Irlanda e Veriut.

Sipas draftit, qeveria gjermane propozon njohjen e patentave nga Shqipëria pa provime në teori dhe praktike për pothuajse të gjitha kategoritë: A1, A2, A, B, BE, C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE. Vetëm për patentat nga Shqipëria që i përkasin kategorisë AM për konvertimin, do të kërkohet një provim praktik.

Për lejet e drejtimit nga Kosova është parashikuar konvertimi pa provime shtesë në këto kategori:  AM, A1, A2, A, B, BE, C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE.

“Deri tani, konvertimi i patentave nga këto dy vende kërkonte provime shtesë, si në teori ashtu edhe në praktikë, plus edhe gjashtë orë ushtrim praktike. Në total ishin së paku 1000 Euro. Shumë prej emigrantëve të ardhur me Rregulloren e Ballkanit Perëndimor, të cilët nuk e njihnin mirë gjermanishten nuk kishin shans të merrnin provimin teorik”, thotë Qerimaj për Deutsche Welle.

Një kërkesë e bërë dy vjet më parë nga ambasadat e Kosovës dhe të Shqipërisë në Berlin që provimet e lejeve të drejtimit të automjeteve të bëheshin në gjuhën shqipe, u refuzua në dhjetor të vitit të kaluar.

Projekt-rregullorja pritet të shqyrtohet më 26 janar në seancën e rregullt të Komisionit për Komunikime digjitale dhe Transporte, i thanë DW burime nga Këshilli Federal. Nëse nuk ka propozime për ndryshime, rregullorja mund të miratohet qysh më 11 shkurt, në seancën plenare të Këshillit Federal.

Çështja e njohjes së patentave për emigrantët rezidentë në Gjermani kishte shkuar deri në tryezën e ish-kancelares Angela Merkel. Thuajse në çdo të takim me krerët e vendeve përkatëse flitej për patentat. Diplomatët në Berlin thonë se ishte pikërisht angazhimi personal ish-kancelares që e përshpejtoi procesin.