Deputeti i PD, Belind Këlliçi komentoi në Task Force me Sonila Meçon në Syri Tv, vizitën e nesërme në Shqipëri të zv/ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar.
Me doza ironie, Këlliçi tha se Escobar do të vijë në Tiranë dhe do të flasë për luftën kundër korrupsionit në krah të Edi Ramës.
Ligjvënësi demokrat tha se Rama është kryeministri më i keq që ka patur ndonjëherë Shqipëria, ndërsa e quan shfaqje të turpshme vendosjen e zyrtarit të lartë amerikan në krah të kreut të qeverisë shqiptare.
“Sot është momenti për t’i dhënë fund tranzicionit. Unë gjykoj që shfaqja që do të shohim nesër, turp më të madh, që nesër do vijë Escobar dhe do na flasë kundër korrupsionit, në krah të Edi Ramës, për një vend siç jemi ne nuk mund të ketë. Për një personalitet, për një politikan të këtij rangu turp më të madh që ta rreshtojnë në krah të Edi Ramës për të folur kundër kundër korrupsionit, unë nuk kam parë. Këto shfaqje gjykoj që nuk i shërbejnë pluralizimit në Shqipëri, nuk i shërbejnë opozitarizmit, nuk i shërbejnë Partisë Demokratike. Sot kjo status quo mbahet peng nga Edi Rama. Nuk ka kryetar qeverie më të keq se Rama. Por problemi është te opozita sot, te marrja peng e vulës së kryetarit të opozitës, që nuk i hap rrugë çlirimit të opozitës”.