Alizoti thumbon Bashën dhe Ramën: Lidera botërorë që s’thonë asgjë, ndoshta tani po pinë ndonjë verë të shtrenjtë

Deputeti demokrat i Beratit, Tomorr Alizoti thumboi kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e PD-së Lulzim Basha gjatë ligjërimit së tij në Kuvend, këtë të Martë.

Gjatë fjalës së tij, Alizoti tha se një pjesë e madhe e deputetëve kanë shkuar në Kuvend me “biletë”. “Unë e quaj biletë se kanë paguar pare për tu bërë deputetë, duke blerë vota”, sqaroi.

Kritika lëshoi ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të PD-së Basha për mungesën në seancën e sotme ku diskutohet buxheti për vitin 2022.

“Fatkeqësia e këtij parlamenti është se nuk ka fjalime politike. Ka teatër, prandaj ju ndiheni keq dhe ndiheni të gjithë keq kur shikoi banalitete në parlament. Sepse e gjithë politika shqiptare është linçim. Nuk është artikulim politik. Buxheti është elementi më i rëndësishëm i një shteti i një politike i një ekonomie, ku kryeministri nuk është në sallë, por duhet të ishte dhe kryetari i opozitës. Duhet të ishin të gjithë në sallë. Qeveria është gjysmake, është buxheti i shtetit”, u shpreh.

“Nuk kemi kohë dhe koha është shumë e shkurtër për ne të themi dy gjëra, por koha zgjatet ndërmjet dy figurave të rëndësishme e cila është e gjitha teatër. Kush është çun më i mirë dhe kush bën gallatë më shumë. Politika nuk është gallatë, sepse kemi një vend që është më i varfëri në rajon”, shtoi.

Deputeti deklaroi se sot, shoqëria shqiptare ka një elitë më të pasur se të gjitha kohërat e saj: “Elita politike shqiptare sot mund të sfidojë dhe elitën e perandorive të botës dhe të Amerikës, aq e pasur është”.

“Kemi injorancë në parlament”, theksoi ai, “prandaj politika shqiptare është linçim”.

“Kryeministri dhe lideri juaj të cilin ju keni frikë ta kundërshtoni, jo ju të gjithë, por një pjesë e madhe serviloset që të kapë ndonjë post. E dini kur ka vdekur parlamentarizmi? Kur listat për deputet i bën kryetari i partisë. S’ka pra diskutime politike. Duhet ta mbash mirë me kryeministrin edhe me të tjetrin nga pala jonë që të behesh deputet. Dhe kur vjen këtu s’di ça thua. Do thuash ‘ky është burrë i mirë, ky është burrë i keq’. Në fund mund të bësh dhe pak grusht. Ky s’është parlament. Ky është një realitet i hidhur i shoqërisë, i Shqipërisë”, u shpreh ai.

LEXO EDHE  Kryente marrëdhënie me mbesën e tij, Gjykata e Durrësit merr vendimin për 50-vjeçarin

“Meqë jemi pak veta në parlament dhe s’dëgjon njeri dhe mendimtarët e mëdhenj janë në shtëpi, ose po pinë ndonjë verë të shtrenjtë, kjo është fatkeqësia e shqiptarëve, e popullit shqiptar. Nga politika s’ka për ti ardhur gjë, por shpresoj që ata njerëz që na shohin në TV, që na ndjekin nga afër, të revoltohen në mënyrë demokratike dhe të kërkojnë të drejtat e tyre”, tha më tej.

Ai paralajmëroi se “amerikanët mund të largohen nga Ballkani”, ndërsa shtoi se “fjalimet e ambasadorëve këtu duke iu servislosur ne, nuk do jenë më kaq pikante”.

“Ne duhet të mendojmë për një ekonomi cilësore, për një mbrojtje cilësore si komb dhe njerëz cilësor në parlament”, deklaroi.

“Parlamenti është bërë një garë vjershash, recitimesh. Politika nuk ka lidhje me vjershat, as me recitimet. Gjithsesi vazhdimi më thellë i bisedës nuk ka sens, sepse koha është shumë e shkurtër. Kohën do ta marrin nesër, pasnesër, liderat botërore që do vijnë këtu dhe do debatojnë me njeri-tjerin. Do marrin tre orë kohë dhe s’do thonë asgjë. Do thonë kush është më i mirë dhe më i keq. Do vazhdojnë linçimin politik, personal, individual dhe ju e patë dhe ju e dini se që sa e shëmtuar është kjo. Meqë kryeministri ka qef Kantin dhe ai nen i Kantit që është edhe në kartën e OKB-së është: ‘Dinjiteti i njeriut është i paprekshëm’. Politika shqiptare cënon vetëm dinjitetin e njeriut”, përfundoi Alizoti.