Nga Nikoll Lesi
Tashmë demokratët dhe krejt opozita shqiptare ka hyrë në udhë pa kthim drejt një FRONTI ANTIRAMA në muajin dhjetor të këtij viti.
Berisha e merr PD-në dhe drejtimin e krejt opozitës shqiptare, pasi “Foltorja” tregoi hapur se demokratët janë me ish-liderin e tyre historik dhe jo me Lulzim Bashën. Nëse do të kishte sadopak mbështetje në bazën e PD-së, Lulzim Basha do të dilte të provonte në publik sa njerëz nga radhët e opozitës janë me të në këtë përballje me Berishën. Por deri më sot asnjë takim nuk zhvilloi edhe sa për të thënë se kam simpatizantë, sepse realisht nuk ka pasi demokratët janë zhgënjyer prej 8 vitëve duke mos patur asnjë fitore dhe asnjë pushtet. As edhe në pushtetin vendor nuk kanë një njeri, të paktën, që t’ju çonte një autobuz me militantë në Tiranë.
Demokratët janë njerëz si socialistët, të cilët kanë një lider të fortë si Edi Rama, paçka se të kritikueshëm për “diktator”, por ama socialistët i zgjidhin disi hallet e tyre jetike. Ndërsa opozita nuk kishte shpresë, ishin demoralizuar dhe drejt shkatërrimit sepse lidershipi aktual, paçka me pamje europiane, por nuk ngjiz besim, nuk krijon shpresë dhe për me tepër akuzohet se bashkëpunon fshehurazi me kryeministrin Rama.
E ndodhur në këto kushte PD-ja dhe opozita shqiptare nuk ka tjetër shpresë përveç ish-kryeministrit Berisha, që po të ishim në kushte të tjera, pra në një vend normal demokratik Berisha duhet të ishte në pension duke lexuar e shkruar libra.
Por në kushtet kur Edi Rama ka çdo pushtet, zotëron përbukuri oratorinë politike si dhe nuk ka ndërmend të iki edhe pas 4 vitëve, atëhere nuk ka zgjidhje tjetër për të ruajtur sadopak demokracinë dhe shpresën, pra Berisha mbetet e vetmja shpresë demokracie.
Duket paksa ironike që edhe pas 30 viteve të thuash se “Berisha mbetet e vetmja shpresë demokracie”. Nëse do të kishte zbatim të ligjit, nëse do të kishim demokraci sot duhej të kishin ikur Berisha, Meta, Rama e krejt shpura e 30 vitëve. Dhe do të kishim të tjerë emra që drejtonin qeverinë dhe opozitën e ku brezi i ri i rritur në epokën digjitale do të administronte shtetin shqiptar.
Fatkeqsisht jemi prapa dhe në epokën kur Edi Rama, me një mjeshtri djallëzore, nuk do të iki edhe për shumë vite. Kjo edhe për fajin e një shoqerie të pa emancipuar, por kryesisht se opozita është një deziluzion kombëtar.
Në mos e blerë!
Që të mos kemi një Rama-mbret ka nevojë që kjo lëvizje e inicuar nga Berisha të përhapet e të kthehet në ortek popullor. Nuk dua të besoj se Berisha e filloi për “demokracinë” dhe për “statutin” e PD-së.
Kjo është idiote ta mendosh!
Por nisur nga kushtet e sotme kur opozitë nuk ka, kur pushteti po bëhet gjithnjë e me shumë për llogari të një grushti njerëzish dhe biznesmenësh, kur ndërkombëtarët e kanë braktisur Shqipërinë dhe nuk reagojnë më si dikur, kur media është e kontrolluar në masë dërmuese nga qeveria, kur biznesi i vogël dhe i mesëm punojnë për fitimet e 10 apo 15 oligarkëve, kur populli i revoltuar shkon pas Berishës si zgjidhje, atëhere nuk ka zgjidhje tjetër veçse të mbështetet një PD ndryshe dhe më e madhe, një PD e hapur dhe me shpresën se do jetë e kujdesshme nga fajet e këtyre 8 vitëve, por duke mos përsëritur as gabimet që nga viti 1991 e këtej.
Berisha po rikthehet. Natyrisht jo si Berishë kryeministër i ardhshëm, jo si Berishë që kemi njohur në anët e errta të tij, por me shpresën endërrimtare se do krijojë një PD të madhe, më të madhe se ajo e vitit 2005, kur u rikthye në pushtet.
Basha realisht do mbetet minorancë në PD, zero në elektorat dhe me pak deputetë. Pas 11 dhjetorit vala e protestave kundër kryeministrit Rama do jenë të forta dhe pa asnjë kompromis me qeverinë. Këto protesta të reja, që po planifikohen për muajin dhjetor e në vazhdim, nuk do jenë si ato të Bashës para dy vitëve ku i silleshin me edukatë kryeministrisë dhe ku protestuesit shkonin të lodhur para drejtorisë së policisë së Tiranës!
E ku Basha u thoshte protestuesve: “Shkoni tani në shtëpi, se Rama u frikësua”!
Këto protesta do jenë më të vertetë sfiduese dhe ku do ta mbledhin kruspull Edi Ramën në Surrel pasi hyrja në kryeministri do jetë mision i pamundur.
Duke e radikalizuar situatën në Bulevardin kryesor të Tiranës, Berisha realizon edhe qëllimin që e zhbën Bashën si kryetar me vulë. Nuk do jetë çudi se nga Bulevardi një orë sa për “xhiro” demonstruesit do të kalojnë nga zyra e Lulzim Bashës te selia blu, ku bathorianët, laçianët, lebërit, tropojanët, shkodranët dhe kosovarët e Fierit do të mund të gjejnë mundësinë të “puthin” paksa Bashën në ballë. Dhe me pas t’ia çojnë tavolinën e tij në Lanë.
Kjo që po bën Berisha ka ndezur elektoratin opozitar. Kudo nëpër rrethe kanë filluar të organizohen e bëhen gati për protestën e madhe të dhjetorit.
Natyrisht kushdo beson se Ilir Meta nuk ka një dorë, gabon. Presidenti mezi pret një “2 mars” të dytë, por këtë herë e do me dy “2-sha” si një 22 mars, dikur! 22 marsi i vitit 1992, kur Opozita mori përpara pushtetin e kohës.
Pra Berisha dhe Meta janë tashmë një. Meta mezi rri në zyrën presidenciale. Ai ka heshtur pas 25 prillit pasi u ndje i tradhtuar paksa nga vetvetja, por me shumë nga Lulzim Basha.
E verteta mbetet se LSI-në e rrethuan Rama përballë dhe Basha si “kolonë e pestë”.
Ilir Meta, pavarësisht disa oshilacioneve të pa shpjegueshme para elektorale dhe në dy javët e pas zgjedhjeve, prapë mbetet një luan politik, ndonëse lidhur me zinxhir në presidencë. Orteku Berisha, që pa asnjë diskutim merr PD-në, do të ketë edhe gurët e Skraparit duke krijuar një Opozitë të madhe dhe të rrezikshme për pushtetin e Edi Ramës.
Nuk mund të themi se Rama bie në dhjetor nga vala e protestës ku do ketë mbi 100 mijë veta ditë-natë përreth “kërpudhës kryeministrore”, por një gjë dihet se tashmë nuk ka më një Lul Basha në shesh, por një dyshe të egër Berisha-Meta, të cilët e kanë për jetë a vdekje fitoren e tyre, e ku natyrisht fiton edhe populli opozitar.
FRONTI ANTIRAMA do jetë epokal. Lëre se çfarë thotë apo mundohet të ironizojë Basha apo të përqesh Edi Rama.
E verteta po vjen, nuk vonon. Dhjetori ka edhe një muaj, ndaj ka filluar të nxehet “zifti” dhe kazanët! /Koha Jone/