Nga Boldenws.al
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka zbardhur argumentat për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Tiranës, Dritan Gina, nëpërmjet një vendimi të shoqëruar me shkelje të normale proceduriale dhe standarteve të vendosura nga vetë institucionet e Vetingut.
Në vendimin prej 22 faqesh, ndër më të shkurtit në historikun e KPK-së, trupa e drejtuar nga Etleda Çiftja, relatore Xhensila Pine dhe anëtare Valbona Sanxhaktari, ka arritur në konkluzionin se Gina ka bërë “deklarim të pamjaftueshëm” për pasuritë e tij.
Në seancë dëgjimore dhe në vendimin e zbardhur, rezultoi se Dritan Gina është hetuar për dy kritere; pasurinë dhe figurën. Por, megjithatë, vendimi është mbështetur vetëm në kriterin e pasurisë, ndërkohë që nuk ka asnjë konkluzion për integritetin personal.
Sipas vendimit të KPK, prokurori Gina ka kryer “deklarim të pamjaftueshëm” për blerjen e një apartamenti në Durrës, si edhe për fitimin e pronësisë së një apartamenti në Tiranë.
Trupa e Vetingut konstatoi gjithashtu se Gina nuk arrinte të mbulonte me burime financiare të ligjshme blerjen e një automjeti nga bashkëshortja e tij, Rovena Gashi, ndërkohë që ky pretendim nuk ishte ngritur gjatë procesit të rivlerësimit të zonjës Gashi, ish-prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme.
Ndërkohë, trupa e KPK-së e konsideroi si shkelje edhe faktin që Dritan Gina parashtroi një seri kërkesash proceduriale, të cilat përbënin të drejtë elementare për një proces të rregullt ligjor.
Proces i deformuar
Fati i karrierës së Dritan Ginës duket se ka qenë i paracaktuar shumë kohë përpara se ai të përfshihej në Veting.
Në fillim të vitit 2018, Gina dhe bashkëshortja e tij, Rovena Gashi, ish-drejtuese e Njësisë së Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, u pezulluan nga detyra, nëpërmjet një vendimi të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, vendim i cili u konstatua absolutisht i pavlefshëm nga Gjykata Administrative.
Bashkëshortët Gashi dhe Gina u përfshinë në një hetim penal për pasurinë me kërkesë të Arta Markut. Edhe ky hetim u pushua me vendim të prerë të Gjykatës, pasi nuk u konstatua asnjë element i veprës penale.
Megjithatë, kjo situatë ndikoi në përkeqësimin e imazhit të ish-prokurores Rovena Gashi, e cila u shkarkua me një proces tejet të dyshimtë Vetingu.
Ndërkohë që Gashi iu drejtua Gjykatës së Strasburgut, bashkëshorti i saj, Dritan Gina, u përfshi në Veting, si pjesë e një liste të rekomanduar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, në Nëntor 2019, gjatë kohës që ai vijonte të ishte i pezulluar nga detyra, pasi Arta Marku nuk pranonte të firmoste rikthimin e tij në detyrë.
Veting i paracaktuar
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në hetimin administrativ për Dritan Ginën, i është referuar kryesisht gjetjeve të procesit të mëparshëm të bashkëshortes së tij, Rovena Gashi, duke qenë se pasuria e tyre është e përbashkët.
Për të qartësuar standartet e shumëfishta të ndjekur nga KPK, analiza nis nga Vetingu i Rovena Gashit dhe përfundon tek Dritan Gina.
Rovena Gashi ishte një prej figurave më të rëndësishme të Prokurorisë së Përgjithshme për disa vite.
Në cilësinë e Shefes së Dekriminalizimit, ajo firmosi largimin nga detyra të rreth 10 deputetëve të maxhorancës socialiste dhe një morie zyrtarësh të tjerë të niveleve të ndryshme të administratës.
Pas largimit nga detyra me urdhërin e paligjshëm të Arta Markut, ajo u gjend nën një fushatë të ashpër mediatike e politike, me shumë mundësi si një hakmarrje për vendimet e saj që lidhen me Dekriminalizimin.
Media, kryesisht të majta, shpërndanin të dhëna për “pasuri përrallore” të bashkëshortëve, ku i rendisnin, ndër të tjera, pronësi në 16 apartamente, automjete dhe qindra mijëra euro.
Këto të dhëna nuk rezultuan aspak reale, megjithëse ishin të mjaftueshme për të krijuar bindjen në opinionin publik se Rovena Gashi kishte probleme të theksuara me pasurinë.
Fushata e ashpër mediatike duket se ia bëri më të lehtë Komisionit të Vetingut për të shkarkuar dy vjet më parë Gashin, të cilës nuk i pranuan asnjë provë për të kundërshtuar gjetjet e KPK-së.
Për të njëjtat arsye, edhe bashkëshortin e saj, Dritan Gina, u shkarkua këtë shtator.
Pasuria
Apartamenti në Durrës
Dritan Gina dhe Rovena Gashi, në vitin 2011, kanë blerë një apartament 105 m2 në Durrës. Në kontratë e shit-blerjes është shënuar se vlera e apartamentit është 80 mijë euro dhe se paratë “janë paguar jashtë zyrës noteriale”.
Sipas deklaratës së pasurisë së vitit 2011, por edhe në formularin Veting, Gina dhe bashkëshortja e tij kanë deklaruar se për këtë apartament kanë paguar 45 mijë euro, të cilat i kanë marrë me kredi.
Ndërsa diferenca prej 35 mijë euro nuk është paguar, pasi është “zbritje preferenciale” për shkak të lidhjeve familjare me ndërtuesin.
Siç rezulton nga dokumentat e dorëzuar pranë KPK-së, kompania ndërtuese e ka deklaruar këtë “zbritje preferenciale” që në bilancin e saj tregtar për vitin 2011, të dorëzuar pranë Zyrës së Tatimeve dhe vijon të jetë i tillë.
Shoqëria ndërtuese, në një shkresë drejtuar Komisionit të Vetingut, deklaron se “..ka aplikuar një çmim preferencial, në vlerën prej 45.000 euro, duke i zbritur palës blerëse vlerën e detyrimit prej 35.000 euro të çmimit të shitjes të deklaruar në kontratën e shitjes me rezervë të pronës, në formën e faljes së detyrimit..”.
Këto sqarime nuk janë marrë në konsideratë nga KPK. Në vendim, trupa e Vetingut deklaron se “trupi gjykues vlerësohet se nuk ekziston asnjë shkak ligjor që të vërë në dyshim vërtetësinë e fakteve të përshkruara në kontratën e shitblerjes dhe deklaratën noteriale të nënshkruar mes palëve”.
Në këtë mënyrë, KPK i konsideroi Ginës shpenzimin për blerjen e apartamentit në Durrës në shumën 80 mijë euro, duke konstatuar si rrjedhim edhe mungesë burimesh financiare.
Qëndrimi i KPK-së në rastin e Ginës është tërësisht i ndryshëm me atë që ka mbajtur institucioni në raste të ngjashme.
Në vendimin nr. 394, dt. 07.06.2021, KPK konstatoi se subjekti V.Ç. kishte nënshkruar një kontratë shit-blerje apartamenti, ku ishte shënuar se e gjithë shumë ishte paguar “jashtë kësaj zyre noteriale”.
Por, siç konstatoi vetë KPK, subjekti V.Ç. e kishte paguar shumën pas një muaji e 10 ditësh nga nënshkrimi i kontratës.
Në atë rast, trupa e Vetingut arsyetoi: “Komisioni vlerëson se pavarësisht se pala shitëse dhe ajo blerëse (subjekti i rivlerësimit) kanë shprehur vullnet të vesuar përpara noterit …., duke e pasqyruar çmimin e blerjes së apartamentit me sip. 137,4 m2, si të paguar tërësisht nga ana e blerësit jashtë zyrës noteriale, ndërkohë që pagesa e çmimit të apartamentit është kryer rreth një muaj e 10 ditë më pas, gjithësesi provat e sjella nga subjekti krijojnë bindjen e plotë se në asnjë rrethanë subjekti i rivlerësimit nuk ka kryer dhe nuk ka tentuar të kryejë ndonjë deklarim të rremë në lidhje me pagesën e çmimit të blerjes së apartamentit, gjithashtu, nuk ka fshehur dhe nuk ka tentuar të fshehë burime financiare të paligjshme që do të mund të përdoreshin për blerjen e këtij apartamenti”.
Pra, është saktësisht e njëjta situatë ndërmjet prokurorit Dritan Gina dhe subjektit V.Ç. Por, KPK ka ndjekur standarte të ndryshme, duke e konfirmuar në detyrë subjektin V.Ç.
Një rast i ngjashëm gjendet edhe në vendimin nr. 27, dt. 25.06.2018, të marrë për subjektin B.U nga e njëjta trupë që ka kryer Vetingut e prokurorit Gina.
Edhe në atë rast, KPK konstatoi se subjekti B.U. ka nënshkruar kontratë për blerje apartamenti me shënimin që “paratë janë paguar jashtë zyrës noteriale”. Ndërkohë, trupa e Vetingut konstatoi se një pjesë e parave ishin paguar rreth një muaj pas nënshkrimit të kontratës.
Në atë vendim, treshja Çiftja-Sanxhaktari-Pine justifikonin subjektin B.U: “…shuma prej 8.970 eurosh nuk u është dhënë shitësve në datën e lidhjes së kontratës së shitjes me kusht, apo më parë, por rreth 1 muaj më pas, bazuar në kushte e mirëbesimit dhe lidhjes gjinore…”.
Pra, edhe në këtë rast, KPK e ka toleruar subjektin, duke sjellë në vëmendje “marrëdhënien e mirëbesimit dhe lidhjes gjinore”.
Prokurori Dritan Gina ishte në të njëjtën situatë, ku ka firmosur kontratë në kushte mirëbesimi me një person të lidhur në gjini. Por, KPK, më saktësisht e njëjta treshe komisioneresh, nuk mbajtën të njëjtin standart për Ginën.
Apartamenti në Tiranë
Në vitin 2004, babai i Rovena Gashit porosit një apartament në Tiranë, me sipërfaqe 121 m2. Në kontratën e porosisë shënohet se çmimi i shitjes prej 38.800 USD është likujduar nga blerësi në favor të shitësit.
Në vitin 2013, babai i Gashit vendos të heqë dorë nga pronësia e apartamentit, duke ia dhuruar vajzës së tij dhe bashkëshortit, Dritan Gina.
Pas regjistrimit të pasurisë në Hipotekë, mes pronarit dhe bashkëshortëve Rovena Gashi dhe Dritan Gina nënshkruhet kontrata e shit-blerjes, ku shënohet se blerësit kanë likujduar shumën prej 38.800 USD.
Pavarësisht se KPK-ja kishte në dispozicion të gjithë praktikën për posedimin dhe më pas likujdimin e këtij apartamenti nga babai i Rovena Gashit, sërish argumenton se çmimi është paguar nga ajo dhe Dritan Gina, sipas shënimeve në kontratën e vitit 2013.
E, nisur nga kjo premisë, ka konstatuar së bashkëshortët Gashi e Gina nuk kanë pasur mundësi financiare për të krijuar këtë pasuri, ndërkohë që të gjithë dokumentat tregonin se ata nuk e kanë blerë apartamentin, por se shuma është paguar nga babai i ish-prokurores.
Automjeti
Vendimi i shkarkimit të Dritan Ginës ka edhe një detaj absurd. KPK konstatoi se prokurori i Tiranës nuk justifikon me burime të ligjshme blerjen e një automjeti me leasing, nga bashkëshortja e tij, Rovena Gashi.
Ndërkohë, në procesin e rivlerësimit të Rovena Gashit, të zhvilluar në vitin 2018, u konstatua se ajo kishte burime të ligjshme për blerjen e mjetit.
Skandali me DSIK
Deri në nëntor 2017, Rovena Gashi rezultonte pozitive në kriterin e figurës dhe kishte “Çertifikatë Sigurie” të nivelit C, më e larta në Shqipëri.
Në fillim të vitit 2018, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), e cila më parë kishte konstatuar përshtatshmërinë e Rovena Gashit për vijimin e detyrës, ndryshon raport, duke e shndërruar në “papërshtatshmëri”.
Në dokumentin e DSIK-së për Gashin thuhet se për të nuk ka asnjë indicje për përfshirje në veprime korruptive apo lidhje me krimin e organizuar, por ajo është e papërshtatshme pasi për bashkëshortin e saj, Dritan Gina, rezultojnë të dhëna kompromentuese.
Gjatë procesit të rivlerësimit të Dritan Ginës rezultoi një situatë absurde. Sipas deklarimeve të trupës së KPK-së, Dritan Gina rezultonte i përshtatshëm deri në Dhjetor 2020, sipas raportit të DSIK-së e më tej u ndryshua në “papërshtatshmëri”.
Pra, duket qartë se ai ka qenë i përshtatshëm për të vijuar detyrën, më së paku gjatë kohës që bashkëshortja e tij ishte në Veting. Duket e habitshme se përse në dokumentat e Rovena Gashit bashkëshorti i saj rezultonte i “papërshtatshëm”, ndërkohë që ai ishte “i përshtatshëm”.
Por ky nuk është i vetmi skandal në verifikimin e figurës së Dritan Ginës.
DSIK konstatoi “papërshtatshmërinë e tij”, pas një informacioni të Shërbimit Informativ Shtetëror, i cili referonte se Dritan Gina duhet të jetë përfshirë në veprime korruptive në shqyrtimin e një çështjeje të vitit 2014.
Dritan Gina deklaroi në seancë dëgjimore se ky informacion është i pavërtetë, duke vendosur në dispozicion të trupës së Vetingut edhe dokumentacionin përkatës.
Ai argumentoi se Shërbimi Informativ Shtetëror ka dërguar të njëjtin informacion edhe në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në (ish) Prokurorinë për Krime të Rënda.
Prokuroria e Përgjithshme, pasi shqyrtoi dosjen hetimore dhe gjyqësore, nuk gjeti asnjë shkelje dhe e arkivoi çështjen.
Ndërsa (ish) Prokuroria për Krime të Rënda, në vitin 2017, vendosi arshivimin, pasi nuk ka pasur asnjë lloj indicjeje për të nisur verifikimet.
Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokuroria për Krime të Rënda i kanë kthyer përgjigje Shërbimit Informativ Shtetëror për këtë rast prej disa vitesh.
“Për çfarë arsye, Shërbimi Informativ Shtetëror e risjellë këtë rast dhe kërkon penalizimin tim, kur është sqaruar zyrtarisht nga dy institucione që nuk ka çështje fare në pretendimin e tyre?”, ngriti pikëpyetjen prokurori Gina gjatë seancës dëgjimore.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, siç rezulton në vendimin e zbardhur, nuk ka dhënë asnjë konkluzion për kriterin e figurës së prokurorit Gina.
Treshja e Vetingut vendosi shkarkimin e tij vetëm për kriterin e pasurisë, nën argumentin e “deklarimit të pamjaftueshëm”.
Ky vendim i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i bazuar vetëm në një kriter, bie ndesh me urdhërimet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA).
Në vendimin nr. 14, datë 15.06.2021 që lidhet me subjektin I.B, Kolegji i Posaçëm i Apelimit urdhëron Komisionin e Pavarur të Kualifikimit që “të vazhdojë të kryejë procesin e rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit, znj. Irma Balli, edhe për kriteret e kontrollit të figurës dhe të vlerësimit të aftësive profesionale”.
Ky urdhërim, i cili është automatikisht i zbatueshëm për KPK-në, është marrë rreth 3 muaj para seancës dëgjimore për prokurorin e Tiranës, Dritan Gina.
Por, siç konstatohet, trupa e KPK-së e ka injoruar urdhërin e shkallës më të lartë.