Kandidati për kryetar në zgjedhjet e fundit në Partinë Demokratike, Fatbardh Kadilli ka komentuar zhvillimet në PD dhe përplasjen mes Lulzim Bashës e Sali Berishës.
Kadilli shprehet se kriza e PD-së po thellohet, Bashën e cilëson një humbës, ndërsa Berishën të mundur.
Sipas tij, Basha duhet të japë dorëheqjen, ndërsa Berisha nuk duhet të kthehet. Ai propozon një kryetar të ri të Partisë Demokratike.
Reagimi
Në një postim në FB, Kadilli shkruan:
Një zgjidhje për të gjithë, jo për dy.
1- Kriza e PD-së po thellohet. Shumica e demokratëve e di që jemi në pikën më të ulët, por kjo nuk e pengon as Berishën as Bashën të zihen në distancë. As njëri, as tjetri nuk japin zgjidhje. Asnjëri nuk do të tërhiqet. Do t’i shkojnë deri në fund. Berisha do mbledhë njerëzit. Basha do mbajë vulën. Do shkojnë në gjykatë si ciftet që divorcohen. Do ndajnë plaçkën. Po demokratët çfarë fitojnë? Asgjë të vlefshme përveçse, nga një kryetar do kenë dy.
Kushdo që të fitojë mes Bashës a Berishës, do kontrollojë një PD të vogël. Një PD e ndarë nuk fiton.
Basha është humbës. Berisha është i mundur. Si do shkojmë përballë Ramës? Me kryetar të mundur dhe me parti më të vogël?
2- Basha e ka tkurrur partinë dhe e drejton me një ekip privat. Për këdo që ka vëmendjen më të vogël për punët e PD-së është e qartë që Basha drejton me ekipe personale. Forumet janë kot. Janë për dekor. Nënkryetarët, Sekretarët dhe bashkëpunëtorët i ka si dekor. Ata nuk guxojnë të bëjnë beteja politike. Kënaqen me postin. Sa kohë qëndrojnë në rresht do jenë dekor i “paster”.
3- Ndërsa Berisha po shkel territor, Basha po rrit tonet. Ai po i quan llum ata që shkojnë pas Berishës. Pyetja është kjo: Si i ndan Basha
kush nga ish ministrat dhe ish drejtorët janë të korruptuar? Pse ata që shkojnë pas Berishës janë të korruptuar dhe këta që shkojnë pas Bashës jo? Pse Bardhi, Alibeaj, Duma, Rushaj, Tabaku, Çollaku, e shumë e shumë drejtorë janë të pastër? Ndërsa Noka, Paloka, Bylykbashi, Spaho e drejtorë të tjerë janë llum?
4- Basha flet për “oligarkë”. Vetëm flet. Nuk akuzoi. Thjesht u përmendi emrat. Kastrati dhe Mane. As nuk u trimërua as nuk u çlirua.
Po, pse për këtë ishim keq? Kjo e bën lider? Kjo e ndan nga e keqja? Me të drejtë shtrohet pyetja, a ka marrë financime nga këta dy oligarkë? A është financuar PD nga këta? Nëse po, çfarë vlen që i përmend emrat? Njerëzit pyesin: A ka pasur kompania e kunatit kontrata direkte ose indirekte me këta oligarkë? Këtë duhet të sqarojë Basha.
5- Basha është Problemi i sotëm – Berisha shkaku i këtij Problemi.
Foltorja është bërë si faltore. Shkojnë e falen të dëshpëruarit nga kryetari. Kanë të drejtë që kanë inat Bashën. Por të falesh në faltore nuk e zgjidh problemin. Ngushëllohesh, por nuk shpëton nga problemi. Ndjekësit e Berishës mendojnë se do shpëtojnë nga një kryetar, por po prodhojnë një kryetar dhe më të fortë. Nuk shpëtohet partia duke forcuar dhe mitizuar Kryetarin, apo rivalin e tij. Nuk zgjerohet demokracia e partisë nga kryetari. As nga Basha, as nga Berisha.
Kryetarët që humbin dhe nuk largohen e kthejnë partinë në monopol. Një parti monopol i Bashës, apo i Berishës është njëlloj e kapur. Të dy kanë të njëjtat metoda. Të dy kanë të njëjtët klientë në biznes, në media.
6- Dinamika e konfrontimit në distancë mes Bashës dhe Berishës po na çon drejt një Kuvendi traumatik. Një Kuvend i tillë, nuk do sjellë asnjë zgjidhje. Heq Bashën që e ka bërë PD monopol. Kthen Berishën që e ka pas gjithnjë monopol. Ose dhe me keq: Do heqim Lulin për të vënë Nulin? Heqim një Zero dhe shtojmë një Zero?
7- Demkratët të rikthehen tek Manifesti. Manifesti Politik për Ringritjen e PD i ka përgjigjet. Një parti më e madhe se kryetari dmth Partia e fortë – jo kryetari. Kryetari ka vetëm një shanc. Humbi? Ikën.
Këta që kanë humbur kanë pasur më shumë se një shanc.
Propozimet e Manifestit sot i përdor Berisha. Por, ai nuk mundet, edhe po të dojë, nuk mundet që t’i verë në jetë. Flet për primare. Zgjedhje primare me Berishën Kryetar nuk mund të ketë. Demokratët e dinë përfundimin e primareve të Berishes. Fitonte Basha, si i zgjedhuri i tij. Zgjedhje kemi bërë, por fitues ka dalë gjithnjë i preferuari i Berishës, sic del sot i preferuari i Bashës.
Flet për parti të hapur. Parti të hapur ku kthehen ata që u mërziten dhe ata që u përzunë nuk është parti e hapur. Kryetari të përzë, kryetari të kthen. Kjo nuk është hapje. E hapur është partia kur t’i sjell ata që nuk i ke pasur kurrë. Këta do vijnë kur të jemi të
sinqertë dhe të pastër e të papërlyer. S’ka të tillë në PD?
8- Çfarë zgjidhjeje na shërben në Partinë Demokratike?
- Basha duhet të ikë. Berisha nuk duhet të kthehet.
- Basha të japë dorëheqjen. Berisha të mos kandidojë. Ta thotë qartë.
Ata që ndjekin foltoren ta dinë që jane atje për ndryshimin e partisë,
apo janë që të rikthejnë Berishën.
- Kuvendi të caktohet vetëm pas largimit të Bashës. Kuvendi duhet t’i
shërbejë demokratëve, askujt tjetër.
- Me ikjen e Bashës hapet gara. Zgjidhet kryetar i ri.
- Kuvendi të bëhet më vonë për të vënë punët në vijë.
Kjo është një zgjidhje për të gjithë. Nuk është vetëm për dy.
Për një PD të pastër, të fortë dhe konkurruese!