Ja vendimet e miratuara në mbledhjen e KLP

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot mbledhjen plenare të radhës, ku u miratuan një seri vendimesh.

Këshilli vendosi unanimisht të deklarojë mbarimin e statusit të magjistratit, për shkak të mbushjes së moshës së pensionit, për z.Shyqyri Duro, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, sipas kërkesës së tij drejtuar KLP-së. Dorëheqja jep efekt më datë 04.11.2021.

Komisioni për Zhvillimin e Karrierës i propozoi Këshillit mbylljen e procedurës së ngritjes në detyrë në pozicionin e Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje, Pogradec, Sarandë dhe në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Durrës, duke qenë se nuk kanë mbetur kandidatë të tjerë në garë.

Gjatë procedurës së verifikimit për Drejtuesin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje, kandidat i vetëm ka qenë prokurori Arben Dyla, i cili është pezulluar nga KPK më datë 09.09.2021, për rrjedhojë, nuk ka më kandidat për këtë zyrë prokurorie. Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, kandidat i vetëm, ka qenë prokurori Dorina Bejko. Këshilli i Lartë i Prokurorisë, me datë 23.07.2021 ka emëruar znj. Bejko në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Për këtë pozicion nuk ka kandidat të tjerë.

Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, ka pasur dy kandidatë, të dy të pezulluar nga KPK-ja, për rrjedhojë, nuk ka më kandidatë për këtë zyrë prokurorie.

Gjithashtu, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Durrës, kandidat i vetëm ka qenë prokurori Ludovik Dodaj, i cili më datë 11.10.2021 ka dhënë dorëheqjen nga kandidimi për Drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Durrës, pasi ka shprehur interesin për kandidimin si anëtar i KLP-së. Këshilli vendosi në mënyrë unanime mbylljen e kësaj procedure.

Këshilli vendosi zgjatjen e afatit të caktimit të përkohshëm tremujor për z. Aurel Zarka në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, të z. Asllan Bajramaj në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Përmet dhe të znj. Elidjana Kasa në pozicionin e Prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.

Gjithashtu, Këshilli vendosi caktimin e përkohshëm të znj. Afërdita Ndoi, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në pozicionin e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Durrës, nga data 27.10.2021 – 26.11.2021.

LEXO EDHE  Sulmi me kallash ndaj autobusit me nxënës, drejt mjetit u zbras 1 karikator

Me 10 vota pro dhe 1 kundër (z. Tartar Bazaj ), Këshilli vendosi të ndërpresë pezullimin e vendimeve të tij të mëparshme, për shkak të vendimeve të formës së prerë të Gjykatës Administrative të Apelit, me qëllim vijimin e procedurave për caktimet në detyrë nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele. Për rrjedhojë, Këshilli vendosi me 11 vota pro, caktimin në pozicionin e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, të znj. Arta Marku, znj. Ledina Riza dhe znj. Afërdita Ndoi. Theksojmë faktin se znj. Ndoi aktualisht është e caktuar përkohësisht si prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Durrës, caktim ky që, me emërimin në këtë pozicion, quhet i përfunduar.

Në vijim të seancës, Këshilli vendosi të konsiderojë të përfunduar procedurën e verifikimit të pasurisë dhe figurës të kandidatëve znj. Anjeza Topçi, znj. Vilma Hasneziri dhe znj. Klerta Gjika, për pranimin në Programin e Formimit Fillestar të Shkollës së Magjistraturës në vitin akademik 2021-2022.

Këshilli vendosi unanimisht të konsiderojë të përfunduar procedurën për verifikimin e pasurisë dhe figurës për z. Erjon Shehaj, kandidat për Drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, z. Petrit Çano, kandidat për Drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë dhe z. Albert Kuliçi, kandidat për Drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë.

Shorti ka zgjedhur znj. Esmeralda Keshi dhe z. Tartar Bazaj, si anëtarë të Komisionit të Posaçëm për plotësimin e 2 (dy) vakancave në Strukturën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK). Komisioni përbëhet nga 5 (pesë) anëtare, ku 3 (tre) prej tyre janë detyrimisht anëtarë të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës në KLP.

Në përfundim, Këshilli miratoi 6 (gjashtë) raportet për analizimin e aftësisë profesionale të subjekteve të rivlerësimit, znj. Fahrije Vata, znj. Elveta Murra, znj. Merita Selimi. z. Arian Ndoja. z. Arian Xhaferri. z. Armand Gurakuqi. Një kopje e raporteve i dërgohet Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.