Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi mungesa burimesh financiare në vlera të konsiderueshme për krijimin e pasurive si pasojë e pamundësisë për të provuar ligjshmërinë e disa burimeve të deklaruara, që u kundërshtuan nga gjyqtarja e Tiranës Manjola Bejleri.
Gjyqtarja Manjola Bejleri e Gjykatës së Tiranës u përball të hënën më 18 tetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore që zgjati afro katër orë dha shpjegime të detajuara për balancat negative dhe për dyshimet për fshehjen e një mjeti në emër të vëllait, të cilat i kundërshtoi. Bejleri u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërkohë që dha shpjegime për një pjesë të 30 denoncimeve nga publiku, megjithëse prej Komisionit nuk u relatuan konstatimet e këtyre gjetjeve.
Procesi i saj i vetingut po kryhet nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtar Olsi Komicin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerit Sprenger.
Manjola Bejleri e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtare në Gjykatën e Tiranës. Ajo ka qenë gjithashtu kryetare e shoqatës së gjyqtarëve.
Gjatë seancës dëgjimore, gjyqtarja Bejleri u përfaqësua edhe nga djali i saj, i cili në fund paraqiti rezultatet e analizës financiare të kryer nga ana e tyre.
Balancat negative
Komisioni konstatoi mosdokumentimin e burimeve të ligjishme që kanë shërbyer për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe totale 104 m2 në vitin 2003 kundrejt vlerës 41 mijë e 440 USD, pasuri e rivlerësuar në vitin 2017 në vlerën 13 milionë lekë.
Si burime krijimi të kësaj pasurie, gjyqtarja Bejleri ka deklaruar një kredi në shumën 30 mijë USD dhe një hua në vlerën 12 mijë USD të dhënë nga vëllai i madh në vitin 2002. Sipas Sanxhaktarit, subjekti ka sqaruar se nuk e ka shlyer ende huanë e marrë nga vëllai i cili jeton në Australi, pasi ai ka të ardhura të konsiderueshme dhe kanë vlerësuar që për momentin të mos ia kthejë. Nga hetimi ka rezultuar se Bejleri e ka pasqyruar në deklarime këtë deytrim financiar. Por, nga analiza financiare e KPK është konkluduar se huadhënësi A.B. nuk ka pasur mundësi për dhënien e kësaj shume.
Komisioni evidentoi se kredia 30 mijë USD e marrë në vitin 2003 është shlyer totalisht në 2007-ën për vlerën e mbetur 23 mijë USD. Si burime për shlyerjen e pjesës së mbetur gjatë vitit 2007, Bejleri ka deklaruar të ardhurat nga paga, shumën 1 milion lekë të përfituar nga shitja vëllait të vogël të pjesës takuese ¼-ën në banesën e përfituar me privatizim nga familja e origjinës, si dhe 1 milion lekë hua po nga vëllai që jeton në Shqipëri.
Nga hetimi ka rezultuar se edhe vëllai që jeton në Australi ka shitur pjesën e tij takuese ¼ për vlerën 950 mijë lekë dhe në këtë transkasion ka rezultuar se është përfaqësuar me prokurë të posaçme nga nëna e tyre.
Sipas KPK, vlera totale e shitjes ishte 1 milion e 950 mijë lekë dhe se pjesa takuese ¼ është rreth 470 mijë lekë dhe jo 1 milion lekë sa ka deklaruar subjekti.
Sanxhaktari vijoi se huaja e marrë nga vëllai i vogël në shumën 1 milion lekë nuk është dokumentuar, por rezulton se është pasqyruar në deklaratat periodike. “Deri në këtë moment të hetimit ka rezultuar se vëllai nuk ka pasur mundësi për dhënien e huasë”, pohoi Sanxhaktari.
Nga analiza financiare e KPK për shlyerjen e pjesës së mbetur të kredisë 23 mijë USD në vitin 2007 ka rezultuar balancë negative në shumën 1.4 milionë lekë.
Gjyqtarja Manjola Bejleri u ndal gjatë në shpjegimet e për gjetjet për pasurinë dhe theksoi se analiza financiare e KPK-së përmban pasaktësi. “Sqaroj se vetmja pasuri që kam krijuar nga puna ime është një banesë 1+1 me vlerë 41 mijë USD e blerë me kredi si dhe një makinë 250 mijë lekë”, pohoi Bejleri.
Bejleri këmbënguli se vëllai në Australi ka pasur mundësi për dhënien e huasë dhe se e ka vërtetuar këtë fakt me dokumentet që kishte dorëzuar për të ardhurat e siguruara prej tij nga puna në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA dhe në Kanada. Gjyqtarja solli në vëmendje se ka dorëzuar dokumentacion lidhur me llogarinë e kursimeve të vëllait për pension.
“Këto të ardhura të tij të kursyera janë të gjitha të taksuara dhe të ligjshme, pasi ndryshe nuk do të lejoheshin. Është fond për pensionin”, pohoi Bejleri dhe vërejti se ka qenë e pamundur të siguroheshin dokumente për pagimin e detyrimeve nga vëllai për periudhën 1999-2001. Ajo shtoi se kishin depozituar dokumentacion dhe të dhëna lidhur me pagën minimale në Australi prej nga ai rezultonte se kishte pasur mjaftueshëm të ardhura për kursimin e shumës 12 mijë USD dhe dhënien e kësaj vlere hua.
Bejleri kërkoi që të konsiderohej edhe gjendja e saj në kushtet e pamundësisë objektive për të siguruar dokumente për pagimin e tatimit për të arhdurat nga vëllai pasi ka kaluar kohë e gjatë dhe dokumentet nuk ruhen.
Subjekti pretendoi se kishte provuar edhe ligjshmërinë e burimeve që kanë shërbyer për shlyerjen e vlerës së mbetur të kredisë në shumën 23 mijë euro. Ajo shpjegoi se nuk kishte pasur ndonjë interes të veçantë për ta shlyer kredinë menjëherë, por vëllai kishte dashur të blinte shtëpinë që kishin përfituar nga familja e saj e origjinës nëpërmjet privatizimit, ndërkohë që kjo pasuri ishte vendosur si kolateral. Sipas Bejlerit, kjo kishte qenë arsyeja që kishe shlyer kredinë, pasi nuk mund të kryhej shit-blerja e pjesëve takuese të shtëpisë nga vëllai.
Bejleri theksoi se vëllai kishte pasur të ardhura të mjaftueshme për krijimin e vlerës 2 milionë lekë që kishte shërbyer për shlyerjen e pjesës së saj takuese dhe huan 1 milion lekë. Për shlyerjen e pjesës takuese të vëllait të madh në shumën 950 mijë lekë, subjekti deklaroi se kjo ishte provuar se ishte kryer në vitin 2018 dhe jo në vitin 2007. Sipas Bejlerit, vëllai i vogël nuk kishte përfituar pjesë takuese pasi kishte qenë i mitur kur ishte kryer privatizimi, ndërsa prindërit e kishin dhuruar pjesën e tyre me kushtin që të jetonin aty.
Subjekti theksoi se kishte provuar se vëllai kishte punuar për disa organizata jofitimprurëse që prej vitit 1999 dhe se kishte përfituar paga të mira nga 600 deri në 800 USD. Sipas saj, më pas vëllai ka punuar për Albtelekom me pagë të mirë ku ka siguruar më shumë se 1 milinë lekë të ardhura dhe në vijim si pedagog. “Nuk është njohur vlera 3.7 milionë lekë e përfituar nga organizatat jofitimprurëse”, deklaroi Bejleri dhe pretendoi se nëse përfshihen këto të ardhura analiza financiare e vëllait del pozitive në shumën 2.6 milionë lekë që tregon mundësinë e tij për pagesën e pjesës takuese 1 milion lekë dhe dhënien e huasë po në atë vlerë.
Pamundësi financiare u konstatua edhe për krijimin e një depozite në shumën 38 mijë euro nga gjyqtarja Bejleri. Sipas Sanxhaktarit, subjekti duhet të provojë ligjshmërinë e burimeve të deklaruara: shumën 1.5 milionë lekë të dhënë nga ish-bashkëshorti si pension ushqimor për djalin; vlerën 32 mijë euro të trashëguar nga i ati; shumën 1 milion lekë të marrë nga vëllai i vogël për një periudhë kohe, si dhe kthimin e kësaj vlere.
Bejleri pretendoi se ish-bashkëshorti kishte pasur mundësi financiare nga aktiviteti i tij privat për shumën që ka dhënë për llogari të djalit. Gjithashtu, ajo këmbënguli se edhe vëllai dhe i ati kanë pasur burime të mjaftueshme.
Ajo theksoi se i ati kishte punuar 47 vjet si gjyqtar, si dhe kishte përfituar në vitin 1989 më shumë se 8000 USD si pjesë takuese nga shitja e një banese të trashëguar në shumën 60 mijë USD. “Kur pagat ishin 400 lekë”, evidentoi Bejleri.
Ajo sqaroi se babai i ndjerë e ka mbajtur në shtëpi shumën 32 mijë euro pasi vuante nga një sëmundje e rëndë që i mori jetën, pasi kishte menduar ti kishte gati për çdo situatë të paparashikuar lidhur me gjendjen e tij shëndetësore.
Për shumën 1 milion lekë të dhënë nga vëllai për një periudhë kohore, Bejleri sqaroi se ai kishte disponuar vetë shumën 300 mijë lekë, ndërsa 700 mijë lekë i kishte depozituar bashkëshortja e tij me të ardhura para martesës së tyre.
Nga analiza financiare e përgjithshme e KPK për periudhën 2003-2016 ka rezultuar balancë negative në disa vite që në total arrin shifrën 8.2 milionë lekë.
Djali i gjyqtares Bejleri, avokati Egest Xhoga evidentoi një sërë konstatimesh që i cilësoi si gabime të KPK në analizën financiare. Ai pretendoi se Komisioni kishte dubluar vlerat e shpenzimeve dhe se kishte pasur raste kur i kishte përllogaritur dhe tre herë, sipas deklarimeve, sipas INSTAT dhe sipas shpenzimeve të dokumentuara me kartë krediti.
Ai kërkoi përfshirjen e vlerave për të ardhurat që konsideroi se ishte provuar burimi i ligjshëm si dhe të ndreqen gabimet për shpenzimet. Xhoga tha se kishin depozituar rreth 50 prova të reja dhe se kishin vërtetuar që analiza financiare për periudhën 2003-2016 rezultonte me bilanc pozitiv 1.2 milionë lekë.
Dyshime për fshehje
KPK ngre dyshime se gjyqtarja Bjeleri mund të ketë fshehur një automjet në emër të vëllait të saj. Sipas Sanxhaktarit, subjekti ka deklaruar përdorimin e një automjeyti tip Volskëagen Passat të blerë nga vëllai në vitin 2010 në shumën 1 milion lekë.
Relatorja shpjegoi se nga verifikimi i sistemit TIMS ka rezultuar se ky mjet është përdorur vetëm nga subjekti për udhëtime jashtë shtetit, ndërsa vëllai nuk e ka përdorur asnjëherë. Gjithashtu, nga hetimi ka rezultuar se vëllai ka zotëruar një tjetër autoveturë tip Benz në kohën që ka blerë automjetin tip Volksëagen Passat.
Gjyqtarja Bejleri solli në vëmendje se më parë ajo i kishte dhënë vëllait të drejtën e përdorimit të mjetit që kishte zotëruar në vitin 2003 dhe se kishte qenë e sinqertë edhe në deklarimin e përdorimit të makinës së vëllait të blerë prej tij në 2010-ën. Sipas subjektit, vëllai e kishte shitur Benz-in dy vite pasi kishte blerë Passat-in, ndërkohë që për udhëtimet e familjes së tij jashtë shtetit kishin përdorur mjetin e punës së bashkëshortes në cilësinë e drejtores në një bankë. “Është e vërtetuar se vëllai nuk ka blerë asnjë makinë tjetër nga viti 2012 e në vijim”, theksoi Bejleri.
Në fund të seancës gjyqtarja Manjola Bejleri kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 20 tetor, ora 09:30. /BIRN/