ILD kërkon ulje page për dy gjyqtarë

Artur Metani

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani kërkon ulje page deri në 40% për 1 vit ndaj dy gjyqtarëve të Apelit të Vlorës, që sipas tij, kanë kryer shkelje në një vendim gjyqësor të dhënë.

Rasti

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka finalizuar hetimin disiplinor ndaj magjistratëve Petrit Alia e dhe Nazmi Troka me detyrë gjyqtarë pranë Gjykatës së Apelit Vlorë, bazuar në vendimin e KLGJ për rikthim për hetim pranë ILD-së, të vendimit të arkivimit të hetimit ndaj dy magjistratëve nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Kjo çështje është pjesë e ankesave që ILD ka trashëguar nga KLGJ.

Shtetasi J.XH, me nismën e të cilit ka filluar hetimi disiplinor, ka ankimuar më 26.09.2018 vendimin e Inspektoratit të KLD-së, për arkivimin e ankesës së bërë prej tij, ndaj magjistratëve Petrit Alia dhe Nazmi Troka Komisioni i përkohshëm i KLGJ-së për shqyrtimin e ankimeve kundër vendimeve të Inspektoratit Këshillit të Lartë të Drejtësisë, më 16.07.2019 vendosi pranimin e ankimimit, duke prishur vendimin e arkivimit të ankesës nga Inspektorati i KLD-së për gjyqtarët e Apelit Vlorë dhe dërgimin e praktikës në ILD, në momentin e krijimit të këtij institucioni.

Në funksion të hetimit disiplinor të vijuar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, nga shqyrtimi i dokumentacionit të administruar, është konstatuar se bazuar në procedimin penal të regjistruar në vitin 2015, mbi bazën e kallëzimit të shtetasit J.Xh. për “Heqje të paligjshme të lirisë” kryer në bashkëpunim, në ngarkim të shtetasit R.A., më 22.10.2015 Gjykata e Rrethit Vlorë ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg”, ndaj R.A., masë e cila nuk është ekzekutuar.

Në datën 21.08.2016, i pandehuri/kërkuesi R.A (në mungesë) përmes avokatit mbrojtës, i kërkon Gjykatës zëvendësimin e masës së sigurimit, kërkesë që u mor në shqyrtim nga një gjyqtar i gatshëm dhe jo trupi gjykues, që po shqyrtonte themelin e çështjes.

Më 22.08.2016, Gjykata e Rrethit Vlorë, vendos pranimin e kërkesës së kërkuesit R.A. dhe zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest ne burg”, me masën e sigurimit “detyrim paraqitje në policinë gjyqësore”. Pas ankimit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, më datë 22.09.2016, Gjykata e Apelit Vlorë vendos: “Lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit Vlorë ushtron rekurs, duke kërkuar Urdhërimin për vendosjen e të pandehurit R.A. nën masën e sigurimit “arrest në burg”.

Konkluzionet

Sipas ILD, nga hetimi disiplinor i kryer nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, provohet se:

  • Magjistratët Nazmi Troka dhe Nazmi Troka me veprimet apo mosveprimet e tyre, nuk kanë zbatuar dhe kanë zbatuar në mënyrë të gabuar ligjin procedural penal, të konstatuar nga një gjykatë më e lartë.
  • Veprimet e dy magjistratëve janë kryer në shkelje të pikës 4 të nenit 260 të Kodit të Procedurës Penale ku parashikohet qartë se për revokimin a zëvendësimin e masës ekzistuese disponon, jo vetëm gjyqtari i hetimit paraprak, por, në varësi të fazës së procedimit, edhe e njëjta gjykatë, pra ajo që shqyrton kërkesën për gjykim dhe zgjidh përfundimisht në themel çështjen.
  • Shkeljet procedurale të kryera nga magjistratët provohen të jenë kryer me dashje direkte. Magjistratët kanë mbajtur një qëndrim në kundërshtim me ligjin në lidhje me kërkesat e prokurorit, të cilat nuk janë shqyrtuar dhe argumentuar në rrëzimin e kërkesës së prokurorit, sipas vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Duke patur parasysh formimin dhe eksperiencën e tyre të gjatë si gjyqtarë, kanë patur mundësinë të parashikonin pasojat e dëmshme nga veprimet i tyre. Pavarësisht eksperiencës së tyre të gjatë në detyrë, gjyqtarët kanë zbatuar gabim legjislacionin procedural penal, fakt ky i konstatuar nga Gjykata e Lartë.
  • Veprimet e kryera nga ana e dy magjistratëve ka sjellë pasoja për dhënien e drejtësisë. Sjellja e gjyqtarëve në kontekstin profesional është shumë e rëndësishme, pikësëpari nga respektimi dhe zbatimi me rigorozitet i ligjit, i rregullave procedurale, të cilat janë të qartë mbi lëndën që rregullon. Zbatimi i tyre nuk është një akt i vullnetshëm dhe i pavarur i magjistratit, i cili zgjedh t`i respektojë apo jo ato, por është detyrim ligjor për magjistratin, i cili ka detyrë funksionale të tij dhënien e drejtësisë.
  • Sjellja e papërshtatshme e magjistratëve subjekt hetimi disiplinor ka cenuar imazhin e drejtësisë dhe ka ulur besimin e publikut tek drejtësia.
  • Veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e magjistratëve përbëjnë “Shkelje të rëndë disiplinore”.
LEXO EDHE  Përplaset nga makina, gruaja në gjendje të rëndë

Kërkesa

Në përfundim, ILD kërkon nga KLGJ pranimin e kërkesës për caktimin ndaj magjistratit Nazmi Troka me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Vlorë dhe magjistratit Petrit Alia, me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit  Vlorë (i pezulluar), i masës disiplinore “Ulje e përkohshme e pagës deri në 40 % për një periudhë jo më të gjatë se një vit” parashikuar nga neni 105, pika 1, shkronja “c”, ndarja “i” dhe neni 108 i ligjit nr. 96.2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.