Bushi: Broja do të jetë një nga sulmuesit më të mirë të historisë së Kombëtares

Foto: Getty Images

Alban Bushi guxoi të thoshte dy vite më parë se Armando Broja do të ishte sulmuesi më i mirë që ka nxjerrë ndonjëherë Shqipëria. Sot trajneri i Kombëtares Shpresa është i lumtur që 20-vjeçari po merr për dore kuqezinjtë, duke u bërë protagonist absolut. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Bushi mundohet të tregojë detaje të pathëna për sulmuesin, që nga dita e parë në stërvitje me fanellën kuqezi dhe deri te “basti” që do të luajë me Kombëtaren deri 36 vjeç.

“Luajti me Uellsin dhe shënoi dy gola në debutim, ndërsa më pas realizoi një tjetër gol në miqësoren e dytë. Aty kuptova që bëhej fjalë për një sulmues të rrallë ose më saktë të çuditshëm. Pra, kaq vite në futboll, duke përfshirë edhe eksperiencën si trajner apo menaxher në Kombëtare, unë nuk kisha parë një sulmues me karakteristika të tilla. Kemi parë shumë futbollistë, por jo si ky! Ka një shpejtësi të çuditshme, që nuk mund ta ketë njeri, por gjithashtu ka edhe një goditje të fortë nga vendi. Po ta vini re në goditjet që bën drejt portës, gjithmonë e kap portierin në kundërkohë. Ngaqë kam qenë edhe vetë sulmues dhe e di armën e fortë në një rol të tillë, m’u krijua bindja se Armando do të jetë një nga sulmuesit më të mirë të historisë së Kombëtares shqiptare. Natyrisht, nuk është çudi që ai të bëhet edhe sulmuesi më i mirë i Europës për pak kohë. Do të mburremi me Brojën, sepse ka cilësi të jashtëzakonshme. E them shpesh i çuditshëm në cilësitë e veta, sepse kur e shikon nga muskujt ose fibrat, nuk është se ka. Ai është për t’u analizuar se si vrapon kaq shpejt dhe si godet fort, në një kohë që këmbët i ka të holla. Ka një goditje nga vendi që e bën portierin të papërgatitur. Ngaqë e ka goditjen shumë të fortë, ai nuk ka nevojë të marrë vrull”, thotë Bushi.

LEXO EDHE  Futbolli shqiptar/ Babai sherr me tifozët në stadium, policia arreston futbollistin në fushë