Ekspertët: Programi i qeverisë ‘Rama 3’ rrezikon të mbetet në letër

Ekspertët theksojnë se programi i i qeverisë përmban premtime ambicioze, por nuk reflekton problemet dhe sfidat me të cilet përballet vendi.

Kuvendi miratoi mëngjesin e 17 shtatorit qeverinë “Rama 3” dhe programin e ri qeverisës, mbi të cilin do të bazohet drejtimi i vendit në 4 viteve e ardhshme, si dhe menaxhimi i buxhetit të shtetit. Programi prej 40 faqesh i publikuar në faqen e Kuvendit të Shqipërisë u bë publik për herë të parë në këtë seancë parlamentare, ndërsa në fushatën zgjedhore të prillit PS nuk kishte një program elektoral, ku të bazohej ky dokument.

Programi është i shkruar me një gjuhë politike ku nënvizohen arritjet ose justifikohen dështimet në dy mandatet e para të qeverisjes së Partisë Socialiste. Dokumenti gjithashtu liston dhe objektivat ekonomike dhe sociale për vendin në mandatin e tretë.

Në mandatin e terë PS-ja premton një reformë sociale për shtresat e mesme të shoqërisë, përfshirë rritje të pagës mesatare, rritje pagash për administratën publike, në arsim dhe shëndetësi, subvencionim të familjeve të reja për banesat, paketën e fertilitetit, etj.

Synimet e këtij progami në fushën ekonomike flasin për rritje të prodhit të brendshëm bruto mesatarisht 4.5%, ulje të borxhit nën 60% të PBB-së dhe rritje të të ardhurave 20% deri në fund të mandatit.

Sipas ekspertëve këto premtime rrezikojnë të mbeten në letër, duke e konsideruar programin një reflektim të interesave afatshkurtra politike të qeverisë, në konflikt të hapur me treguesit e jetesës, demokracisë dhe problemeve ekonomike të vendit.

Programi i tretë qeverisës shihet si një zgjatim i dy qeverisjeve të mëparshme edhe në marrëdhëniet me kontratat konçensionare në projekte të mëdha, të kritikuara shpesh në raportet e institucioneve ndërkombëtare si “kapje e shtetit” nepërmjet marrëdhënieve klinteliste të qeverisë me kompani private.

Eksperti i ekonomisë Selami Xhepa e konsideron programin një hartim militantesk politik dhe një vazhdim të politikave të deritanishme të socialistëve në pushtet që vijnë si deklamacione boshe pa një analizë kritike të së shkuarës.

“Nuk ka asnjë analizë buxhetore, skenare të të ardhurave dhe shpenzimeve publike, inovacione institucionale që rrisin përgjegjshmërinë financiare të qeverisë, nuk ndeshet asnjë propozim për natyrën e reformave strukturore dhe klimës së biznesit që janë kritike për ritmet shumë të ulëta të rritjes së ekonomisë që ruhen gjatë gjithë dekadës së fundit,” tha Xhepa.

Sipas tij të vetmet gjëra të reja të kësaj qeveria po shpalosen jashtë programit, si për shembull, “krijimi “Ministrisë së Propogandës”, krijimi një agjensie për fondet e huaja, një ministrie paralele të financave, ide këto mjaft të rrezikshme si për demokracinë ashtu dhe shëndetin e financave publike”.

Xhepa këmbëngul se nëse vendi nuk tërheq investime të huaja serioze dhe nuk përsos teknologjitë e prodhimit mundësitë për reale për rritje pagash e pensionesh janë thjesht hipotetike.

LEXO EDHE  U arrestuan për vjedhjen e dokumenteve në zyrat e Qarkut, Gjykata cakton masat e sigurisë

Edhe Afrim Krasniqi, nga Instituti i Studimeve Politike i tha BIRN-it se gjuha politike e përdorur në këtë dokument dhe debati po ashtu me retorikë politike që e shoqëroi atë në Kuvend tregojnë se programi qeverisës nuk u trajtua si akt serioz kushtetues.

“Paketa ekonomike përmban premtime ambicioze të bazuara në një rritje jo reale ekonomike dhe në uljen e ndjeshëm të borxhit publik, ndërkohë që programit i mungojnë të dhënat mbi mënyrën sesi do të sigurohen të ardhurat, sesi do të arrihet tek rritja ekonomike dhe sesi do arrihet ulja e borxhit publik dhe sesi një qeverisje e dobët do të sigurojë një Shqipëri të fortë,” tha ai.

Ambicja kryesore e këtij programi për rritjen e mirëqënies së popullsisë, nuk i përgjigjet sipas ekspertëve, sfidave reale të vendit. Lidhur me problematika specifike, programi nuk i ka dhënë përgjigje rritjes së papunësisë, emigramit të rinisë, krizës në arsim, mungesës së investimeve të huaja, korrupsionit në administratë, etj.. Marrëdhënia e qeverisë me projektet konçensionare vijon dhe në këtë mandat duke u bërë një rrezik për konsolidimin fiskal.

“Programit i mungon garancia për investimet e huaja dhe mekanizmi që të çon atje,” thotë Krasniqi, duke e parë edhe këtë program si një zgjatim të marrëdhënieve klienteliste të qeverisë me kompanitë shqiptare me kontrata konçensionare, një marrëdhënie që sipas tij “ka pasoja direkte edhe për standardet e demokracisë”.

Sipas Selami Xhepës, qeveria duhej të kishte sfidë prioritare konsolidimin e financave publike dhe shmangien e rreziqeve që mund të krijohen nga kostot e shërbimit të borxhit publik, nga luhatjet e normave të interesave dhe kurseve të këmbimit.

Xhepa propozon një auditim të pavarur për kontratat e PPP-ve, një mekanizëm që, sipas tij, do të vendosë në rrezik financat publike të vendit nëse vazhdohet me prokurime projektesh madhore të veprave publike pa një garë transparence dhe pa një analizë të shëndoshë financiare.

Për Xhepën edhe në 4 vitet e ardhshme Shqipëria do të vijojnë të jetë një vend me nivele të larta të pabarazisë si pasojë e taksës progresive, që pavarësisht retorikës qeveritare rëndon mbi të punësuarit, por jo mbi pronarët dhe kapitalistët.

Xhepa pranon se pagat e ulëta janë shkaku thelbësor i emigracionit dhe zhgënjimit të qytetarëve tek sistemin ekonomik, por rritja e tyre sipas premtimeve të qeverisë nuk jep zgjidhje reale.

“Rritja me 25% e pagës bruto që është vënë në objektiv, është në fakt një rritje reale me vetëm me 7% pasi sikur të supozojmë një inflacion vjetor 2%, vetëm rritja e çmimeve gërryen pagën reale me 16%,” tha Xhepa.

“Për më tepër që rritja e çmimeve gjatë këtij viti është problematike dhe gjasat janë që të ngërthehemi në një nivel të tillë çmimesh të rritura të cilat rëndojnë seriozisht të ardhurat e familjeve,” përfundoi ai.

/Reporter.al/