Pandemia/ Akademia e Shkencave: Duhet dozë e tretë për ata mbi 60 vjeç. Duhen vaksinuar edhe fëmijët

Një studim i Akademisë së Shkencave për gjendjen imunitare ndaj virusit SARS-COV-2 në popullatën shqiptare nxjerr se imunizimi i popullatës ka arritur në 73.3%.

Kjo përqindje besohet se pasqyron gjendjen imunitare të popullatës shqiptare pas valës se tretë të COVID-19 që u shkaktua nga variant Alfa dhe përpara valës aktuale Delta.

Studimi parasheh nevojën për imunizim të shpejtë vaksinal për të paktën 20% të popullatës shqiptare akoma të pavaksinuar me qëllim arritjen e pragut të ri të imunitetit kolektiv qe vlerësohet në rreth 90% te popullatës për variantin Delta.

Gjithashtu ekspertët shtrojnë nevojën e një doze të tretë vaksine për moshat mbi 60 vjeç dhe vaksinimin e fëmijëve mbi 12 vjeç me një dozë vaksine.

“Testimi serologjik i cili përcakton antitrupat e pranishëm në gjak ndaj virusit SARS-CoV-2 është një ekzaminim që jep informacion të vlefshëm mbi shkallën e imunizimit specifik të popullatës në ecurinë e Pandemisë nga COVID-19. Qendra Kërkimore e Imunologjisë dhe Imunogjenetikës pranë Njësisë së Bioteknologjisë dhe Gjenetikës së Akademisë së Shkencave ka monitoruar që në 6-mujorin e parë të Pandemisë nivelin e seroprevalences se antitrupave anti SARS-CoV-2 në popullatën shqiptare. Në të tre fazat e studimit të seroprevalencës në një kampion sinjifikativ të popullatës urbane të Qytetin e Tiranës, u aplikua e njëjta metodologji. Në Fazën e tretë të studimit që filloi në 16 qershor 2021 deri 23 korrik 2021 u thirrën për testim 1527 banorë të moshës 20 deri 75 vjeç të cilët u përzgjodhën në mënyrë krejt të rastësishme nga listat e regjistrave të mjekëve të familjes. Seroprevalenca e përgjithshme e antitrupave IgG specifike anti S1-SARS-CoV-2 rezultoi 73.3%. Sipas të gjitha gjasave kjo përqindje pasqyron gjendjen imunitare të popullatës shqiptare pas vales se tretë të COVID-19 që u shkaktua nga variant Alfa dhe perpara vales aktuale Delta”, thuhet në studim.

LEXO EDHE  A do e firmosnit njohjen me Kosovën? Kryeministrja e Serbisë përgjigjet e prerë: Jo! SHBA thotë se...

“Nga kjo mund të konkludojmë se aktualisht nevojitet një imunizim i shpejtë vaksinal i të paktën 20% të popullatës shqiptare akoma të pavaksinuar me qëllim arritjen e pragut të ri të imunitetit kolektiv qe vlerësohet në rreth 90% te popullates per variantin Delta. Për të parandaluar riinfektimiet në individët e vaksinuar apo që e kanë kaluar infeksionin mbi 6 muaj përpara, diskutohet kryerja e një doze përforcuese vaksine në moshat mbi 60 vjec, si dhe në ata me sëmundje shoqëruese imunodeprimuese. Kjo është në përputhje me rekomandimet aktuale shkencore ndërkombëtare. Gjithashtu të planifikohet dhe rekomandohet vaksinimi i të rinjve mbi moshën 12 vjec me vaksina të miratura për këto mosha. Sic sugjerojnë të dhënat e fundit shkencore, një dozë e vetme vaksine në këto mosha duhet të jetë e mjaftueshme për parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19 nëpër klasat shkollore. Vaksinimi i të rinjve mbi 12 vjec t’u rekomandohet prindéve vetëm për ata të rinj që nuk e kanë kaluar infeksionin dhe sidomos për ata që kanë sëmundje shoqëruese kronike”, thuhet më tej në studim.

Rezultatet paraprake mbi “Studimin seroepidemiologjik të gjendjes imunitare ndaj virusit SARS-CoV-2 në popullatën shqiptare – Faza e tretë” u paraqitën para Komisionit të Mjekësisë nga grupi studimor drejtuar nga akademiku Genc Sulçebe dhe prof.dr. Alban Ylli.