“Victoria Invest” përjashtohet nga tenderat. APP: “Ka keqinformuar për qëllime kualifikimi”

Nga BoldNews.al

Kompanitë e ndërtimit “Victoria Invest” dhe “Victoria Invest International”, nën pronësinë e biznesmenit Fatmir Kuçi, janë përjashtuar për 10 muaj nga pjesëmarrja në tendera publikë, për shkak se “kanë keqinformuar për qëllime kualifikimi” në dy procedura të zhvilluara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, me fond limit në total rreth 5 milionë bashkë me TVSH.

APP ka njoftuar masën penalizuese për kompanitë e njohura të ndërtimit nëpërmjet dy vendimeve të njëpasnjëshme, të publikuar në 14 Shtator 2021.

Agjencia e Prokurimit Publik ka nisur procedimin administrativ, në bazë të informacionit të përcjellë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, në përfundim të dy procedurave për mirëmbajte rrugësh në zonat rurale të Tiranës, të zhvilluar në mes të vitit 2020.

Në përfundim të verifikimeve, APP konstatoi se, “Victoria Invest” dhe “Victoria Invest International” gjendeshin “në kushtet e keqinformimit për qëllime kualifikimi”.

Penalizimi i “Victoria Invest”
Kompania e ndërtimit “Victoria Invest” është krijuar në vitin 2003, me pronar biznesmenin nga Elbasani, Fatmir Kuçi.

Ajo ishte pjesëmarrëse në tenderin e shpallur nga Autoriteti Rrugor (ARRSH) në Qershor 2020, me objekt “Loti 4: Mirëmbajtje me performancë K/Sauk – Sanatorium, Sauk – Km 29 – rot. re Shijon – Ura e Zaranikës, Km22 – Qytezë Krrabë – Objekti X, Rotondo Sauk – Sauk i Vjetër, Ura e Farkës – Baldushk – Mustafa Koçaj, Vaqarr – Vishaj”, me fond limit 263.424.859 lekë pa TVSH.

Në garë rezulton se kanë marrë pjesë edhe 3 konkurentë të tjerë. Në përfundim, fitues është shpallur bashkimi i kompanive “Alko Impeks Konstrukstion” dhe “Alko Impeks General Konstruksion”, të dyja të lidhura me familjarë të ish-deputetit socialist, Sadri Abazi.

Shoqëria “Victoria Invest” e ankimoi vendimin pranë Komisionit të Prokurimit Publik. Ky i fundit, në datëë 1 dhjetor 2020, vendosi të mos marrë në shqyrtim ankesën, si edhe t’i kërkojë Autoritetit Publik, pra ARRSH, që të ndjekë procedurat ligjore karshi kompanisë së Fatmir Kuçit.

LEXO EDHE  Mehaj: Bashkë me SHBA po krijojmë kapacitetet ushtarake që i duhen shtetit të Kosovës

Pas informacionit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Agjencia e Prokurimit Publik vendosi përjashtimin e “Victoria Invest” për 10 muaj nga pjesëmarrja në tendera publikë.


Në foto: Vendimi nr. 71, dt. 14.09.2021 i APP për penalizimin e “Victoria Invest”

Penalizimi i “Victoria Invest International”
Shoqëria “Victoria Invest International” është regjistruar në vitin 2010 në Suharekë të Kosovës dhe në Shqipëri ka degën e saj të huaj, me përfaqësues ligjor Fatmir Kuçin.

“Victoria Invest International” është pjesë e bashkimit të operatorëve që u shpallën fitues në procedurën e dyshimtë me vlerë 15 milionë euro për mbylljen e landfillit të Porto-Romanos në Durrës dhe shndërrimin e tij në Eko-Park.

Në qershor 2020, kjo shoqëri merr pjesë ne tenderin e shpallur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, me objekt: “Mirëmbajtje me performancë të rrugëve Rajoni Qëndror-Loti 3: “Mirëmbajtje me performancë Tiranë – Dajt – Qafë Mollë – Bizë, Qafë Priskë – Shkallë – Shëngjergj, Uzina e Traktorit – Lanabregas, Sauk – Farkë”, me fond limit 255.787.340 lekë të reja pa TVSH.

Në tender merr pjesë edhe bashkimi i operatorëve, “Xhast” & “Alb–Shprea” & Mela”, e cila shpallet edhe fituese.

Edhe në këtë rast, kompania e Fatmir Kuçit i drejtohet me ankesë Komisionit të Prokurimit Publik (KPP).

Me një vendim të datës 11 Dhjetor 2020, KPP vendosi të mos pranojë ankesën e “Victoria Invest International”, si edhe i kërkoi Autoritetit Rrugor Shqiptar, si autoritet kontraktor, që të ndjekë veprimet proceduriale ndaj kompanisë ankimuese.

Në foto: Vendimi nr. 70, dt. 14.09.2021 i APP për penalizimin e “Victoria Invest International”

Në përmbushje të këtij detyrimi, Autoriteti Rrugor Shqiptar i drejtohet Agjencisë së Prokurimit Publik për të kryer hetim administrativ ndaj “Victoria Invest International”.

Në përfundim, APP konstatoi se shoqëria e ndërtimit ndodhej në “kushtet e keqinformimit për qëllime kualifikimi”, duke vendosur përjashtimin e saj për 10 muaj nga pjesëmarrja në tendera publikë.