Doktor, ktheji borxhin PD-së, ik

Nga Indrit Sefa*

Nuk ka personalitet me të shquar Partia Demokratike se ty doktor. Ti je për demokratët shqiptarë siç është Thatcher për Konservatorët në Britani, siç është Reagan për Republikanët në SHBA dhe siç është Kohl për Kristian Demokratët në Gjermani. E për mos ta zgjatur më tej, ti je vetë simboli i lirisë në sytë tanë.

Të gjithë demokratët dhe PD është dhe ka për të qenë borxhli gjithë jetën Doktor për çdo gjë që kë dhënë, për sakrificat e jashtëzakonshme, për vetëmohimin dhe dhënien e shpresës atëherë kur ajo mungonte më shumë. Mos ki frikë Doktor, nuk ka për të pasur kurrë një lider tjetër PD që të sfumojë trashëgiminë tënde ashtu si nuk mundi dot asnjë tjetër Republikan në SHBA, Konservator në Britani apo Kristian Demokrat në Gjermani.

Ka ardhur koha të ikësh Doktor dhe ti kthesh borxhin PD-së. Po po, borxhin, sepse dhe ju i jeni borxhli PD-së dhe të gjithë demokratëve. Ju kanë vlerësuar si asnjë tjetër, ju kanë dhënë mundësinë ti drejtoni dhe ti udhëhiqni si pak të tjerë, të kanë besuar kur pak njerëz besonin te ju dhe ju kanë bërë udhëheqësin shpirtëror të të djathtës në të gjithë vendet shqipfolëse.

Ka ardhur koha të ikësh Doktor, që më në fund demokratët të shohin njëri-tjetrin në sy dhe të analizojnë se çfarë kanë bërë gabim kur ju dha mundësia të qeverisnin këtë vend. Po pra, turp i madh për ne që e ngremë këtë diskutim pas 8 vitesh, por siç e dini dhe ju nuk kishte asnjë drejtues vullnetin të bënte një analizë të tillë kur ju jeni aty dhe kjo jo se ju kanë frikë, por dashuria dhe respekti i jashtëzakonshëm për ju nuk do ti lejonte kurrë të merrnin një hap të tillë.

Po Doktor, kemi bërë gabime sa të duash dhe ne në qeverisjen tonë dhe ky nuk është vendi ku ato mund të shprehen publikisht, sepse këto diskutime bëhen vetëm në shtëpinë tonë politike. Gjithsesi, një falje të madhe do të duhet ti kërkojmë demokratëve dhe të gjithë shqiptarëve dhe kjo është në nderin tonë. Në ndryshim nga kundërshtarët tanë, ne kemi guximin ta bëjmë një veprim të tillë.

Ik Doktor dhe arsyen se përse do të duhet të ikësh e sheh çdo moment te reagimet e egërsuara të demokratëve që nuk kanë menduar kurrë që një moment i tillë do të vinte dhe ti do të duhet të ikje në një formë ose në një tjetër. Është dhe faji juaj Doktor, që kurrë nuk u larguat nga sytë e tyre dhe rrjedhimisht nuk kishit si të largoheshit dhe nga zemra. Është faji juaj Doktor që demokratët për asnjë moment që prej 8 vitesh tanimë, nuk e kanë përfytyruar kurrë PD-në pa ju aty si drejtues shpirtëror, pasi ju ishit gjithmonë aty dhe në këtë formë i keni zënë diellin, që normalisht duhet të shndriste vetëm për Kryetarin e radhës.

Nuk do merrem kurrsesi me vendimin e DASH, për mua është rrethana më pak e rëndësishme në këtë histori, madje nuk ka për të ndikuar kurrë në opinionin tim për ju, por do merrem me vendimin e kryetarit BASHA. Është faji juaj Doktor që e detyruat të marrë këtë vendim, për të qenë i sinqert, më duket i vonuar. Keni luajtur me hile Doktor, keni luajtur me ndjenjat dhe dashurinë e demokratëve dhe nuk i keni dhënë kurrë mundësinë demokratëve të pranojnë një lider të ri, sigurisht jo në madhësinë tuaj, sepse kjo do të ishte e pamundur.

LEXO EDHE  Sekuestrohet pasuria 150 mijë euro e dy vëllezërve në Tiranë, problemet me ligjin në Spanjë

Nuk e mohoj që e prita me gëzim vendimin e kryetarit Basha dhe jo sepse kjo përkonte me largimin tuaj, por sepse ai qe një vendim prej një lideri politik që më në fund vendosi që të marrë vetë përgjegjësitë politike. Ta siguroj që e kishte të lehtë që me vendim të kryesisë të merrej i njëjti vendim siç po e sheh dhe këto ditë, por një veprim i tillë nuk kishte për ta bërë kurrë lider kryetarin në detyrë.

Po po u gëzova, sepse në atë vendim të kryetarit Basha e quajta si një kërkesë për falje drejtuar shqiptarëve për gabimet e të shkuarës, si një moment thyerje me të kaluarën dhe e lamë atë pas krahëve me të mirat e të këqijat e saj. Është koha që ne të ndërtojmë një histori të re dhe pa ngarkesat e të kaluarës, por kurrë ti harrojmë ato dhe duke vlerësuar maksimalisht trashëgiminë tuaj.

E di që nuk më njihni Doktor, po pak rëndësi ka, ju njoh unë. Si një djalë i ri që ka qenë gjithë jetën në PD dhe që kam bërë betejat e mia brenda FRPD-së kur drejtohej me dorë të hekurt nga ata që ju rrethojnë sot dhe ulërasin për demokratizim të Partisë Demokratike dhe për legjitimitetin e vendimmarrjeve. Nuk na dalin qindra rreshta për të treguar bëmat “demokratike” të këtyre beniaminëve të rinj që kanë përzemër kauzat e reja të ngritura prej jush. Gjithsesi, unë e bëra një gabim Doktor, më mposhtën, po po, ata më mposhtën, më detyruan të largohem duke bërë në këtë mënyrë gabimin më të madh të jetës time. Nuk e kuptova Doktor që duhet të luftoja brenda shtëpisë time, sepse në çdo rast vetëm aty më duan, po ç’të bësh dhe mosha bën të vetën – isha vetëm 24 vjeç.

E kuptova shpejt gabimin, nuk e zgjata shumë erdha prapë në shtëpinë time me kokën poshtë dhe i vrarë shpirtërisht. Po siç e dini dhe ju nuk ka vend më të mirë se shtëpia, më pranuan me krahëhapur, më falën Doktor dhe më trajtuan përsëri si fëmijën e preferuar dhe më dhanë të gjithë mundësinë të shpërbleja gabimet e mia.

Po e mbyll dhe jo se s’ka ç’të them më shumë, po e shoh që u bëra pak i mërzitshëm. Trashëgimisë tuaj nuk i mungon asgjë Doktor, ke dhe ke për të pasur gjithmonë dashurinë e demokratëve. Nuk të duhet kjo betejë, nuk i duhet as PD-së. Mos lejo që ata të rinj dhe demokratë që mund të ndjekin ju gjithkund të zhgënjehen dhe të mendojnë të bëjnë gabimin që bëra unë vite më parë. PD përsëri do ti presë me krahëhapur siç më priti mua, sepse është një shtëpi me zemër të madhe që di të falë dhe kur gabimet tona janë të mëdha.

Doktor, mos ik nga vendimi i DASH, as nga vendimi i kryetarit BASHA, por ik për PD-në, ik për demokratët, ik që ti lash borxhin PD-së dhe ti japësh mundësi që të shkëlqejë përsëri. Trashëgimia juaj do të jetë ylli polar për çdo drejtues të PD-së dhe këtë nuk ka për ta sfumuar as kjo lëvizja juaj e fundit që më shumë është e prirur nga mërzitja juaj, sesa qëllimi idealik i shprehur publikisht nga ju.

Ikni i qetë Doktor, asnjë mbi këtë tokë nuk mund të sfumojë trashëgiminë tuaj, por i keni borxh PD-së liderin që nuk ka për të pasur kurrë për sa kohë ju jeni aty për ti zënë dritën.

*Anëtar i Këshillit Kombëtar të PDSh-së