Përçahet Juventusi/ Kielini: Nuk luhet me De Shiljon

Juventusi i fortë, ai që nuk pësonte dhe dinte të merrte tri pikët edhe në mënyrën më të shëmtuar, gjithmonë nën drejtimin e Masimiliano Alegrit, duket se ka mbetur thjesht një kujtim, për të mos thënë një iluzion. Kjo, pasi shpresat e mëdha se “Konti Maks” mund të fuste në shina një skuadër që doli nga ADN-ja e saj në dy vitet me Sarrin dhe Pirlon, për të tretën javë nuk erdhi dhe tani situata nis të bëhet vërtet e vështirë, për të mos thënë që fjala krizë nuk është aspak e ekzagjeruar në Torino.

Në transfertën me Napolin, “Zonja e Vjetër” duron sërish vetëm 45 minuta, njësoj siç ndodhi në Udine në pjesën e parë dhe me Empolin në të dytën. Edhe në “Diego Armando Maradona Stadium” bardhezinjtë thyhen 2-1 dhe mbeten 8 pikë larg kreut ku tashmë qëndron Milani dhe pikërisht Napoli.

Goli shumë i shpejtë i Alvaro Moratës (në minutën e 10-të i vjedh Manolasit një top jashtë zone dhe shënon nga pozicion diagonal) ishte thjesht një oaz i bukur në mes të një shkretëtire të frikshme, e cila në fund i përpiu torinezët. Kjo, sepse në pjesën e dytë fizikisht Juventusi bie totalisht, ndërkohë që gafat vazhdojnë:

Sheznit në të 57-ën i rrëshqet topi i radhës nga duart, duke i dhuruar Politanos një gol të lehtë, ndërsa 5 minuta nga fundi Ken i jep një asist Kulibalisë që gjithashtu shënon me lehtësi. Në fund, të gjithë kokulur dhe me sytë nga Zoti, pasi për të dalë nga kjo situatë, me Malmon dhe Champions-in në sfond të martën në mbrëmje, nevojitet vërtet një ndihmë nga qielli.

Ndonëse me 9 mungesa fare pak skuadra do të kishin fituar në Napoli dhe po flasim për titullarë si Kieza, Kuadrado, Sandro, Danilo, Bentankur, Dibala, Ramsej, Artur e Kaio Zhorzh, duket se pas 1 pike në 3 ndeshje, ka ardhur edhe ora e gjyqeve në grup. Dhe ai që ngre gishtin kundrejt emrave të përveçëm është kapiteni Xhorxho Kielini. “Na mungonin lojtarët idealë për të luajtur në shpejtësi dhe në kundërsulm, ndërsa përveç De Ligtit i cili e nisi nga stoli, ne nuk kemi mbrojtës të tjerë që të ndalojnë në shpejtësi kundërshtarë si Osimhen.

LEXO EDHE  Ibrahimovic nuk rikuperohet në kohë, do të mungojë ndaj Kosovës

Ishim të detyruar që të luanim në këtë mënyrë me Napolin, sepse është e qartë që nëse të mungojnë lojtarë si Kuadrado, Kieza e Dibala, është shumë ndryshe të pretendosh se këta mund t’i zëvendësojë De Shiljo apo edhe Bernardeski, me gjithë respektin… Ndoshta mund të kishim qenë disi më ofensivë dhe të rrezikshëm në sulm, por t’i kërkoj më shumë Kulusevskit dhe Moratës, duke parë se sa të lodhur kishin ardhur ata nga kombëtaret ishte e vështirë.

Tani nuk na mbetet gjë tjetër veçse të vazhdojmë të punojmë dhe të gjejmë sa më shpejt ekuilibrin që na nevojitet në fushën e lojës. Dhe këtë duhet ta nisim ta gjejmë sa më shpejt, sepse është e vërtetë që jemi vetëm në fillim të sezonit, por teksa pas vetëm 3 ndeshjesh kreu na është larguar 8 pikë, këto distanca nisin të bëhen të rëndësishme dhe shumë madje, nëse duam që të pretendojmë të luftojmë për titullin kampion.

Ndaj, kokën ulur dhe gojën e qepur, pasi të martën na pret Malmo dhe për të hequr një barrë shumë të rëndë nga koka dhe shpatullat, të paktën ta nisim pozitivisht në Champions sezonin”, deklaroi kapiteni i Juves.