Zhvillime të reja, lojë e vjetër

Foto marrë nga fb i autorit

Nga Ilir Kalemaj

Melodrama e politikës, ku gjithçka rrotullohet rreth vetes, ka kapërthyer krejt vëmendjen e publikut në mënyrë arbitrare dhe vet-referenciale. Jo se nuk ka qenë kështu, por sa vjen dhe degradon. Ka degraduar frikshëm cilësia e përfaqësimit politik, është katandisur parlamenti në derexhe personazesh anonimë, memecë politikë, delenxhinj apo pazarxhinjsh që synojnë të zhgrapin sa më tepër përfitime afatshkurtra përsa kohë janë aty. Është zëvendësuar debati politik dhe tezat, platformat, idetë dhe përballjet argumentative në rastin më të mirë me batuta hidh e prit, apo me monologje bosh, apo kaseta kryetarësh që recitojnë të njëjtën këngë.

Në të djathtë të spektrit, çështja “Berisha” sikundër pritej dhe ishte paralajmëruar qysh në prill-maj, ishte patatja e nxehtë e cila e vendoste lidershipin politik të PD-së dhe konkretisht kryetarin Basha mes “a rock and a hard place”, pra në një pamundësi ku zgjedhjet ishin vetëm të hidhej në det dhe të braktiste anijen në territor të paqartë, apo të hidhte kapitenin historik i cili kishte zgjedhur që betejën e fundit ta bënte jo nominalisht dhe i shkëputur por me partinë që vet bashkë-themeloi si mburojë politike. Në të dyja rastet, çarja ishte e pashmangshme. A ishte më mirë që këto dy muaj e gjysëm të shfrytëzoheshin për t’’u diskutuar gjerësisht në forume, për t’u votuar nga Këshilli Kombëtar apo Grupi Parlamentar sic sugjeronte Besnik Mustafaj së fundmi, apo në një referendum me bazë të gjerë brenda antarësisë së partisë apo nga Kongresi i Partisë, kjo pastaj ha diskutim.

Vlen për t’u theksuar që shumë nga kritizerët e sotëm, disa emocionalë dhe subjektivë, të tjerë racionalë dhe të ftohtë, mund të shkonin drejt së njëjtës zgjedhje në finale. Mund të ndryshonte forma dhe procedura, por jo përmbajtja e aktit politik. Këtu nuk bëhej fjalë për kapriçio të një diplomati të huaj, por për një qëndrim qartësisht politik të kryealeatit strategjik.

Nga ana tjetër, teatri nga kampi i mazhorancës që dukshëm fërkon duart nga rreziku i çarjes vertikale dhe horizontale të kampit blu, vazhdon nën të njëjtën regji, skenar të lexueshëm pasi është deja vù, mizaskenë, madje dhe ndriçim dhe natyrisht lojë aktoriale, ku Rama ngelet protagonisti i vetëm. Ndryshimet e tij paszgjedhore të kabinetit dhe forumeve të partisë, u kryen nën një regji të kujdesshme, ku fillimisht u hodhën disa emra për konsum dhe ndërkohë u konfirmuan rreth 2/3 e kabinetit ekzistues. Nga ana tjetër, 75 përqind janë gra për të përfituar mbulim mediatik ndërkombëtar dhe provokuar opozitën dhe paraqitur si misogjenë. Ndërkohë që nxorri në pension politik Gramozin, azil politik në kryesi Braçes dhe Majkos, përzuri Xhafën që e kishte nxjerrë nga dera dhe ja futën nga dritarja dhe syrgjynosi Ballën. La jashtë tortës qeverisësë klanin e të dezinjuarit si pasardhës, Erjon Velisë, për të dhënë një mesazh kuptimplotë që nuk ka ndërmend të lëshojë frenat e drejtimit dhe do të vazhdojë të jetë për aq sa mundet në majë të kupolës rozë.

LEXO EDHE  I dënuari në Itali për trafik heroine, prej vitesh doganier në Durrës

Ndërkohë, lajmi i vërtetë është një karteli i miellit rriti çmimin e bukës, u rritën gjithashtu cmimet e vezëve, bulmetit, mishit dhe në përgjithësi çmimet e ushqimeve. Së fundmi, edhe çmimet në bar-kafe. Janë rritur me 43 përqind 6-7 vitet e fundit çmimet e qerave dhe shitblerjeve të pronave ndërkohë që pagat kanë “ngrirë” dhe pensionet as nuk janë indeksuar, hiq vitin elektoral. Për herë të dytë kemi një qeveri që ka në dorë krejt e vetme tepsinë e pushtetit, madje kontrollon dhe kazanët, edhe kusinë. Për herë të dytë vjen në pushtet një parti pa program elektoral. Për herë të parë as nuk denjon të paraqesë një program qeverisës ndonëse zgjedhjet përfunduan në prill dhe jemi në shtator. Një qeveri deledash, as politike, as teknike.

Një vend me opozitë të përçarë, të dobësuar krahas problemeve të renditura më lart, edhe nga mungesa e personaliteteve, kapaciteteve intelektuale dhe teknike, pasjen e autoriteteve morale dhe të besueshme për publikun e gjerë. Ngelet për t’u parë se çfarë shirash do sjelli vjeshta politike, por e vetmja rrugëdalje është rifitimi i besimit. Të besimit të publikut, elektoratit, të njerëzve që përherë e më shumë po lodhen nga kjo sagë tragjikomike dhe një pjesë po zgjedhin t’i largohen si murtajës pjesmarrjes edhe si votues ndërsa një pjesë po ikin me biletë një-drejtimëshe nga ky vend që di veç të krijojë kriza të njëpasnjëshme dhe një elite politike të paaftë për të menduar përtej interesit ngushtësisht vetjak.