Dasma që la Tiranën pa gjumë, a do hetojë SHÇBA e Rrumbullakut, Veliun e Policisë?

Dasma e Arbër Hajdarit në Pallatin e Brigadave në Tiranë, përtej gëzimit familjar të tij, ishte një karshillëk që iu bë atyre rregullave që firmosen nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, por që në realitet dikstohen nga Kryeministri Edi Rama.

Prej më shumë se 1 viti, Rama përmes ekspertëve, ka bllokuar muzikën pas orës 23:00, në çdo lokal dhe restorant, ndërsa nuk bëhet fjalë fare që klubet e natës, të vihen në funksion.

Kush ka guxuar deri më sot është përballur me Policinë e Ardi Veliut, gjobat që ajo aplikon, si dhe me shoqërimet në komisariate për ata që kanë kundërshtuar.

Pothuajse çdo ditë, Policia e Veliut njofton mbi administratorët e lokaleve dhe bareve që penalizohen, që nuk ndalin muzikën në orarin e përcaktuar.

Dje në Tiranë ky rregull u shkel, pavarësisht denoncimeve të shumta të qytetarëve në sallën operative. dasma me muzikë vijoi deri në orën 02:00 dhe askush nuk dasmorët nuk u shqetësua.

Sot Policia nuk njoftoi nëse kishte aplikuar ndonjë masë administrative, sikundër do të ndodhte nëse një veprim të tillë, do e bënte ndonje administrator lokali. Në rastin konkret bëhet fjalë për dasmën e Arbrit, i cili shfaqet në krah të Kryeministrit në shumë prej fotove që gjenden lehtësisht në rrjet, ndërsa babai i tij, Shkëlqim Hajdari, është Kryeinspektori i Ramës, “gjeneralit” të luftës anti-Covid apo “babait” të shqiptarëve.

Përtej shkeljes së organizatorëve të kësaj dasme, në shkelje flagrante është kapur edhe Policia. Kjo e fundit ka thyer ligjin, atë ligj që Ardi Veliu e ka shumë përzemër t´a zbatojë kur bëhet fjalë për bizneset që paguajnë taksa.

Dhe dikush duhet të hetojë në mos Veliun vartësit e tij që të paktën duhet të shpjegojnë sepse dje nuk ndalën muzikën, pavarësisht se në sallën operative mund të ketë pasur disa dhjetra telefonata denoncuese.

LEXO EDHE  Ja çfarë po bënte Basha ndërkohë që Berisha fliste para simpatizantëve

Dhe sipas ligjit, veprimet ose mosveprimet e Policisë së Shtetit, hetohen nga SHÇBA, një strukturë në varësinë e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, i cili na premtoi pas rikonfirmimit në detyrë se do t´i jepte një tjetër imazh policisë.

Në fakt, Çuçi mund të mos e dinte që pas dy ditësh, Policia e Ardi Veliut do të vihej në një provë të tillë: do të zbatonte ligjin, apo do të lejonte dasmën?

Dhe sipas çdo denoncimi, zgjodhi të mos zbatojë ligjin. Tashmë “topi” është në këmbët e SHÇBA së Muhamet Rrumbullakut, emri i të cilit është përfolur si pasardhës i Veliut në krye të Policisë së Shtetit.

A do të nisë Rrumbullaku një hetim lidhur me sjelljen e Policisë, apo edhe ai sikundër Veliu e Çuçi nuk e ka dëgjuar ahengun?

Edhe nëse nuk e ka dëgjuar mjafton që të kontrollojë ato telefonatat në sallën operative në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ose mund të ndjekë denoncimet në rrjet dhe mediat.

Në ngjarjet e mëparshme, ndoshta edhe më të rënda se kjo, SHÇBA ka zgjedhur të heshtë, të mos hetojë drejtuesit, edhe kur ka pasur raste flagrante dhune nga uniformat e policisë.

Në rastin konkret, pra atë të thyerjes së ligjit, përmes ndotjes akustike, Policia zgjodhi të qëndrojë indiferente dhe kaq mjafton për të vënë në provë jo vetëm Rrumbullakun dhe strukturën e SHÇBA, por edhe ministrin e Brendshëm. Deri më tani Veliu dhe Çuçi kanë heshtur, ndërsa bënë zgjedhjen e tyre: mos prishin një dasëm dhe të shkelin ligjin.