Në ishullin e Shën Helenës në Atlantikun Jugor, jeton një krijesë që libri i rekordeve Gines e ka quajtur “kafshën më tëmoshuar në Tokë”. Emri i saj është Xhonatan dhe është një breshkë gjigante. Sipas Gines, Xhonatan ishte 187 vjeç në vitin 2019.
E lindur në vitin e largët 1832, gjatë sundimit të mbretëreshës britanike Viktoria, breshka ishte 80 vjeç kur u fundos Titaniku në ujërat e ftohtë të Atlantikut Verior. Por Xhonatan dhe breshkat e tjera gjigante nuk janë të vetmet specie të këtij lloji që jetojnë kaq shumë, thotë Xhordan Donini, profesor i biologjisë në Kolegjin Shtetëror të Floridës Jugperëndimore.
Breshkat e detit mund të jetojnë zakonisht 50 deri 100 vjet, ndërsa breshkat-kuti mund të jetojnë më shumë se një shekull, thotë ai për Live Science. Në fakt, shkencëtarët nuk e dinë kufirin e sipërm të jetëgjatësisë së shumë llojeve të breshkave, kjo pasi njerëzit nuk jetojnë aq gjatë sa ta zbulojnë këtë.
Po pse breshkat jetojnë kaq gjatë? Lori Njuman-Li, asistent/profesore e fiziologjisë në Universitetin Shtetëror të Arkansasit, SHBA, e cila studion breshkat dhe zvarranikët e tjerë, thotë se për këtë ka një përgjigje evolucionare dhe një tjetër biologjike.
Përgjigja evolucionare është relativisht e drejtpërdrejtë:Kafshët si gjarpërinjtë dhe rakunët, duan të hanë vezët e breshkave. Ndërkohë për të trashëguar gjenet e tyre, breshkat duhet të jetojnë gjatë dhe të shumohen shpesh, ndonjëherë disa herë në vit, dhe të pjellin shumë vezë. “Duke pasur parasysh se sa pasardhës kanë është e habitshme që bota nuk po pushtohet nga breshkat”-thotë Njuman-Li për Live Science.
Mekanizmi biologjik që fshihet pas jetëgjatësisë së pazakontë të breshkave, është më i ndërlikuar. Një nga aspektet më thelbësore për jetëgjatësinë e breshkave ka të bëjë me telomeret e tyre, që janë struktura të përbëra nga fillesa jo të koduara të ADN-së që mbulojnë skajet e kromozomeve, thekson Njuman-Li.
Këto struktura ndihmojnë në mbrojtjen e kromozomeve kur ndahen qelizat. Me kalimin e kohës, telomeret bëhen më të shkurtra ose degradojnë, gjë që do të thotë se ato nuk mund t’i mbrojnë më kromozomet e tyre. Kjo shkakton probleme me shumëfishimin e ADN -së. Dhe gabimet në këtë proces mund të shkaktojnë probleme të tilla shëndetësore si tumoret dhe vdekjen e qelizave.
Por Njuman-Li thotë se breshkat shfaqin një shkallë më të ulët të shkurtimit të telomereve në krahasim me kafshët e tjera që kanë jetëgjatësi më të vogël. Dhe kjo do të thotë se ato janë më rezistente ndaj llojeve të caktuara të dëmtimeve që mund të lindin nga gabimet e shumimit të ADN-së.
Shkencëtarët nuk kanë zbuluar ende të gjithë faktorët që kontribuojnë në jetën e gjatë të breshkave, por ata kanë propozuar disa ide. Në një studim të publikuar më 8 korrik në bazën e të dhënave bioRxiv, një ekip shkencëtarësh eksploruan një numër mekanizmash dhe substancash që çojnë në dëmtimin dhe vdekjen e qelizave, dhe vëzhguan sesi reagonin qelizat nga disa lloje breshkash, përfshirë nga një breshkë gjigante (si Xhonatan).
Sipas studimit, breshkat gjigante dhe disa lloje të tjera breshkash duket se janë në gjendje të mbrojnë veten nga efektet afatgjata të dëmtimit të qelizave. Ato e bëjnë këtë duke i vrarë shpejt qelizat e dëmtuara, përmes një procesi të quajtur apoptozë, ose vdekja e programuar e qelizave të dëmtuara thekson Njuman-Li.
Një trajtim shkaktoi stres oksidativ, pra një lloj stresi që shfaqet natyrshëm në qelizat e gjalla. Stresi oksidativ shkaktohet nga radikalet e lira, të cilat janë molekula shumë reaktive të formuara natyrshëm nga proceset metabolike. Kur trajtohen, qelizat e breshkave iu nënshtruan me shpejtësi apoptozës.
“Një nga gjërat që nënvizon ky studim është se apoptoza e kontrolluar është një procedurë shumë e vlefshme për ndaljen e plakjes, pasi nëse ka një qelizë që ka dëmtime të caktuara, dhe nëse një organizëm ka mundësi ta zhdukë me shpejtësi, atëherë kjo mund të shmangë dukuri të tilla negative si kanceri”- shprehet Njuman-Li.
Në fakt, qelizat në të gjitha speciet, përveç njërës, nuk iu përgjigjën një trajtimi që supozohej të prishte një enzimë të quajtur ligazë, e cila është thelbësore për procesin e kopjimit të ADN -së. Pra me fjalë të tjera, ligaza e breshkave vazhdoi të funksiononte siç duhet.
Nëse kjo do të thotë se këto breshka janë plotësisht rezistente ndaj procesit të kopjimit të ADN-së, kjo nuk është përcaktuar ende, thotë Njuman-Li. Por mund të jetë një përgjigje e mundshme pse breshkat jetojnë kaq gjatë në krahasim me speciet e tjera.