Mesazhet/ Yuri Kim i bën Ramës dy dhurata para pushimeve

Përpara se të niset me pushime, Yuri Kim ka vendosur me sa duket t’i bëjë edhe dy dhurata Edi Ramës. Natyrisht duke mos bërë një politikë personale, ashtu sikurse e akuzojnë shumë opozitarë, por duke ndjekur një linjë tashmë të vendosur në Departamentin e Shtetit, për të mbështetur regjimin e Tiranës.

E para ka të bëjë si gjithnjë më thirrjen drejtuar Bashës për të nxjerë Berishën jashtë nga grupi parlamentar i PD. Kjo jep mesazhin e shtrembër sikur problemi i madh i këtij vendi është ish lideri historik i PD dhe jo ata që po e drejtojnë prej tetë vitesh.

E dyta është për të përforcuar thirrjen e kryeministrit, që e di se e ka të vështirë të mbajë një mandat të tretë me vota të vjedhura dhe me buxhetin bosh, prandaj i duhet një bashkëpunim fallco me opozitën.

Për këto arsye, Yuri Kim, është ulur të shkruaj një editorial, para lejes së zakonshme, për Panorama, ku thotë se sezoni i ardhshëm: “Do të kërkojë që Edi Rama, Lulzim Basha, si dhe udhëheqës të tjerë të kontrollojnë listat edhe njëherë për t’u siguruar që kur të kthehen në Parlament, njerëzit të mund të jenë krenarë për përfaqësuesit e tyre”.

Nuk ka dyshim se ky “kontroll listash” është i lidhur me ngjarjet e mëparshme të shpalljes “non grata” të Berishës dhe të deklaratës së fundit të Kim, se PD nuk mund të hajë bar por duhet të ndahet nga doktori.

LEXO EDHE  Mbeti i bllokuar dje në minierën në Bulqizë, ende asnjë gjurmë nga minatori

Sikur mos mjaftohej me këtë mesazh, që jep përshtypjen e shtrembër se një njeri që po i afrohet të 80-ave qenka e keqja më e madhe e këtij vendi, Yuri Kim ka përsëritur “mot a mot” fjalët që Rama tha disa herë pas zgjedhjeve, për të lënë pas politikën 30 vjeçare duke bashkëpunuar fort me opozitën.

“Po ashtu (sezoni i ardhshëm- shënim i Lapsi.al), do të kërkojë që palët të ngrihen mbi interesat e tyre partiake dhe të gjejnë mënyrën për të arritur kompromis dhe për të bashkëpunuar me njëri- tjetrin për një kauzë më të lartë, për të ardhmen e Shqipërisë”, ka shkruar ajo. Nuk ka rëndësi se ka kopjuar Kim, Ramën që i shprehu më parë këto mesazhe apo e kundërta. Por një gjë është e sigurtë: ata lëvizjet i kanë së bashku në koordinim të plotë.

Dhe sikur mos mjaftohej me këto të dyja, Kim i bën dhe presionin e fundit “zotit Luli” që të ndahet nga Berisha dhe të sillet si çirak i shefit të qeverisë: “Është koha që udhëheqësit të reflektojnë dhe të ndërmarrin veprime të guximshme. Është koha për udhëheqësit që të tregoni kush jeni dhe çfarë mendoni se meriton ky vend. Është koha për të udhëhequr”.

Me siguri që pas këtyre mesazheve edhe Rama do të shkojë shumë më i qetë për pushime, por ama shumë shqiptarë duhet të jenë të merakosur për atë që na pret pas shtatorit. /Lapsi.al/