Liga e Kampioneve/ Shkëlqejnë shqiptarët! Muçi eurogol me Legia-n, Uzuni fiton penallti (VIDEO)

Sot janë luajtur edhe tre ndeshjet e tjera të Champions League sa i përket vajtjes së turit të tretë kualifikues dhe në fushë kanë qenë shqiptarët Ernest Muçi dhe Myrto Uzuni.

Për sulmuesin e rritur te Akademia e Tiranës, që sezonin e shkuar kaloi te Legia Varshava, ka ardhur një gol që ka shije të bukur dhe që mbart një peshë në ekonominë e Champions në sajë të ndeshjes së kthimit në Poloni pas 1 jave.

Në transfertë kundër Dinamo Zagreb, teksa kroatët po fitonin 1-0, sulmuesit shqiptar i janë dashur 5 minuta në fushën e blertë për të dënuar vendasit me një goditje nga distanca.

Një gol me shumë peshë për Legian, që kërkon të kualifikohet në grupet e Champions League dhe që për Tiranën do të përkthehej në para prej bonuseve në marrëveshjen e bërë kur shiti sulmuesin.

LEXO EDHE  Greuther Furth – Bayern Munchen, këtu mund të shihni ndeshjen LIVE

Sakaq, Ferencvaros ka festuar dhe Myrto Uzuni gjithashtu. Kampionët e Hungarisë triumfuan 2-0 në shtëpi kundër Slavia Prague, që aktivizoi në fillimin e pjesës së dytë edhe nigerianin Peter Olayinka, i cili ka luajtur në Superiore me Bylisin e Skënderbeun.

Beratasi i Ferencvaros ishte protagonist, pasi fitoi penalltinë pesë minuta nga nisja e pjesës së dytë. Uzuni u pengua në zonë dhe për arbitrin nuk kishte asnjë dyshim dhe akordoi 11-metërsh.

Kharatin nuk fali dhe e çoi topin në rrjetë. Uzuni nuk mund ta godiste, pasi kishte gabuar në duelin ndaj Zalgirius.

Kështu sulmuesi duhet të presë ndeshjen e kthimit ndaj Slavia Prague, për të shkuar në kuotën e pesë golave në kualifikueset e Champions League.

Deri më tani Uzuni ka shënuar katër gola, pa mundur ta barazojë rekordin e Hamdi Salihit. Shkodrani ka realizuar një më tepër, me fanellën e Skënderbeut.