Mbrëmjen e djeshme u raportua se në Lalëz ishin vjedhur disa vila, mes të cilëve edhe ajo e kreut të SPAK, Arben Kraja.
Ky i fundit në një reagim mediatik tha se vila e tij nuk ishte vjedhur dhe e konsideroi lajmin një “fake news”, që kishte si qëllim për të goditur institucionin që ai drejton.
“Nuk më është vjedhur banesa as këto ditë dhe as më parë. Garantoj publikun se puna e SPAK nuk intimidohet nga “fake news”. Lajmi është i sajuar për të goditur integritetin e institucionit që unë drejtoj”, ka thënë mes të tjerave Kraja.
Më tej kreu i SPAK shtoi se 2 javë më parë, në kompleksin Lura, ishin vjedhur disa banesa, por pre e vjedhjeve nuk kishte rënë banesa e tij.
Në lidhje me lajmin e publikuar në media për vjedhje në Lalëz, Faxnews raporton se nga Policia e Durrësit ka pasur një reagim, sipas të cilit mbrëmjen e 1 gushtit persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur në banesën e shtetasit D.Sh., 36 vjeç, banues në Tiranë, shumën prej 20 000 lekësh të reja.
Policia bën me dije se vijon puna për identifikimin e autorit/ve, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Policia e Durrësit mohon të jetë një ngjarje që përsëritet, ndërsa bëhet fjalë për një rezidencë private, të monitoruar nga kamerat.