Shqipëria digjet, Rama shëtit me helikopter

Nga Boldnews.al

Një jetë iku, dy të tjera janë në rrezik si pasojë e zjarreve, mes të cilëve edhe një ushtar i keqpaguar dhe i keqtrajtuar nga urdhrat e lubive politik të pushtetit. Lopatat dhe shkurret janë të vetmet mjete në duart e forcave zjarrfikëse dhe të ushtrisë që kanë më shumë se një javë që drobiten në tentativë për të shuar zjarret.

Kreu i Emergjencave Civile në fundjavë kishte një sebep familjar, ndoshta një dasëm me aheng dhe nuk mund të prishte qejfin. Ministri i Mbrojtjes ishte i zënë me statuse në rrjetet sociale për të treguar nga zyra e tij me kondicionim perfekt se zjarri po shuhet. Po kryeministrin ku e kemi? Edhe një helikopter që do të shërbente për të shuar sadopak flakët e mori në përdorim vetjak në udhëtimin nga Malësia e Madhe drejt Tiranës, apo edhe më rëndë drejt zonës së zjarrit për të shfaqur filmin propagandistik “qeveria punon, ju flini të qetë”.

Ama sot ministri dhe numri një i emergjencave civile kishin zbritur në terren, sigurisht jo në vatrat e zjarrit, por duke dhënë urdhra sapo u ndezën kamerat: “Me kazma, me lopata e motorrsharrë e çtë doni, e dua të pastruar atë zonë, krijoni një kordon sigurie”-dha urdhër Haki Çako. Dhe ashtu ndodhi. Me lopata, disa shkurre në duar efektivët e zjarrfikësve dhe të ushtrisë të lodhur, të paveshur me mjete speciale, të kequshqyer e të kaqpaguar u ngjitën faqeve të malit në Karaburun.

Një helikopter ulej e ngrihej sa herë shfaqeshin kamerat për të treguar se po “ndërhyjnë nga ajri”, po në të vërtetë vetëm trupat njerëzorë po rropaten shpateve të malit që janë jo vetëm në luftë me flakët, por me shpirtin e tyre, ku vapa bashkë me përcëllimën e zjarrit të heqin edhe atë pak ajër.

LEXO EDHE  Emrat/ Tranferime e emërime prokurorësh, ja çfarë vendosi KLP

Rama është i zënë me “politikat e mëdha” si një “lider global” e shkuar globales duke shëtitur vendet e rajonit tonë dhe u hapur B…dmth “Ballkançe” me idenë e marrëvëshjes së “Ballkanit të Hapur”. Po këtu jetohet, ka njerëz në rrezik nga zjarret dhe viktima e parë u regjistrua, pasi ishte çështje kohe që do ndodhte.

Prej një jave zona e Karaburunit ishte në flakë, kërkohej ndërhyrje nga ajri po nuk kemi avionë për shuarjen e zjarrit, por vetëm një helikopter me një “kovë të falur” dhe sot na doli me shumë “krenari” se na ishte falur nga Amabasada Amerikane.
Japen tendera të frikshëm për inceneratorë, rrrugë oligarkie, porte oligarkie, tunele oligarkie, miniera oligarkie, kulla oligarkie, por nuk bëhet qoftë edhe një tender i vetëm për pajisjen me mjetet e duhura të sistemit zjarrfikës, duke përfshirë avionët, apo helikopterët. Më së shumti helikopterët janë përdorur për udhëtimin e politikanëve apo të drejtuesve të Ministrisë së Mbrojtjes për fushatë elektorale, por kur nevojiten për shuarjen e zjarrit ngrejnë duart e këmbët përpjetë duke i bërë thirrje botës: “Na ndihmoni”.

Edhe në vende të zhvilluara sin ë Itali, Turqi apo Greqi zjarret janë problem. Por aty nuk mungojnë mjetet, nuk mungon infrastruktura për të shkuar deri në vatrat e zjarrit dhe sigurisht nuk mungon as kreu i emergjencave civile se kishte një “sebep familjar”, apo ministra dhe kryeministra të kridhen majë helikopterësh për propagandë.
Por duhet pak gajret…, ka edhe një mundësi të fundit “shpëtimi”, është kryeministri Edi Rama që me “frymën e Rilindjes” mund të shuajë me propagandë jo vetëm zjarret e vendit, por edhe të të gjithë Ballkanit, për më shumë në këtë kohë pas nëshkrimit të marrëveshjes me miqtë e tij Vuçiç dhe Zaev.