Rritja e numrit të rasteve me COVID-19/ Infektologët paralajmërojnë valë tjetër të pandemisë

Numri i rasteve të reja të infektuara me COVID-19 është rritur së fundmi në Kosovë. Infektologë në vend thonë se rritje të rasteve të infektuara me këtë virus do të ketë edhe gjatë ditëve të ardhshme, derisa paralajmërojnë fillimin e një vale të re të pandemisë në javët e ardhshme.

Varianti Delta i COVID-19 po përhapet me shpejtësi edhe në Kosovë.

Për më pak se dy javë (12 ditë), numri i rasteve aktive me COVID-19 ka shkuar në 582 nga 104 sa ishin më 21 korrik të këtij viti.

Infektologë në vend thonë se rritje të rasteve të reja të infektuara me koronavirus do të ketë edhe gjatë ditëve të ardhshme, derisa paralajmërohet një valë e re e këtij virusi nga muaji i ardhshëm.

Infektologu, Hamdi Ramadani ka thënë për Express se ditëve të ardhshme numri i rasteve të reja të infektuara me koronavirus mund të rritet edhe më shumë se që ka qenë së fundmi.

Megjithatë, ai është shprehur se nga muaji shtator një valë e re e COVID-19 është shumë e mundshme të filloj në vend, si pasoj e të cilës do të raportohet numër më i madh i të infektuarve me koronavirus.

“Në ditët e ardhshme shifrat e rasteve mund të shkojnë edhe në mbi 100. Janë variante të cilat lëvizin, por nuk pritet një lëvizje aq e madhe këto ditë, por unë dyshoj se në shtator e tetor do të paraqitet rreziku më i madh, se tek atëherë fillon edhe sezona. Atëherë pres një rritje shumë të madhe të valëve. Javët e ardhshme është mundësia shumë e madhe që vendi të përballet me variantin Delta”, ka thënë ai.

Ramadani ka deklaruar se numri i ulët i qytetarëve të vaksinuar, ardhja e mërgimtarëve e grumbujt e qytetarëve në ambiente të mbyllura do të bëjnë të mundur përhapjen e variantit Delta të koronavirusit, i cili sipas tij ka shpërndarje të shpejtë.

“Po shihet që kemi një rritje të numrit të rasteve me COVID-19. Kjo është e pritshme dhe do të jetë e pritshme. Në Kosovë për momentin e kemi nivelin e ulët të personave që kanë marrë vaksinën komplete Anti-COVID. Me këtë numër kaq të vogël, nga ana tjetër me ardhjen e mërgatës dhe mbushja e kafiterive e ambienteve të mbyllura e të hapura, bëjnë të mundur që varianti Delta të jetë i pranishëm dhe ta bëjë punën e vet. Ky variant ka një shpërndarje mjaft të shpejtë”, ka theksuar ai.

Tutje Ramadani ka thënë se Kosova e ka tani situatën e kontrolluar sa i përket pandemisë, por që kjo situatë mund të ndryshoj në javët e ardhshme.

Ai është shprehur se përderisa nuk bëhet vaksinimi i një numri më të madh të popullsisë, mund të rriten rastet e infektuara me koronavirus, mund të shtohen hospitalizimet e ndërlikimet te pacientët e infektuar.

Zyrtarë për informim në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë për Express se varianti Delta i COVID-19 ka ndikuar që të rritet numri i rasteve të reja me këtë virus në vend.

Nga kjo ministri kanë thënë se rreth 80 për qind e rasteve të reja të infektuara me koronavirus janë shkaktuar nga varianti Delta.

“Po, ky variant është dominues në shumicën e shteteve që këtyre ditëve regjistrojnë raste në rritje të SARS COV-2 (COVID-19). Edhe në Kosovë, gjithashtu. Nga komunikimet zyrtare që IKSHPK ka bërë rreth rasteve të reja të COVID-19, është bërë e ditur se 70-80% të këtyre rasteve janë të shkaktuara nga varianti Delta (SARS -COV-2)”, kanë thënë zëdhënës për informim.

LEXO EDHE  Mali i Zi i ofron azil politik biznesmenit të akuzuar nga Rusia për dy vr*sje

Nga MSH kanë thënë se vaksinimi është mënyra më e mirë për të parandaluar përhapjen e virusit, ndonëse nga kjo ministri kanë thënë se edhe personat e vaksinuar mund të infektohen me COVID-19.

“Vaksinimi është mënyra më e mirë për të parandaluar përhapjen e virusit, por nuk do të thotë që nga virusi nuk mund të preken edhe personat e vaksinuar. Personat e vaksinuar normalisht preken shumë më pak dhe zhvillojnë forma të lehta të sëmundjes edhe nëse infektohen, për dallim prej atyre që nuk vaksinohen tek të cilët zhvillohen forma më të rënda të sëmundjes dhe shumë prej tyre edhe kanë nevojë për hospitalizim”, është thënë për gazetën.

Nga 5 e më pak raste të reja sa raportoheshin para më pak se dy javëve, numri i rasteve të reja të infektuara me COVID-19 ka shkuar në 100 ditën e djeshme.

Një rritje e shpejtë e numrit të rasteve të reja me COVID-19 është parë në javën e fundit në komuna të ndryshme.

Këtë e pohojnë edhe drejtorë të Shëndetësisë.

Drejtoresha e Shëndetësisë në Gjakovë, Afërdita Spahiu-Shllaku ka thënë për Express se numri i rasteve aktive me COVID-19 në këtë komunë para më shumë se një jave ka qenë 2, por që së fundmi ky numër është rritur.

“Jemi në kohë pandemie, pritet një valë tjetër dhe qysh të gjendemi në këto situata. Shpresojmë që mos të kemi ndonjë valë të fortë. Veçse ka filluar të rritet numri i të infektuarve. Edhe në komunën tonë çdo ditë dalin raste të reja. Ne kemi qenë me dy raste aktive. Vazhdimisht po dalin raste të reja”, ka deklaruar ajo.

Në statistikat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, shihet se Prishtina prin me numrin më të madh të rasteve aktive me COVID-19, me gjithsej 130 raste, pastaj Ferizaj me 65 raste, Gjilani me 64 raste, Gjakova me 46 raste, Mitrovica me 33 raste, Podujeva me 30 raste, Prizreni me 27 e Peja me 26.

Me rritjen e rasteve të infektuara me COVID-19 është rritur edhe numri i pacientëve të hospitalizuar.

Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës ka bërë të ditur se sot në klinikat COVID në QKUK dhe spitalet e përgjithshme janë të shtrirë 106 pacientë.

52 nga këta pacientë janë të konfirmuar pozitiv me COVID-19.

3 pacientë janë në gjendje të rëndë shëndetësore ndërsa 3 janë me oksigjenoterapi.

Kujtojmë që me përhapjen e variantit Delta të COVID-19, Ministria e Shëndetësisë e IKSHPK kanë kërkuar nga qytetarët që të vaksinohen që të mbrohen nga ky virus.

Varianti Delta i COVID-19 është përhapur me shpejtësi në shumë shtete.

Ky variant vlerësohet se është afërsisht 60% më i transmetueshëm se varianti Alpha, ose Kent.

Ndërsa, edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka klasifikuar atë si variant se variant shqetësues i cili mund të përhapet më lehtë.

Nga kjo organizatë patën thënë se varianti Delta është gati të kapë të gjithë evropën pasi shtete të shumta kanë hequr kufizimet