Raporti: Presioni i korrupsionit në vend sa dyfishi i rajonit

Korrupsioni ka shënuar një rritje të ndjeshme në vitin 2021, sipas një raporti të fundit “Rezultatet e Sistemit të Monitorimit të Korrupsionit në Shqipëri 2021”.

Ky raport është përgatitur nga ACER nën drejtimin e Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (MCIC – Maqedonia e Veriut), në kuadër të rrjetit të SELDI (Lidershipi i Evropës Juglindore për Zhvillim dhe Integritet).

Raporti mat eksperiencën me korrupsionin, që lidhet me dy  indikatorë apo aspekte të korrupsionit administrativ, të cilat janë: përfshirja[1] dhe presioni[2]. Raporti thekson se pjesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë ka një mungesë besimi tek politikat dhe strategjitë antikorrupsion të ndërmarra gjatë viteve të fundit, duke përfshirë edhe reformën në drejtësi.

Qytetarët janë pyetur për përvojat e tyre lidhur me praktikat korruptive dhe më shumë se gjysma e tyre (57%) ka pranuar se ju është kërkuar ryshfet në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë nga zyrtarët publikë. Rezultatet tregojnë një përkeqësim të situatës në vitin 2021, dhe kjo është vlera më e lartë e shënuar që nga viti 2002, me një rritje prej  13 % nga vrojtimi i realizuar në vitin 2019 mbi presionit nga ana e zyrtarëve publikë, për të dhënë ryshfet. Nëse do të bëjmë një krahasim të këtij treguesi me Rajonin, do të shohim se Shqipëria është një nga vendet me presion më të lartë për korrupsion nga zyrtarët publikë dhe rezultati i Shqipërisë për vitin 2021 është pothuajse sa dyfishi i mesatares së Rajonit për vitin 2019 (37.6%).

Rrjedhimisht me rritjen e presionit, të njëjtën prirje ndjek dhe përfshirja e qytetarëve në korrupsion, ku përgjatë dy viteve të fundit 46.3.% e qytetarëve kanë dhënë ryshfet, pra mesatarisht 1 në 2 njerëz në Shqipëri kanë dhënë ryshfet. Kjo shifër është dukshëm më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian në vitin 2021, ku vetëm 3 në 10 qytetarë të pyetur kanë dhënë ryshfet për të marrë shërbime publike.

Sipas grafikut të publikuar në raport, si presioni (kërkesa për të dhënë ryshfet) ashtu dhe përfshirja (dhënia e ryshfetit) janë në nivelet më të larta që nga viti 2002.

Sipas rezultateve të vrojtimit të realizuar në vitin 2021, grupet që perceptohen si më të korruptuarit vijojnë të mbeten  gjyqtarët, prokurorët, zyrtarët e administratës në sistemin e drejtësisë, doganierët, partitë dhe liderët politikë. Rezultatet tregojnë që gjatë dy viteve të fundit, nuk është shënuar përmirësim në perceptimin e qytetarëve për këto grupe. Ndërkohë, grupet e perceptuara si më pak të korruptuara janë mjekët, mësuesit, gazetarët, anëtarët e këshillavebashkiake, trupat pedagogjike të fakulteteve dhe universiteteve..

LEXO EDHE  Vrau ish-bashkëshorten 23 vjeçare, familjarët e Sabrinës padi në gjykatë: T’i hiqet kujdestaria e vajzës

Më shumë se 3/4 e të anketuarve (78%) vazhdojnë të mendojnë se “Korrupsioni nuk mund të reduktohet ndjeshëm apo të çrrënjoset ”. Shifrat e njëjta të perceptimit të publikut tregojnë vazhdimësi të mungesës së besimit të qytetarëve tek efektiviteti i politikave anti-korrupsion dhe kapacitetet e shoqërisë shqiptare për t’u përballur me problemin e korrupsionit. Gjithashtu mund të kuptohet se institucionet shtetërore në harkun e këtyre dy viteve nuk kanë bërë përpjekje të mjaftueshme për të luftuar korrupsionin. Për më tepër, numri i të anketuarve që mendojnë se “korrupsioni mund të reduktohet në mënyrë drastike” dhe pse është zvogëluar në krahasim me gjetjet e viteve 2001, 2002, 2014, ka mbetur i njëjtë nga viti 2016. Pra pjesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë ka një mungesë besimi tek politikat dhe strategjitë antikorrupsion të ndërmarra gjatë viteve të fundit, duke përfshirë edhe reformën në drejtësi.

Metodologjia

Që prej vitit 2001, Lidershipi i Evropës Juglindore për Zhvillim dhe Integritet (SELDI) përdor Sistemin e Monitorimit të Korrupsionit (SMK) për të analizuar dhe monitoruar nivelet e korrupsionit në Evropën Juglindore, në të cilën bën pjesë dhe Shqipëria.

Për gjenerimin e këtyre indikatorëvë, në Shqipëri në fillim të këtij viti u realizua një anketim, ku u përdor një kampion përfaqësues i popullatës shqiptare me 1.010 të anketuar, në të gjithë Shqipërinë.

Ky anketim, duke ndjekur të njëjtën metodologji, është realizuar në vitin 2001, 2002, 2014, 2016 dhe 2019. Indikatorët e SMK, japin mundësinë e krahasueshmërisë midis periudhave të ndryshme kohore.

[1] Presioni i korrupsionit, paraqet rastet kur një zyrtar publik i ka kërkuar ryshfet qytetarëve në mënyrë direkte duke i kërkuar atyre që të bëjë një pagesë informale ose në mënyrë indirekte, duke u lënë atyre të nënkuptohet së nëse bëjnë një pagesë informale, kërkesa/problemi i tyre do të zgjidhet.

[2] Përfshirja në korrupsion,  vlerëson rastet kur qytetarët u bëjnë pagesa informale zyrtarëve publikë. Ky indikator përmbledh raportimet e qytetarëve dhe i ndan ato në dy kategori: qytetarët që kanë patur përvojë (ata kanë bërë një pagesë informale të paktën një herë gjatë vitit të fundit) dhe qytetarët që nuk kanë patur përvojë (që nuk kanë bërë pagesa informale).

/Monitor.al/