Në Shkup u zhvillua takimi i rradhës mes Kryeministrave Zoran Zaev dhe Edi Rama me Presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, ndërsa iu bë thirrje edhe 3 vendeve të tjera të Rajonit, Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnjes, për tiu bashkuar nismës së mini-Shengenit.
Vuçiç, referuar takimit të parë me Ramës, kohë më parë, tha se shiheshin si dy armiq dhe sulmonin njëri-tjetrin vetëm që të fitonin pikë politike të brendshme, por sipas Vuiçiç, tashmë gjerat kanë ndryshuar.
Ai shprehet se është një mbështetës i zjarrtë i “Shengenit Rajonal”, pasi sipas tij me hapjen e kufijve, qytetarët do të ndihen më të sigurt në vendet që udhëtojnë.
“Më kujtohet takimi i parë me Edi, në vitin 2015. Dy armiq që vijnë tek njëri tjetri. Duke gjetur justifikime të mjaftueshme për të ofenduar palën tjetër. Duke mos kërkuar bashkëpunim real dhe duke bërë gjëra që na jepnin pikë politike brenda por vetëm kaq.
Por sot nuk duam t’ja dimë më për këtë. Duam t’ja dimë vetëm për të ardhmen e përbashkët. Duam t’ja dimë për rezultatet e mundshme të kësaj të ardhme kaq. Mendoi vërtetë që duhet të japë llogari për një vend në rajon që nuk ka dashur të bashkohet me ne? Jo!. Nuk është e dhimbshme për ne që të themi të vërtetën. Nëse doni në rregull por edhe nëse nuk doni është zgjedhja juaj. Është shumë e thjeshtë. Kjo është e rëndësishme se këto kufij të hapur janë se njerëzit do jenë të mirëpritur”.
Ndërkohë Rama ka qenë i të njëjtit mendim si Vuçiç, duke thënë se ishin gati të hynin në luftë për një ndeshje futbolli, por sipas tij sot gjërat janë ndryshe. Rama ka thënë se ende nuk pajtohet me Vuçiç për çështjen e Kosovës, por kjo nuk mund të bëhet pengesë për të rritur ekonominë.
“Ishte një kohë që mund të hynim në luftë për një ndeshje futbolli dhe sigurisht që ishte një takim shumë i vështirë nuk nënkupton se ramë dakord për Kosovën, apo të biem sot, por si mund të jetë kjo pengesë për të formuar ekonomitë tona”
Gjatë punimeve të Samitit, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, nuk e kanë fshehur përkujdesjen ndaj njëri tjetrit, por njëherazi nuk kanë lënë pas as batutat.
Madje me batuta kanë trajtuar edhe çështjen e njohjes së Kosovës. Që mes Ramës dhe Vuçiç ka raporte mjaft të mira kjo tashmë dihet, por kjo është hera e parë që një Kryeministër shqiptar, trajton me batuta çështjen e Kosovës, dhe pastaj me paturpësi kërkon që Qeveria e Kosovës ti bashkohet nismës së mini-Shengenit Ballkanik, një projekt që kontestohet fort nga palët politike jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri.
Vucic: Çfarëdo të thotë Edi unë do ta mbështes. 100 për qind. Ndaj këtë po e them paraprakisht dhe mos më pyesni pse dhe për çfarë. Unë do ta mbështes, ta dini
Rama: Tani Aleksandër pretendon që unë të them se kërkoj njohjen e Kosovës dhe ai nuk do ta miratojë këtë, edhe pse thotë 100 përqind e mbështes fjalën e Edit. Por nuk jemi këtu për këtë sepse Marko si një njeri që ndërhyn për zgjidhje mosmarrëveshjes, kërkon që unë të flas për BE, por ne jemi këtu për rajonin.
Lidhur me samitin e Shkupit ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës, e cila thotë se iniciativa e “mini-Shengenit” është nismë pa vizion për rajonin.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nuk ka marrë pjesë në Forumit Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal që u zhvillua në Maqedoninë e Veriut, që deri tani njihej si “mini-Shengeni” Ballkanik.
Qeveria e Kosovës tha se “qëndrimet për idenë e Novi Sadit, të ashtuquajtur ‘mini-Shengen’, tashmë janë të njohura”.
“Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin, thuhet në përgjigje.