Lëvizja “Shqipëria Bëhet” do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar shfuqizimin e aktit normativ përmes të cilit qeveria shqiptare akordoi 4 milionë euro për organizimin e koncertit të Kanye West në Tiranë.
Kërkesa do të depozitohet nesër në orën 10:00, ndërsa para dorëzimit të saj pritet të ketë një deklaratë publike nga kreu i lëvizjes, Adriatik Lapaj.
Biletat e koncertit shiten përmes platformës ndërkombëtare Viagogo, kompani me bazë jashtë Shqipërisë, e cila arkëton tarifat për shitjen online të tyre. Ndërkohë, sipas Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, organizatore e aktivitetit është kompania gjermane Streetlife International.
Për shkak të këtij organizimi përmes subjekteve të huaja, ngrihen pikëpyetje edhe mbi përfitimet fiskale për shtetin shqiptar, pasi kompanitë që operojnë jashtë vendit nuk i nënshtrohen të njëjtave detyrime si subjektet vendase, përfshirë TVSH-në mbi shitjen e biletave apo tatimin mbi fitimin.
Ndërkohë, kompania që do të mbështesë realizimin teknik të eventit në terren, Redcloud, rezulton të ketë një masë sigurimi të detyrimit tatimor të vendosur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në tetor 2024, për shkak të detyrimeve të pashlyera tatimore. Sipas të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit, masa për bllokimin e tjetërsimit të aksioneve vijon të jetë aktive.














