Trafik kokaine drejt Greqisë/ Zbardhet dosja e Prokurorisë, si bashkëpunoi efektivi i “Shqiponjave” me trafikantët

Një efektiv Policie i arrestuar në Sarandë rreth një muaj më parë për shpërndarje kokaine në qytetin bregdetar, rezulton i përfshirë edhe në trafikun e drogës në drejtim të Greqisë.

Efektivi i “Shqiponjave”, Lavdosh Metaj, u arrestua  më 12 qershor. Në dosjen e Prokurorisë së Sarandës bëhet me dije se efektivi është përfshirë në trafikun e marijuanës dhe kokainës drejt shtetit grek.

“Nga informacionet e marra rezulton se punonjësi i Policisë, Lavdosh Metaj, merret edhe me aktivitetin e kundërligjshëm të trafikimit të lëndëve  narkotike të llojit marijuanë dhe kokainë, të cilat i trans- porton nga qyteti i Fierit, ku ia sigurojnë dhe grumbullojnë  këto lëndë persona të tjerë të afërm dhe me lidhje shoqërore ende të paidentifikuar”, thuhet në dosje.

Hetimet ndaj tij, kishin nisur pas informacioneve të SHÇBA-së në Vlorë dhe Gjirokastër për përfshirjen e forcave të rendit në këtë aktivitet.

U DENONCUA NGA KOLEGËT

Rreth një muaj pas arrestimit të bujshëm të efektivit, nën akuzën e shitjes së lëndëve narkotike, të tjera detaje dalin në dritë për përfshirjen e tij në aktivitetin e paligjshëm. Sipas  dosjes së Prokurorisë, Lavdosh Metaj kishte 6 muaj që heto- hej pas një materiali kallëzues që kishte ardhur në Prokurori  nga vete kolegët e Komisariatit të Sarandës, për dy akuza, atë të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikeve” e kryer në bashkëpunim dhe “Trafikimi i narkotikeve”, e kryer në bashkëpunim. Kallëzimi ndaj efektivit ishte bërë më 18 dhjetor 2020.

“Sipas informacioneve të përfituara nga shërbimet e SHÇBA-së, ka rezultuar se efektivi i Policisë, shtetasi Lavdosh Metaj merret me aktivitetin kriminal të ‘prodhimit  dhe shitjes së narkotikëve’, kryesisht të kokainës në qytetin e Sarandës, ku në këtë aktivitet kriminal ky shtetas bashkëpunon edhe me persona të tjerë të cilët i sigurojnë lëndën  narkotike, transportin e së cilës më pas e kryen vetë me automjetin e tij, të cilit i ka bërë dhe modifikime në vende të fshehta”, sqaron Prokuroria. Sipas dosjes hetimore, lëndën narkotike, efektivi e shpërndante në qytetin e Sarandës  kryesisht gjatë muajve të verës, ndërsa organi i akuzës ka arritur të faktojë edhe lokalet dhe hotelet ku shitej droga.

BASHKËPUNOI ME KAMARIERËT

LEXO EDHE  E rëndë/ I vuri zjarrin tokës, humb jetën nga asfiksia 59-vjeçari në Kavajë

Një tjetër detaj në dosjen hetimore, është edhe fakti që efektivi ishte edhe vetë konsumues i lëndëve narkotike, ndërsa në lokale dhe hotele kishte shtrirë rrjetin e bashkëpunëtorëve. “Gjithashtu, sipas të dhënave për shpërndarjen e lëndës narkotike, shtetasi i dyshuar bashkëpunon edhe me disa kamerierë të hoteleve të mëdha në Sarandë, të cilët i gjejnë dhe klientelën. Lëndën narkotike, i dyshuari ua jep atyre nga automjeti ku e mban për ta shitur”, thuhet më tej në dosje.

BLEU TJETËR APARTAMENT

Prokuroria thekson se, një pjesë të dozave të kokainës 38-vjeçari i mbante të fshehura edhe në banesën e tij në  katin e katërt të një pallati në Lagjen Nr.4 të qytetit të Sarandës. Ndërkohë, ai kishte arritur të blinte edhe një apartament tjetër po në Sarandë, përveç jetës luksoze që bënte e  dëshmuar kjo edhe në rrjetet sociale. “Gjithashtu, dyshohet se nga zhvillimi i këtij aktiviteti kriminal, ky punonjës Policie ka akumuluar dhe pasuri të konsiderueshme, pasi sipas të dhënave ka blerë edhe një apartament tjetër në  qytetin e Sarandës, i cili është në përfundim e sipër”, thuhet më tej në dosje. Përveç se vetë, efektivi 38-vjeçar kishte  përfshirë në aktivitet edhe persona të tjerë të rrethi familjar.

ARRESTIMI

Pas hetimeve të kryera për një periudhë disamujore, më 11 qershor, Gjykata e Sarandës lëshoi urdhërarrestin ndaj efektivit Metaj, duke i lejuar Policisë edhe kontrollin e banesës. Një ditë më vonë, efektivët teksa e mbanin nën vëzhgim, rreth orës 19:45, kanë konstatuar se i dyshuari ka dalë nga banesa e tij, duke mbajtur në krah një çantë të llojit “marsup”, me ngjyrë të zezë. Në këto kushte efektivët  e SHÇBA-së kanë ndërhyrë duke bërë ndalimin e të dyshuarit, ku gjatë kontrollit janë konstatuar 11 doza të futura  në qese plastmasi transparente të mbyllura me djegie në fundin e tyre, brenda të cilave mbartej pluhur i bardhë, i ngjashëm me lëndën narkotike kokainë. Gjithashtu, gjatë kontrollit personal, të dyshuarit iu gjetën edhe një sasi të hollash prej 350 euro dhe 210.000 lekë (të vjetra), si dhe tre telefona. 

/Panorama.al/