Bashkëqeverisja Rama-Basha, cilët janë interlokutorët amerikanë. Çfarë pritet në fillim të gushtit dhe ftesa nga Berlini

Nga Boldenws.al

Në zgjedhjet e 25 prillit, Edi Rama mori mandatin e 3-të për të qeverisur, duke thyer traditën e të paktën 24 viteve të fundit të rotacionit të pushtetit pas 8 viteve në qeverisje.

E ndërsa zotëron 74 mandate nën siglën e PS-së, pa përfshirë këtu 3 mandatet e deputetëve të PSD-së, duket se Edi Rama ndodhet nën një presion ndërkombëtar për të qeverisur i vetëm.

Prej kohësh në skenën politike janë hedhur idetë për një bashkëqeverisje, apo një qeveri me bazë të gjerë, PS-PD, në emër të integrimit, plotësimit të kushteve të vendosura nga Brukseli, çuarjes përpara të reformave, me synim mbajtjen e një stabiliteti jo vetëm politik.

Idetë që qarkullojnë duket se kanë një bazë, pavarësisht se në një opinion të përgjithshëm, një bashkëqeverisje PS-PD do e linte vendin pa një opozitë reale, qoftë parlamentare, ashtu edhe politike, të paktën për disa kohë.
Gjithsesi duket se një presion i shtuar ndërkombëtar mund të rikthejë në skenën politike shqiptare një marrëveshje politike, për ndarje pushteti apo për bashkëqeverisje.

Prej disa ditësh në Tiranë ndodhet Jason Emert, një republikan amerikan, i shfaqur për herë të parë në 2017, kohë kur opozita e drejtuar nga Lulzim Basha, kishte vendosur një çadër në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe protetestonte. Në atë kohë Emert, i cili ishte kryetar i Bashkimit të Forumeve Rinore të partive të Djathta si dhe Sekretar i Përgjithshëm i Forumit Rinor Republikan në SHBA, mbajti edhe një fjalim në çadër, i cili u interpretua si një mbështetje e republikanëve të Presidentit Trump ndaj opozitës.

Emert duket se është rikthyer sërisht në Shqipëri, këtë rradhë jo thjesht për të mbështetur Bashën, por si një interlokutor ndoshta mes pozitës dhe opozitës për arritjen e një marrëveshjeje.

Mësohet se Emert është takuar me një njeri të afërt të Kryeministrit Edi Rama, që në rangjet politike konsiderohet
si njeriu hije, ose eminenca gri.

“Njeriu hije” pranë Ramës duket se është mandatuar nga Kryeministri për të folur në emër të tij, për të dhënë ndoshta edhe një model se si mund të arrihet në një marrëveshje bashkëqeverisëse.

Dhe nisur nga mënyra se si po zhvillohen këto negociata, duket se emisarët, po njihen së pari me një projekt të Kryeministrit, për ta vijuar më pas bisedën me palën tjetër, Partinë Demokratike të drejtuar nga Lulzim Basha.

Nga skenari politik që duket se po tentohet të aplikohet, propozimet e Kryeministrit, përmes “njeriut hije” synojnë ndërtimin e një qeverie në muajin shtator, jo me figura politike të njohura, kryesisht teknicienë apo personazhe që janë shkëputur nga realiteti shqiptar prej disa vitesh. Mësohet se ky propozim mund të ketë lidhje pikërisht me krijimin e një klase të re politike, ku mandatet si ministra, mund të promovojnë këto emra apo figura, një pjesë e të cilëve mund të kenë një distancë të barabartë mes dy partive.

LEXO EDHE  FOTO/ Zjarri rrezikon edhe Ardenicën, dëme të konsiderueshme në ullishtet

Por duket se takimet e Emert me njeriun e afërt të Ramës, dhe që pritet të vijojnë me kreun demokrat, apo një njeri të besuar të tij, i paraprijnë vizitës në Shqipëri të ambasadorit Richard Grenell, një prej emrave më të besuar të Donald Trump. Grenell, i dërguari special i Trump në rajonin e Ballkanit, veçanërisht në arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, pritet të ketë takime qoftë me Ramën ashtu edhe me Bashën.

Krahas çështjeve të ndryshme që mund të diskutohen, besohet se Grenell mund të rrisë nivelin e bisedës mes dy liderëve të partive kryesore në Shqipëri, për gjetjen e një marrëveshjeje politike.

Grenell pak javë më parë intervistoi Edi Ramën, më pas u shfaq duke shprehur kritika lidhur me shpalljen non-grata të ish-Kryeministrit Sali Berisha, duke u përpjekur në këtë mënyrë që të ruajë një distancë, të shfaqet si një emër i pranueshëm për politikanët e dy kampeve në Shqipëri, edhe pse gjatë kohës që ishte i dërguar special i Trump në Ballkan, krijoi jo pak polemika me qëndrimet e tij lidhur me marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.

Por duket se aktiviteti apo trysnia ndërkombëtare për të ulur palët nga angazhimi i disa figurave republikane amerikane do të zhvendoset në Berlin.

Boldnews.al ka mësuar se përfaqësues të PS dhe PD janë ftuar në Berlin, atje ku në fund të muajit shtator, do të mbahet kongresi i CDU-së, parti e cila prej të paktën 16 vitesh drejtohet nga kancelarja Angela Merkel, e cila disa muaj më parë lajmëroi tërheqjen nga politika.

Dhe duket se Berlini mund të shërbejë si një kryeqendër e arritjes së një marrëveshjeje politike, bashkëqeverisëse, me argumentet se do i shërbejë integrimit europian të Shqipërisë.

Përgjatë viteve të fundit Gjermania ka luajtur një rol kyç në politikën shqiptare, ku nuk duhet harruar angazhimi i McAlister në bisedimet e vështira të 2017-ës për arritjen e një marrëveshjeje mes Bashës dhe Ramës, e cila në fund u firmos nga palët me ndërhyrjen amerikane, duke iu shtuar paketës së propozimeve gjermane edhe disa pika, ndërsa në fund ajo u quajt McAlister+.

Duket se këtë rradhë loja po drejtohet nga disa figura amerikane me suport kryesisht republikan, që po tentojnë të arrihet një marrëveshje, e cila mund të përmbyllet në Berlin, dhe nënshkruhet në Tiranë.