Sfida ndaj Basel, Tedi Cara thirrje tifozëve: Na mbështesni, do të ketë një surprizë të bukur…

Sulmuesi i ri i Partizanit, Tedi Cara, e ka nisur këtë sezon në mënyrën më të mirë të mundshme, duke shënuar 2 gola dhe duke asistuar një tjetër. Në 2 takimet ndaj Sfintulit, 21- vjeçari luajti titullar dhe tregoi një formë të mirë.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” Cara foli për shumë tema. Nga besimi që i ka dhënë Daja, deri te kualifikimi përballë Sfintulit dhe shanset që kanë me Bazelin. Për ndeshjen kundër zviceranëve, Cara kërkoi mbështetjen e tifozëve, pasi sipas tij, do të ketë një surprizë të bukur…

Tedi, urime për kualifikimin! Si ndiheni që jeni në turin e dytë?

Ndihem shumë i lumtur për këtë kalim turi, ishin dy ndeshje jo të lehta. Bëmë maksimumin dhe më vjen mirë që ja dolëm

Bëtë dy ndeshje fantastike, duke shënuar dy gola dhe duke dhuruar një asist. Do ta ruajë Cara këtë formë edhe në vazhdimësi?

Për mua është hera e parë që luaj në Kupat e Europës dhe më vjen mirë që ndihmova ekipin të fitonte në të dyja ndeshjet. Edhe në aspektin personal, të arrija ato çfarë doja. Shpresoj të vazhdoj po kështu.

8 gola dhe 2 fitore kundër Sfintulit. A është Partizani i frikshëm, apo kundërshtari nuk ishte në nivelin e parashikuar?

LEXO EDHE  Juve-Milan, formacionet e mundshme. Ja skemat që pritet të përdorin trajnerët

Sfintul ishte një ekip i mirë dhe ne në qoftë se do ta mendonim të lehtë, do ta kishim shumë të vështirë të kualifikoheshim, sepse e pamë edhe në fushën e tyre, aty ku lojtarët e Sfintulit e filluan mirë. Por, ne arritëm të qëndronim të përqendruar dhe shfrytëzuam rastet tona.

Në turin e dytë, Bazeli… Mendimi juaj i parë për këtë takim?

Bazeli është një ekip që nuk ka nevojë për fjalë, sepse historia e këtij ekipi flet vetë. Do ta kemi të vështirë, por do të bëjmë maksimumin për t’i mundur.

Çfarë ndjesie do të kishit nëse do të shënonit një supergol edhe ndaj Bazelit ashtu si ndaj Sfintulit?

E rëndësishme është të bëjmë një paraqitje të mirë, të shoqëruar dhe me rezultat të mirë. Normalisht, në qoftë se do shënoja po ashtu, do të ishte qershia mbi tortë.

Çfarë kërkon Daja nga një lojtar i ri, sidomos në repartin e sulmit?

Daja kërkon të hyj në fushë me personalitet, të bëj ato çfarë di të bëj, duke mos menduar për asgjë tjetër.

Ka Cara ndonjë mesazh për tifozët para ndeshjes me Bazelin?

Dua që të na mbështesin në këto dy ndeshje me Bazelin, sepse do të ketë një surprizë të bukur…