Kongresi i PD/ Shehu: Kishte si qëllim për zhvillonte demokracinë e brendshme

PD publikoi  listën me 300 anëtarët fitues që do të jenë pjesë e Këshillit Kombëtar të kësaj force politike për 4 vitet e ardhshme.

Anëtari i PD-së, Tritan Shehu në një lidhje të drejtpërdrejtë me RTV Ora foli për Kongresin e partisë dhe u shpreh se ky kongres kishte si qëllim të zhvillonte demokracinë e brendshme në mënyrë që ta bëjë partinë më të zhdërvjellët.

Shehu: “Ky kongres kërkoi të zhvillojë demokracinë e brendshme brenda partisë, për ta bërë partinë më të zhdërvjellët dhe për të kaluar një pjesë të problemeve në strukturat e bazës dhe duke lehtësuar kështu strukturat qendrore. Kjo lidhet padyshim me një element të forcimit të demokracisë, të decentralizimit të PD dhe të një komunikimi të mirë.”

Sipas zotit Shehu, ky kongres kishte dy elementë kryesore. I pari ishte zgjerimi dhe i dyti ruajtja e kolonave kryesore të statutit.

Shehu: “Kishte dy elementë që dua të theksoj. Së pari një proces zgjerimi, rinovimi, një proces i favorizimit të prurjeve të reja, por duke ruajtur dhe vlerat historike të PD-së. Nga ana tjetër e rëndësishme ishte që vërtet pati ndryshime në statut, vërtet pati elementë që përmirësuan statutin, por u ruajtën kolonat kryesore të statutit. U ruajtën kolonat e rëndësishme të qendrës së djathtë.”

LEXO EDHE  FOTO+EMRI/ E ekzekutoi në sy të fëmijës së tyre, policia amerikane identifikon vrasësin e Joana Pecit

Në fjalën e tij, zoti Sheu u shpreh se merita e një partie është të ruajë vlerat historike dhe në qendër të këtyre vlerave është zoti Berisha.

Shehu: “Merita e një partie është të ruajë vlerat historike të saj dhe padyshim Berisha është një vlerë e madhe historike e PD-së, është lideri jonë në gjithë këtë rrugëtim të demokracisë, është promotori i pluralizmit politik në Shqipëri, i hapjes së Shqipërisë, i lidhjes me  perëndimin. Pra kur themi vlerat historike të PD-së duhen ruajtur, padyshim Berisha është në  qendër të këtyre vlerave. Asnjë Parti Demokratike në botë nuk hedh të kaluarën e saj, vlerat dhe potencialin. Padyshim në kombinim me të renë, Basha vjen nga një edukim perëndimor, me një vizion më modern. Unë jam i bindur që zoti Basha lufton për të bërë këtë kombinim midis vlerave të PD-së dhe elementëve të rinj. “