Çuan në Britani me dokumente false 400 shqiptarë, shkatërrohet banda e trafikantëve

Policia spanjolle ka arrestuar 18 anëtarë të një bande të cilët trafikuan më shumë se 400 emigrantë të paligjshëm shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA, duke përdorur karta indetiteti franceze të rreme.

Mediat angleze bëjnë me dije se ky operacion u drejtua nga Policia Kombëtare Spanjolle në bashkëpunim me agjencinë e krimit në Evropë, Europol.

Aksioni për goditjen e këtij grupi u zhvillua në portin detar të Tarragonas, në verilindje të Spanjës.

Gjatë arrestimit agjentët gjithashtu kontrolluan shtëpitë e tyre dhe bënë të mundur sekuestrimin e dhjetra dokumenteve të falsifikuara, financiare, regjistrime të aktiviteteve të paligjshme, pajisje elektronike, para dhe lëndë narkotike të ndryshme, duke përfshirë kanabis, kokainë dhe droga sintetike.

Ky hetim ka nisur që prej dy vitesh dhe deri më tani në pranga kanë rënë 46 persona.

Në një deklaratë për mediat Europol tha se arrestimi i këtyre personave u bë i mundur falë ndjekjes së një grupi i cili vepron në MB dhe Irlandë të cilët menaxhonin fluturimet për ata që futeshin në vend. Kjo çoi në identifikimin e një prej anëtarëve kryesore të bandës i cili po mundësonte operacionin.

LEXO EDHE  A do t´i rikthehet PD protestave? Ja çfarë thotë Lulzim Basha

“Inteligjenca e ndarë nga Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare dhe Hetimet e Sigurisë Kombëtare çuan në identifikimin e një objektivi me vlerë të lartë në Spanjë. Nga atje i dyshuari dhe bashkëpuntorët e tij lehtësuan hyrjen e paligjshme të migrantëve përmes aeroporteve të ndryshme në Spanjë dhe Portugali në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa u siguruan atyre karta franceze të falsifikuara”, tha “Europol”.

Media britanike bën me dije se në dhjetor të vitit të kaluar, korrierët që udhëtonin në Kosovë dhe Shqipëri për të shpërndarë dokumentet e rreme u arrestuan nga forcat policore.

Në muajin mars katër dyqane të cilat mundësonin dokumentet e falsifikuara në Kosovë u shpërbënë, më shumë se 400 migrantë janë identifikuar në aeroporte dhe më shumë se 1.000 dokumente false janë kapur.