Variantet e reja të Covid/ Ja çfarë këshillon mjeku Alimehmeti

Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti  ka dhënë një mendim mbi variantet e reja të Covid. Alimehmeti thekson se vaksinat vazhdojnë të funksionojnë prandaj nuk duhet të ketë hezitim në injektimin e dozave.

Ai ka publikuar të dhënat e një studimi të fundit mbi variantet e reja, efektin e vaksinave dhe imunitetin.

“Vepro shpejt, pa pendesë…Nëse për të vepruar ke gjithmonë nevojë të kesh të drejtë, asnjëherë nuk do të fitosh!”. Cit.: Dr. Mike Ryan (Epidemiolog – OBSH). Lajme të mira miqtë e mi mbi imunitetin kundër varianteve të SARS-CoV-2 miqtë e mi! Zhurma mbi aftësinë e varianteve për të kapërcyer efektin e imunitetit natyror dhe atë të ofruar nga vaksinat, deri tani ishte thjesht kaq: zhurmë!

Me të vërtetë ishin më të transmetueshëm dhe kush nuk ishte imunizuar natyrisht apo pasivisht duhet të kishte kujdes prej tyre, por në asnjë bazë literature nuk vërehej risku i tejkalimit të imunitetit, përveç rënies së numrit të antitrupave që është vetëm një prej elementëve të imunitetit. Këtë na e vërteton sërish (sepse tashmë studimet bëhen për të provuar atë që njihet që më parë) instituti prestigjioz La Jolla Institute for Immunology (SHBA), të cilët botuan studimin e tyre në Cell Reports Medicine më 01 korrik 2021, pasi testuan aftësinë e përgjigjes imunitare qelizore kundër:

Ëuhan-1 (virusi origjinal),

B.1.1.7 ose varianti alfa / britanik,

B.1.351 ose varianti beta / afrikanojugor,

P.1 ose varianti gama / brazilian, dhe

CAL.20C ose varianti epsilon / kalifornian.

Në veçanti janë studiuar 4 grupe të ndryshme individësh:

një grup kontrolli personash të paekspozuar ndaj COVID-19 (gjak i marrë përpara pandemisë),

një grup që e ka kaluar në mënyrë natyrore COVID-19,

një grup i vaksinuar me Pfizer, dhe

LEXO EDHE  Banka e Shqipërisë kontrollon linjat e mikrokredive: Në rritje, ankesat për mashtrim

një grup i vaksinuar me Moderna.

Gjetjet kryesore:

Qelizat (limfocitet) T të personave të ekspozuar apo të vaksinuar i njohin me efektivitet variantet e SARS-CoV-2

Njihen në mënyrë efektive (në analiza AIM dhe FluoroSPOT) proteina spike dhe proteina të tjera.

93% dhe 97% e epitopeve të limfociteve CD4 dhe CD8 epitopes janë të konservuara 100% në të gjithë variantet.

Gjetje dytësore:

Nuk vërehen diferenca statistikore ndërmjet personave që e kanë kaluar në mënyrë natyrore COVID-19 dhe personave të vaksinuar me Pfizer apo Moderna.

Në deklaratat për shtyp, autorët e studimit shprehen:

Prof. Alessandro Sette:

“Ky studim sugjeron se impakti i mutacioneve të varianteve shqetësuese (VOC) është i kufizuar.

“Ne mendojmë se qelizat T do të vazhdojnë të jenë një linjë mbrojtjeje kundër infeksionit nga variantet.”

PhD Alba Grifoni:

“Këto janë ende variante shqetësimi, por studimi ynë tregon se edhe pse ka një ulje të antitrupave, siç tregojnë studime të tjera, limfocitet T mbeten pothuajse të pandikuara.”

“Vaksinat vazhdojnë të funksionojnë.”

Ekipi i La Jolla Institute ka bërë të ditur që e ka zgjeruar panelin edhe për varianti B.1.617.2 (delta / indian) dhe gjetjet do t’i lexojmë sapo të jenë bërë publike.

Pra, miqtë e mi shumë lajme të mira për këdo që e ka kaluar infeksionin nga cilido variant apo është vaksinuar me Pfizer apo Moderna, pasi siç shprehet edhe autorja e parë, kërkuejsa Alison Tarke:

“Ky studim përçon një mesazh optimist. Të paktën, për sa kohë vazhdon përgjigja imunitare qelizore (limfocitet T), sistemi juaj imunitar është ende në gjendje t’i njohë këto variante të reja dhe limfocitet T do të jenë në gjendje t’iu përgjigjen atyre” shkruan Ilir Alimehmeti.