“Drejtësia e re”/ Gent Ibrahimi i KLP-së: Emërimi im si gjyqtar Apeli shpëton sistemin nga kolapsi

Në foto: Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, gjatë intervistës në emisionin “Absolut 4”

Nga Boldnews.al

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, vlerëson se emërimi i tij dhe anëtarit tjetër, Sandër Beci, si magjistratë në Apel, pas përfundimit të mandatit të tyre në Dhjetor të këtij viti, mund të shpëtojë nga kolapsi shkallën e dytë të drejtësisë, e cila është zbrazur në rreth 70 përqind nga procesi i rrëmujshëm i Vetingut.

Tingëllon disi absurde, por për kreun e KLP-së kjo “zgjidhje” është një prej tre alternativave që ai sugjeron për zgjidhjen e problemit thelbësor që po kalon tashmë sistemi i drejtësisë.

Dy alternativat e tjera, të prezantuara prej Gent Ibrahimit në emisionin “Absolut 4” në televizionin “A2 CNN” ishin ulja e kohës së studimeve në Shkollën e Magjistraturës për gjyqtarët dhe prokurorët e rinj, si edhe shtimi i ndihmësve ligjorë në të gjithë shkallët e sistemit të drejtësisë.

Këto alternativa, të sugjeruara prej kreut të Këshillit të Lartë të Prokurorisë janë njëra më e parealizueshme se tjetra.

Por, ajo që duket më absurde është pikërisht përpjekja që titullarët e “drejtësisë së re” synojnë t’i krijojnë vetes privilegje edhe në të ardhmen, pa përmbushur kriteret mininale për magjistrat dhe, mbi të gjitha, pa arsimin e duhur profesional.

Paketa ligjore e Reformës në Drejtësi parashikon që gjyqtarët dhe prokurorët e rinj dalin vetëm nga auditorët e Shkollës së Magjistraturës.

Rreth dy vjet më parë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, e theu këtë rregullim ligjor.

Nëpërmjet një procedure ekstra-ligjore, anëtarët e KLP-së vendosën të emëronin prokuror Bledar Valikaj, bashkëshortin e deputetet socialiste, Ermolena Felaj.

Pasi krijuan këtë “çarje”, tashmë zyrtarët e lartë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë synojnë ta shfrytëzojnë për vetën e tyre, duke u siguruar vijimin e sigurt të angazhimit në sistemin e drejtësisë.

Paketa e ligjeve të Reformës në Drejtësi ka parashikuar formatimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të paktën çdo tre vjet.

Në bazë të kësaj formule, 4 anëtarë të KLP-së, dy prej të cilëve jo-magjistratë dhe dy prokurorë, përfundojnë mandatin në Dhjetor 2021.

Ndërkohë që prokurorët e KLP-së e kanë të sigurt rikthimin në detyrat e mëparshme në sistem, anëtarët jo-magjistratë duhet të vijojnë angazhimin e tyre të mëparshme në shoqërinë civile apo avokati.

Gent Ibrahimi dhe Sandër Beci janë dy anëtarët jo-magjistratë, të cilët në fund të këtij viti përfundojnë detyrën e tyre në “qeverinë e prokurorëve”.

Ata të dy janë juristë, por nuk janë magjistratë. E, për këtë arsye, sipas ligjit aktual, nuk mund të emërohen në sistemin e drejtësisë.

Por, Gent Ibrahimi, po tenton që të “hyjë nga dritarja”, duke tentuar një artificë ligjore, e cila i siguron një emërim në Gjykatë Apeli, pa kryer as Shkollën e Magjistraturës dhe pa ushtruar asnjë ditë të vetme funksionet hetimore apo vendimmarrëse.

LEXO EDHE  Vrasja e Santiago Malkos/ Shtyhet gjykimi i të pandehurve

Ndërkohë, edhe dy alternativat e tjera, të sugjeruara prej tij për të zbutur kolapsin në sistemin e drejtësisë për shkak të Vetingut, gjithashtu nuk janë zgjidhje logjike.

Sugjerimi i tij i parë ishte ulja e kohës së studimeve në Shkollën e Magjistraturës.

Kjo Shkollë nisi aktivitetin e saj në vitin 1997 dhe prej rreth 25 vitesh ka funksionuar në mënyrë të njëjtë, ku studentët kanë kryer tre vite akademike, ndër të cilët i treti është praktikë.

Shkolla e Magjistraturës u krijua për të frenuar “sistemin e Plepave”, i cili ishte një kurs 6-mujor për gjyqtarë e prokurorë, i cili u krijua me urgjencë pas largimit të zyrtarëve të mëparshëm të sistemit të drejtësisë, të cilët kishin ushtruar funksionet në periudhën e komunizmit.

Sugjerimi i kreut aktual të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, për uljen e periudhës së studimit të magjistratëve të rinj, krijon premisat e një rikthimi të “sistemit të Plepave”, në një formë më të moderuar, ku gjyqtarët dhe prokurorët e rinj do të nxirren me urgjencë në treg, në emër të shmangies së kolapsit.

Sugjerimi i dytë i Ibrahimit ishte shtimi i ndihmësve ligjorë në të gjithë nivelet e gjykatës dhe prokurorisë, me qëllim që të mbështesin aktivitetin profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Edhe kjo zgjidhje është përtej të gjithë parashikimeve të paketës ligjore në fuqi.

Ligjvënësit kanë parashikuar një ligj të posaçëm për ndihmësit ligjorë dhe është vendosur që ata të jenë në mbështetje të gjykatave të nivelit të lartë.

Shtimi i ndihmësve ligjorë në të gjithë nivelet, do të ishte jo vetëm rritja e numrit të një armate zyrtarësh, por edhe dublim i punës së oficerëve të Policisë Gjyqësore, por edhe të vetë prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Ndihmësit ligjorë do të merrnin trajtat e hetuesve, sipas modelit që ka ekzistuar në Shqipëri para viteve ’90, duke prishur të gjithë ekuilibrat kushtetues në Shqipëri.

Sugjerimet e titullarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të dalë nga kolapsi, të cilin gjithësesi ai shmangu ta përmendi si term, janë jo vetëm të parealizueshme, por, për më tepër edhe në konflikt interesi.

Gjithçka që ai dhe të ngjashmit e tij, përfshirë hartuesit e tjerë të Reformës në Drejtësi, duhet të shprehen pa gjuhë të drunjtë, është fakti që sistemi që ngritën “po kafshon” shumë gjyqtarë e prokurorë, në kundërshtim me parimet e parashikuara prej tyre gjatë hartimit të ligjeve të reja.