“Mos e rr** k*** … e ke bobin ke shpaja”/ Si doli zbuluar prokurori Karriqi, përgjimet që e fundosën

Një hetim i nisur që në vitin 2019, më 21 nëntor kur policia e Kukësit çoi në pranga 5 persona, pasi u kapën me një sasi droge në makinë. Nëpërmjet hetimeve, përgjimeve u zbulua se prokurori Edmond Karriqi, drejtues i komanduar i Prokurorisë së Kukësit mori një sasi prej 2 mijë eurosh ryshfet për të pushuar çështjen për një prej të arrestuarve, duke e nxjerrë nga burgu.

Ishin përgjimet ndaj familjarëve të Ramadan Dedjas, i arrestuar për drogë që çuan në zbulimin e korrupsionit.

Në dosje, jepen detaje nga hetimi dhe një pjesë të bisedave të përgjuara, ku flitet për ryshfetin.

Pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e organizuar, në datë 29.06.2021, ora 10:00 është paraqitur për gjykim kërkesa e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsioni dhe Krimit të Organizuar, me objekt caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg” për shtetasit nën hetim Edmond Karriqi, Isuf Gega, Emirjan Beu dhe Dritan Dedja, pasi i hetuari Edmond Karriqidyshohet se ka kryer veprën penale “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, ndërsa të hetuarit Isuf Gega, Emirjan Beu dhe Dritan Dedja, dyshohen se në bashkëpunim midis tyre kanë kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, të kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet e kryera lidhur me këtë procedim penal, kanë rezultuar rrethanat si më poshtë vijon:

Në datën 21.11.2019 në qytetin e Kukësit janë kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasit Ramadan Dedja, Eraldo Braka, Elidon Koka, Hergest Xherri dhe Leandro Pasha, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Kapja dhe arrestimi i shtetasve të mësipërm është kryer pasi nga kontrolli i ushtruar në automjetin e markës Land Rover, në përdorim të shtetasit Ramadan Dedja me të cilin kanë qenë duke udhëtuar shtetasit e mësipërm është gjetur një sasi lënde prej 4.05, e cila ka rezultuar lëndë narkotike cannabis sativa.

Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës është regjistruar procedimi penal viti 2019, për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Në datën 22.11. 2019 është paraqitur kërkesë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës me objekt vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimi i masës së sigurimit “arrest në burg” për një afat 20 ditor për personat e mësipërm.

Me vendimin e datës 23.11.2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës është vendosur vleftësimi i ligjshëm i arrestit në flagrancë për personat e arrestuar si dhe caktimi ndaj tyre i masës së sigurimit “arrest në burg” për një afat 15 ditor.

Në funksion të këtij procedimi penal, prokurori ka autorizuar kryerjen e veprimeve të regjistrimit të fshehtë fotografik, filmik ose me video i personave në vende publike.

Është përdorur nga prokuroria dhe “përgjimi” si mjet i kërkimit të provës, duke u proceduar konform parashikimit ligjor, menjëherë sapo është regjistruar procedimi penal, të cilët janë vleftësuar nga Gjykata me vendimet përkatëse.

Në datën 23.11.2019, shtetasi Emirjan Beu, ka komunikuar me telefon me shtetasin Isuf Gega të cilin e pyet nëse ka njohje me prokurorin Edmond Karriqi, pasi në Kukës është arrestuar vëllai i shtetasit Dritan dedja. Shtetasi Isuf Gega i është përgjigjur se ka lidhje shoqërore me shtetasin e mësipërm dhe se është drejtues i prokurorisë, jo prokuror.

Disa minuta më pas Isuf Gega telefonon shtetasin Emirjan Beu dhe në bisedë shpjegon se ka folur me prokurorin, se personi i arrestuar quhet Ramadan Dedja dhe se është lënë me afat 15 ditë, në pritje të analizave të ekspertimit, si dhe i ka thënë që është vëllai i një shokut të tij të ngushtë, se për 3 orë ai vinte në Kavajë dhe mundet që të shkonin ta takonin së bashku.

Në datën 24.11.2019 Isuf Gega është takuar në Kavajë me Emirjan Beun dhe Dritan Dedjan.

Në datën 25.11.2019 Dritan Dedja, ka shkuar në Kukës dhe sipas bisedave telefonike, me ndërmjetësimin e Isuf Gegës, ka takuar prokurorin e çështjes në zyrën e tij dhe në këtë ditë i është kthyer automjeti i sekuestruar. Dritan Dedja ka komunikuar edhe vetë me shtetasin Isuf Gega të cilit i ka shpjeguar se ndodhej në Kukës dhe se e ka marrë automjetin dhe se do të nisej për në Tiranë.

Nga aktet e dosjes penale ndodhet urdhri i prokurori datë 25.11. 2019 për kthimin e automjetit të sekuestruar, shtetasit Dritan Dedja, i cili është ekzekutuar po në datën 25.11.2019, duke u mbajtur edhe proces verbali përkatës.

Në datën 26.11.2019, Dritan Dedja ka komunikuar me babain e tij, me emrin Rrahim Dedja, të cilit Dritani i shpjegon se kishte qenë në zyrën e prokurorit, se prokurori i kishte shpjeguar që nëse do i kishte thënë më përpara do e kishte vëllain jashtë, se i kishte thënë që do dilte i pafajshëm.

Në 27 nëntor 2019, Dritan Dedja, së bashku me Emirjan Beun kanë shkuar përsëri në Kavajë dhe janë takuar me Isuf Gegën. në të njëjtën ditë, Isuf Gega është takuar edhe me prokurorin e çështjes, Edmond Karriqi.

Po në datë 27 nëntor 2019, prokurori i çështjes ka komunikuar me oficerin e policisë gjyqësore që ka kryer veprimet hetimore, ku ky i fundit i shpjegon se është te mjekësia ligjore dhe se nuk i kanë përfunduar aktet e ekspertimit dhe se ka mundësi që të përfundonin ditën e hënë.

Nga ana e tij Edmond Karriqi i ka shpjeguar oficerit të policisë gjyqësore që t’iu thoshte se duhen urgjent të hënën, se të hënën duhet që të rrinte atje derisa t’i merrte aktet e ekspertimit.

Në datën 29.11.2019 Dritan Dedja bisedon në telefon me shtetasin Rrahim Dedja të cilit i thotë se “të hënën do ia çojmë, përderisa i ka kërkuar të hënën, të martën mund t’i qisi ata”…, “thashë të hënën, do i çojmë, me i çu lekët”… “t’i mbledhim ata të tjerët”.

Shtetasi Rrahim Dedja i komunikon se lekët janë gati dhe se lekët nuk janë duke i mbajtur. Sipas kalendarit, dita e hënë përkon me datën 02.12.2019.

Në datën 02.12.2019, Dritan Dedja ka shkuar në Kavajë dhe është takuar me Isuf Gegën.

Në kohën që ka qenë duke shkuar në Kavajë ka komunikuar me Emirjan Beun, duke i thënë se po shkon në Kavajë, të takojë Isufin. Në bisedën telefonike të zhvilluar, Dritan Dedja thotë se “jam tu shku ke Cufja jam këtu…t’i jap ato që më tha”.

Në datën 02.12.2019, rreth orës 11:00 pasi Dritan Dedja ka biseduar me Gani Brakën, i cili është babai i shtetasit Eraldo Braka, i arrestuar në Kukës, ka shkuar në pikën e këmbimit valutor të tij.

Nga këqyrja e pamjeve filmike ka rezultuar se në këtë pikë këmbimi valutor, në orën 10:55-10:57 shtetasi Dritan Dedja ka nxjerrë nga xhepi dhe ka numëruar 22 kartëmonedha të prerjes 100 USD si dhe tre kartëmonedha të prerjes 500 lekë, të cilat ia ka dhënë punonjëses së pikës dhe ka marrë nga punonjësja e pikës së këmbimit valutor shumën prej 2000 euro, kartëmonedha të prerjes 50 euro, të cilat i ka numëruar pranë sportelit para se të largohej.

Punonjësja i ka lëshuar shtetasit Dritan Dedja edhe faturën përkatëse. Janë administruar nga pika e këmbimit valutor të dhënat e faturave përkatëse dhe rezulton se në datën 02.12.2019, në orën 11:03, është regjistruar këmbimi i shumës prej 2200 USD.

Sipas aktit proces-verbal “Mbi veprimet e vëzhgimit të fshehtë të personave”, të Drejtorisë Hetimore Qendrore, Sektori i Forcës së Posaçme Operacionale, dokumentohet se në datën 02.12.2019, ora 11:50 Dritan Dedja është takuar në Kavajë dhe është ulur në të njëjtën tavolinë me Isuf Gegën. më pas Isuf Gega ka dalë nga lokali dhe ka shkuar në orën 12:10 në një tjetër lokal dhe është ulur në të njëjtën tavolinë me prokurorin Edmond Karriqi. Pas rreth 10 minutash në lokalin e mësipërm ka shkuar edhe vetë Dritan Dedja, i cili është ulur në të njëjtën tavolinë me Isuf Gegën dhe Edmond Karriqin, të cilët qëndrojnë së bashku rreth 20 minuta.

LEXO EDHE  Krimi në Greqi/ Publikohet momenti kur gjendet trupi i pajetë i 26 vjeçares (Video)

Nga përmbajtja e regjistrimeve të përgjimeve telefonike, të transkriptuara në procesverbalet përkatës, pjesë e fashikullit të gjykimit, Gjykata çmon me interes të pasqyrojë bisedën si vijon:

Pasi është kryer takimi i mësipërm Dritan Dedja ka telefonuar babain e tij Rrahim Dedja, ku midis tyre është kryer kjo bisedë:

D.Dedja: mos e rr…k… tha, nesër shkojnë ato, ditën e mërkurë e ke bobin e ke aty, ke shpaja.

Rr.Dedja: Sigurtë?

D.Dedja: Po, nesër e sigurtë mo, për çar i kërkun ato

Rr.Dedja: Hajt mirë, ia çove krejt ti?

D.Dedja: Krejt, krejt.

Rr. Dedja: Hajt bukur, çao.

D.Dedja: T’gjitha, hajt.

Në këtë ditë, shtetasi Dritan Dedja ka pasur edhe biseda të tjera të mëvonshme, me të cilin komunikon se ka mbaruar punë, se nesër shkojnë dhe ngelet për pasnesër, me vetë personin e arrestuar të cilit i komunikon se “pata ca punë takova ca njerëz…mirë mirë fare”. Po kështu, ka komunikuar me avokatin e personave të arrestuar të cilit i ka komunikuar që të mos bënte apel, se i kanë thënë që të durojë ca ditë dhe se do të rregullohen bashkë.

Më 3 dhjetor 2019, Isuf Gega ka komunikuar me Emirjan Beun, të cilin e ka vënë në dijeni për takimin e ditës së kaluar, se janë ulur së bashku me robin e huaj, duke nënkuptuar prokurorin e çështjes, i cili i ka thënë se ta mbaronte, por duhet që të vinte përgjigjja nga mjekësia ligjore për të pestë personat. Isuf Gega është shprehur se po bënte më të mirën, se po e ulte vetë, po e ulte prezent, duke nënkuptuar përsëri prokurorin e çështjes.

Më 5 dhjetor 2019, Dritan Dedja ka komunikuar me babain e tij të cilit i ka thënë se që të mos mërzitej se është ashtu është procedura, nga ana e tij shtetasi Rrahim Dedja është shprehur i shqetësuar duke i thënë Dritanit se kujt ia ka dhënë lekët dhe nëse ia ka dhënë vetë, se mos i ka marrë ndonjë bixhozxhi, ndërsa Dritani i ka shpjeguar që të rrinte pa merak.

Nga hetimet rezulton se më 6 dhjetor 2019, nga prokurori i çështjes është paraqitur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës kërkesa për caktimin e masës së sigurimit “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për shtetasit Ramadan Dedja dhe për personat e tjerë që kanë qenë të arrestuar. Me vendim të datës 6 dhjetor 2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës është vendosur pranimi i kërkesës së prokurorisë, caktimi i masës së sigurimit “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, si dhe lirimi i menjëhershëm i personave nën hetim.

Ngaa verifikimi i akteve të dosjes rezulton se në Institutin e Mjekësisë Ligjore janë kryer aktet e ekspertimit toksikologjik ligjor për shtetasin Ramadan Dedja më 3 dhjetor 2019.

Rezulton se këto akte janë nisur me shkresën e IML, dt. 03.12.2019 dhe se janë administruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës me nr. 1612 prot dt.10.12.2019. Në dosjen e seancës gjyqësore të zhvilluar në datën 06.12.2009 nuk janë përdorur aktet e ekspertimit që janë dërguar me shkresë përcjellëse nga IML, por kopje e këtyre akteve të njësuara me vulën e IML-së, që duken se janë marrë dorazi dhe nuk janë administruar në të njëjtën kohë me shkresën përcjellëse.

Me vendimin e datës 15.10.2020 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës është vendosur, pushimi i çështjes viti 2019 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, regjistruar për veprën penale në ngarkim të shtetasve Ramadan Dedja, Eraldo Braka, Elidon Koka, Hergest Xherri dhe Leandro Pasha.

Mbi këto rrethana, prokurori ka parashtruar në kërkesën objekt gjykimi se nisur nga rrethanat dhe provat deri në këtë fazë të hetimit, ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova konkrete se shtetasi Dritan Dedja në bashkëpunim me shtetasit Emirjan Beu dhe Isuf Gega kanë kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, të kryer në bashkëpunim, ndërsa shtetasi Edmond Karriqi dyshohet se ka kryer veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”. Në rastin konkret ekzistojnë kushtet dhe kriteret e përgjithshme dhe të posaçme për caktimin e një mase sigurimi personale.

Së pari, nga aktet shkresore krijohet dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova të cilat duke u vlerësuar në tërësinë e tyre krijojnë bindjen se vepra penale ka ndodhur. Gjithashtu krijohet dyshimi i arsyeshëm dhe i bazuar në provat e sipërpërmendura, ekzistojnë elementët e mjaftueshme juridike dhe ato rrethana të faktit që krijojnë bindjen se personat nën hetim kanë kryer veprat penale të mësipërme dhe se në rastin konkret nuk rezulton se ka ndonjë shkak padënueshmërie.

Në fazën aktuale të procedimit penal ekzsiton një shkallë tepër e arsyeshme e mundësisë së fajësisë së kryerjes së veprës penale nga personat nën hetim.

Së dyti, në rastin konkret ekziston rreziku real që personat nën hetim të kryejnë përsëri të njëjtën vepër penale si ato që dyshohen apo një vepër penale edhe më të rëndë se ajo që dyshohen. Po kështu, ekziston rreziku që personat nën hetim të largohen duke iu shmangur drejtësisë.

Së treti, në kërkesën lidhur me llojin e masës së sigurimit që kërkohet të caktohet mbahet parasysh proporcionaliteti dhe përshtatshmëria specifike e nevojave të sigurimit në rastin konkret me llojin e masës së sigurimit. Duke vlerësuar rëndësinë e faktit, sanksioni që parashikon vepra penale, duke vlerësuar edhe shkallën e nevojave të sigurimit në rastin konkret, duke pasur parasysh rrezikshmërinë shoqërore të veprave penale, të cilat dënohen në maksimum deri në katër vjet dhe dhjetë vjet burgim, ndaj personit nën hetim Edmond Karriqi, Isuf Gega, Emirjan Beu dhe Dritan Dedja, duhet që të vendoset masa e sigurimit personal “arrest në burg”.

Të gjitha bisedat e realizuara nga këta persona me prokurorin janë transmetuar tek familjarët e personit të arrestuar, Ramadan Dedja i ati i tij, Rrahim Dedja duke i dhënë atij garancinë për kërkesën që do të bëhej nga prokurori për lirimin e tij.

Nga ana tjetër, shtetasi nën hetim Edmond Karriqi në cilësinë e prokurorit të çështjes ka vënë në dijeni paraprakisht shtetasit Isuf Gega dhe Dritan Dedja për ecurinë e veprimeve hetimore që para se këto të kryheshin, ku me interes është biseda me oficerin e policisë gjyqësore të datës 27 nëntor 2019, lidhur me aktet e ekspertimit, ku i pohon se aktet e ekspertimit do të merren të hënën (datë 02.12.2019), si dhe bisedën e datës 2 dhjetor 2019 pa minuta para se të takohej me shtetasin Dritan Dedja, ku i komunikon oficerit të policisë gjyqësore se duhet t’i merrte atë ditë aktet e ekspertimit.

Fakti se aktet të ekspertimit toksikologjik ligjor nuk janë përpiluar dhe nuk janë marrë në datën 02.12.2019, ditën e hënë, siç ishte planifikuar më parë, ka krijuar shqetësim te shtetasi Dritan Dedja dhe familjarët e tij, si dhe të shtetasit Isuf Gega dhe Emirjan Beu të cilët bisedojnë me njeri-tjetrin në mënyrë që Dritani të interesohet te mjekësia ligjore për përpilimin e akteve të ekspertimit.

Të dhënat e përgjimeve telefonike më sipër të shtetasve të mësipërm krijojnë dyshime se personi nën hetim Dritan Dedja me ndërmjetësimin e shtetasve Emirjan Beu dhe Isuf Gega, ka realizuar takime e biseda të drejtpërdrejta me të hetuarin Edmond Karriqi, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës dhe dyshohet se i ka dhënë atij, vlerën e ryshfetit prej 2000 euro me qëllim për të ndikuar në paraqitjen e kërkesës për caktimin e masës së sigurimit në Gjykatë ndaj personit të arrestuar Ramadan Dedja (vëllai të hetuarit Dritan Dedja), atë të ‘detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Sipas SPAK, prokurori Edmond Karriqi në nivelin e provave të paraqitura, dyshohet se kërkoi dhe mori nga të afërmit e të hetuarit prej tij Ramadan Dedja, nëpërmjet shtetasve nën hetim Dritan Dedja, Isuf Gega dhe Emirjan Beu në bashkëpunim me njeri-tjetrin, përfitimin e padrejtë, shumën prej 2000 euro, duke premtuar dhe dhënë një masë sigurimi personal në favor të tij.