Krim-drejtësi/ Vëllai i prokurores Zifla, ortak me anëtarin e bandës së “vrasjeve me pagesë”

Në foto: Prokurorja Alketa Zifla

Nga Boldnews.al

Kur Alketa Zifla u emërua në vitit 2012 si zv.drejtuese e Prokurorisë së Fierit dhe njëkohësisht shefe e Njësisë Anti-Korrupsion, vëllai i saj, Kujtim Llapi, me profesion mjek, vendosi të angazhohej edhe në biznesin e ndërtimit.

Ai zgjodhi për ortak një personazh të njohur deri në atë kohë për policinë e Vlorës, por që më tej u bë i njohur për të gjithë Shqipërinë, si pjesëtar i bandës së vrasjeve të drejtuar nga Julian Sinanaj.

Ai quhet Marjon Mitro dhe, së bashku me vëllain e prokurores dhe një person të tretë regjistruar në vitin 2012 kompaninë “Mak-2010”, me objekt veprimtarie “Shit-blerje të pasurisë së paluajtshme dhënie me qera, administrim të pasurive të paluajtshme dhe investime në fushën e ndërtimeve, ku përfshihet ndërtimi i komplekseve turistike, godinave të banimit, e të tjerë”.

Në foto: Ekstrakti i QKR për kompaninë “MAK-2010” me status “Aktiv”

Kompania vijon të jetë aktive edhe sot, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, duke konfirmuar lidhjet e forta ndërmjet mjekut Llapi dhe të dënuarit për pjesëmarrje në organizatë kriminale, Marjon Mitro.

Emri i Kujtim Llapit u shfaq në seancën dëgjimore të zhvilluar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit këtë të Hënë (14.06.2021) me prokuroren Alketa Zifla, e cila tashmë është në Prokurorinë e Tiranës, pasi qëndroi për rreth dy vjet si Drejtore e Kabinetit e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku.

Sipas Ziflës, vëllai i saj, ndër të tjera, është pjesë e një marrëdhënie shkëmbimi truall-ndërtim, nga e cila ka përfituar tetë apartamente.

Bazuar në kërkesat e ligjit të Vetingut, Kujtim Llapi, i cili sot mban postin e Drejtorit të Operatorit Shëndetësor për Rajonin e Jugut, është “person i lidhur” me prokuroren Alketa Zifla, për shkak të një raporti financiar me prindërit e tyre.

Si “person i lidhur”, Kujtim Llapi duhet të ishte përfshirë në procesin e verifikimit, për të vlerësuar nëse paratë e krijuara prej tij a kanë ndonjë lidhje me punësimin e të motrës së tij si prokurore dhe, nëse ai kishte “kontakte të papërshtashme”, të cilët afektojnë edhe subjektin e rivlerësimit, Alketa Ziflën.

Por, nga sa u raportua në seancën dëgjimore, duket se trupa e përbërë nga Etleda Çiftja, Pamela Qirko dhe Xhensila Pine nuk e ka zgjeruar aspak hetimin administrativ në raportet e dyshimta mes vëllait të prokurores dhe anëtarit të bandës së “vrasjeve me pagesë”.

Nga sa prezantoi trupa e KPK-së, problemi i vetëm për prokuroren Zifla ishte vetëm një konflikt interesi në dukje për një kredi të butë që ajo ka fituar nga Bashkia e Fierit, në kohë që ushtronte funksionet në atë strukturë, ndërkohë që për kriterin e figurës kishte rezultuar e pastër.

Në foto: Deklarata e pasurisë e prokurores Alketa Zifla, për vitin 2012, kur mbante detyrën e zv.drejtueses së Prokurorisë Fier dhe drejtuese e Njësisë Anti-Korrupsion

Ortak me “kriminelin”
Në 12 Korrik 2021, Kujtim Llapi, Marjon Mitro dhe shtetasi A.P., themelojnë “Mak-2010, ku vëllai i prokures Alketa Zifla (Llapit), zotëron shumicën me 34 përqind.

Në foto: Akti i themelimit të shoqërisë “Mak-2010”

Në vitin 2014, Marjon Mitro arrestohet me urdhër të ish-Prokurorisë për Krime të Rënda, i akuzuar për “vepra për qëllime terroriste”, “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese ndaj zyrtarit shtetëror” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, Mitro kishte porositur vrasësin me pagesë, Julian Sinanaj, për të ekzekutuar ish-prefektin e Vlorës, Besnik Dervishi, aktualisht Komisioneri për Informim.

Julian Sinanaj ka deklaruar para prokurorëve se mekanizmi shpërthyes (i sekuestruar ne autoveturën e shtetasit Besnik Dervishit më dt. 13.12.2013 para Kryeministrisë) “është përgatitur prej tij në mënyre artizanale me kërkesën e te pandehurit Marjon Mitro, person i cili, sipas dëshmisë së ekzekutorit, ka porositur këtë minë me telefon në javën e parë të muajit Dhjetor 2013”.

Besnik Dervishi, ka sqaruar në atë kohë se “nuk ka asnjë konflikt personal dhe se vendosja e sasisë së eksplozivit duhet të ketë lidhje me detyrën e tij si prefekt i rrethit Vlorë, pasi në atë kohë sapo kishte filluar aksioni për shembjen e ndërtimeve në vijën bregdetare të Vlorës, ku do të ndërtohej Lungo-Mare dhe këtë aksion e udhëhiqte ai vetë”.

LEXO EDHE  Familjarët japin alarmin/ Zhduket një vajzë e mitur pas aksidentit të autobuzit, mister fati i saj

Po ashtu, gjithnjë sipas Prokurorisë, “i pandehuri Julian Sinanaj ka dëshmuar se me ndërhyrjen e Genis dhe Andon Mëhillajt, është njohur me Marjon Mitron dhe pas disa kontakteve me të, nga Marjoni i është kërkuar të ekzekutonte me armë zjarri shtetasin Julian METUSHAJ, me të cilin Marjoni kishte disa mosmarrëveshje. Për të kryer këtë ngjarje, Marjoni i ka ofruar Julianit shumën 50000 euro..”.

Në foto: Marjon Mitro

Këto ngjarje i përkasin periudhës 2013-2014, kur Marjon Mitro kishte formalizuar ortakërinë në biznesin e ndërtimit me Kujtim Llapin, vëllain e prokurores Alketa Zifla.

Marjon Mitro u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda me 19 vjet burgim. Në Apel, atij iu ul dënimi në 8 vjet dhe doli nga burgu disa muaj më parë.

Në Janar 2021, Marjon Mitro ishte shënjestër e një atentati të dështuar në Vlorë. Ai u plagos me armë zjarri, ndërkohë që policia nuk ka gjetur ende autorin apo autorët.

Ndryshe nga peripecitë e Mitros, ortaku Llapi pati një rritje pozitive në karrierë. Në vitin 2015 ai u emërua drejtor i Spitalit Psikiatrik të Vlorës, detyrë që e mbajti për disa vite.

Në foto: Kujtim Llapi, drejtor i Operatorit Rajonal Shëndetësor Vlorë

Kontrolli i Lartë i Shtetit, pas një kontrolli në Spitalin Psikiatrik, e kallëzoi penalisht drejtorin Kujtim Llapi për abuzim me detyrën.

Kallëzimi u dorëzua në vitin 2018, kur motra e të kallëzuarit, Alketa Zifla, ishte shndërruar në krahun e djathtë të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku.

Prokuroria e Vlorës e pushoi hetimin ndaj Kujtim Llapit. Më tej, në vitin 2019, ai u zgjodh Drejtor i Operatorit Shëndetësor të Rajonit të Jugut, një pozicion që kontrollon të gjithë strukturat shëndetësore dhe spitalore në zonën jugore të vendit.

Krahas karrierës administrative, Kujtim Llapi vijon aktivitetin privat në kompaninë e ndërtimit, e cila në QKR ka statusin “Aktiv”. Në krah të vëllait të prokurores vijon të jetë sërish Marjon Mitro, si ortak me 33 përqind të “Mak-2010”.

Në foto: Kompleksi “Flamingo” në Vlorë, ku gjendet selia e shoqërisë “MAK-2010”

Fiktivitet dhe konflikt interesi
Në seancën dëgjimore me Alketa Zifla (Llapi), trupa e Vetingut ngriti pikëpyetje vetëm mbi një kredi të butë të marrë nga prokurorja nga Bashkia e Fierit, gjatë kohës që ushtronte funksionet e shefes së Njësisë Anti-korrupsion në atë qytet.

Sipas asaj që u deklarua në seancë, Zifla dyshohej për “kontratë fiktive” dhe “konflikt interesi”.

Më konkretisht, Alketa Zifla pranoi se kishte nënshkruar një kontratë me prindërit e saj, në të cilën kishte deklaruar se u kishte dhënë këstin e parë prej rreth 1.5 milionë lekësh për të blerë apartamentin e tyre, ndërkohë që ky akt ishte tërësisht fiktiv.

Subjekti dhe familjarët e saj pranuan para trupës së Vetingut që, megjithëse kishte një kontratë të tillë, shumë 1.5 milionë lekë nuk kishte qarkulluar asnjëherë mes tyre dhe se ky veprim ishte kryer për të bindur bankën që t’i jepte prokurores një kredi të butë.

Relatorja e Vetingut, Etleda Çiftja, përmendi termin “fiktivitet” në këtë rast, por prokurorja Alketa Zifla u tregua emocionale, duke kërkuar nga komisioni që të mos e konsideronin të tillë.

Po për këtë kredi të butë, trupa e KPK-së ngriti dyshimet për veprime në kushtet e konfliktit të interesave.

Në kohën që prokurorja ka përfituar kredinë e butë nga Bashkia e Fierit, ajo ka pasur nën hetim zyrtarë të kësaj njësive vendore, pas kallëzimeve për abuzim me ndarjen e banesave sociale.

Pas veprimeve proceduriale, Alketa Zifla e pushoi hetimin, ndërkohë që vetë kishte përfituar kredi të butë nga të njëjtët persona që kishte nën hetim.

Kjo situatë krijon përshtypjen se prokurorja Zifla ka shfrytëzuar pozicionin e saj, duke krijuar të gjithë premisat për t’u përfshirë në atë që strukurat e Vetingut e konsiderojnë si “cënim i besimit të publikut tek drejtësia.