Ish-ministri i Financave: Kujdes me Bitcoin, nuk është monedhë, por bast

Arben Malaj, ish-ministër i Financave, foli në A2 Business për kriptomonedhat, nga ku u shpreh se ato nuk janë monedha, madje ai shkoi edhe më tej duke e quajtur investimin aty si një bast.

Malaj theksoi se për kriptomonedhat nuk ka një bazë ligjore dhe rreziku është i madh. Investimi, tha ai, duhet të bëhet aty ku ka një garanci për kthim.

“Duhet të qartësojmë dhe të ndihmojmë investitorët e vegjël dhe të paarsimuar që të mos bien viktima të investimeve që kanë shkallë të lartë risku. Është njësoj siç bëmë me depozituesit e vegjël në banka që pas krizës së piramidave ne ndërtuam sistemin e mbrojtjes së tyre dhe skemat e asistencës si shërbim publik.

Ajo që është shqetësuese dhe unë e kam mësuar nga eksperienca e mbylljes së piramidave është që në këtë rast vepron psikologjia e turmës. Dikush aty tha se shqiptarët investojnë aty 50 dollarë, por sa është vlera e një Bitcoin sot? Që të investosh duhet të kesh një garanci për kthimin.

Kriptomonedha nuk është monedhë. Kjo do të thotë që të sqarojmë ata që nuk kanë njohuri, që nuk ka një bazë ligjore si monedhë, por është një bast, një aset ku ti ke disa para. Tani kanë rënë interesat në bankë dhe ka rrezikshmëri për investime, prandaj është rritur në kohë pandemie dhe ti vendos t’i vendosësh paratë e tua në një bast”, u shpreh Malaj.